Shitja e shpirtrave / Nga Mite Tabaku

Shitja e  shpirtrave

 

 

mite tabaku

Nga Mite Tabaku

 

 

Na ndodh të gjithëve të jetojmë një ditë të qetë, të tejmbushur madje me lumturi. Por, papritmas një incident i vogël na bën të  biem në  kthetrat e trishtimit. Trishtim që si ndalesë të fundit zgjedh fytyrën tënde dhe është e pamundur që me një shkundje t’a largosh. E tillë tingëllon dhe kjo dita ime sot, gri dhe e përgjumur, nën një  korte resh tekanjoze që nuk dorzohen asnjë çast. Në ajrin e ngrirë kuvendojnë mendimet e mia të përçudnuara. Nuk mjafton asgjë që të më shpërqëndrojë nga kjo gjëndje që më ka kapluar tashmë.

Më mungon ajri teksa kujtesa ime prek për një fraksionë sekondi ardhmërinë e këtij realiteti që na posedon. Jetojmë në shekullin e mbimaterializimit, në kohërat ku procesi i “shit-blerjes” ka cekur majat dhe njerëzimi me pasivitetin e përditshmërisë e ushqen atë me vetvete. Kemi shkuar aq shpejt përpara (përpara për ku?) përgjatë  këtyre viteve dhe as që  na ka rënë në të tè ndalojmë një çast aq sa shpirti të  mund të  frymthith pakëz ajër e jo më të na arrijë. Mos ndoshta na ka arritur galopthi përmes një rruge qorre?

Tashmë kohët kanë evoluar, një evolim i mbrapsht, i keqdeformuar ndoshta që në lindje. Jetojmë në vitet ku shumica e individëve janë në gadishmëri të plotë për të shitur shpirtin në  shkëmbim të suksesit, parave, kënaqësisë së realizimit të një ëndrre apo edhe thjesht të sigurimit të një jetese më të mirë (në  terma afatshkurtër) nën efektin e një  indiferencë të plotë morale. Kjo tradhëti e vetvetes e cila e transformon njeriun thjesht në një qendër interesi e nevojë materiale shumohet pandalshmërisht duke asfiksuar të mirën, parajsën brenda nesh po aq sa dhe ndërgjegjen. Jemi në epokën ku nuk shiten vetëm trupat siç (dramatikisht rëndomtë) u ndodh prostitutave; por tashmë kioskat rrugore të ekzistencës njerëzore kanë nxjerrë në shitje pjesën më të shenjtë e intimime, shpirtin.

Një goditje e ulët në emër të sigurimit (rëndomtë) të privilegjeve materiale dhe shijimit të  këtyre të  fundit. Pak shpirt në këmbim të suksesit profesional, botës televizive, asaj të shtresës së lartë apo qoftë edhe për përftesën e verdhoshkave që u rëndojnë xhepat e pangopur të etjes… Ah! Nuk ke ç’të  bësh, në ditët e sotme për të jetuar “pak më mirë” të  duhet të shesësh pashmangshmërisht pak shpirt. Duhet të – imponim i pakontestueshëm, pa të drejtë zgjedhjeje e pa një grimcë oportuniteti për t’ia hedhur paq kësaj meseleje…

E çuditshme mënyra se si njerëzimi e ka shpërfytyruar brendësinë e vet, pikën e referimit të  një ekzistence dinjitoze. E papranueshme, por asgjë nuk më befason më. Çdo ditë e më  tepër edhe unë ndodh të jem në një luftë sfilitëse për ti bërë ballë kësaj dukurie që gjithmonë e më tepër e huajëson individin ndaj vetes. Kudo që  shkel në  rrugicat e jetës simë mjerake përfundoj në një përplasje ballë për ballë me të vetmen zgjidhje që më ngelet të  zgjedh teksa rrethi në përzgjedhjë sa vjen e ngushtohet…

Pak shpirt në shitje për do të  mira materiale? Pak shpirt për një  ëndërr? A ka shpirti çmim? A ka? Dilemë që pandalur më vret  pjesën më të gjallë e alegre brenda meje, atë  pjesë që më mban të  lidhur me jetën. Çdo herë e më tepër ndjejë forcën nënshtruese të  këtij realiteti të ndyrë. Në vendnumëro, copë -copë, e pafuqi dhe e pashpresë. Një përgjigje asgjë më shumë, një rrugdalje por, kurrkund!

E vetme në këtë cep të ekzistencës njerëzore, në këtë vend ku qënia e gjallë ka guxim të ta vjedhë një ëndërr, shpresë, lumturi nga shpirti yt për të ushqyer egon e vet. Thërrmija shprese valviten ajrit të brendësisë sime boshe. Ku po shkojmë? Në ç’shtretër imoraliteti flemë? Ku rënkon e pafuqi njerëzorja e përbuzur nga njeriu? Ah! Kthetrat e këtij realiteti të ndyrë lënë puthjet e veta mbi naivitetin tim. Notoj në pellgje lotësh e pafuqishme përballë vrazhdësisë së ligjit të deformuar të jetës.

E vetmja ëndërr, e vetmja shpresë, shpëtimi im i vetëm tanimë po kthehet në mankthin tim më të madh. Duhet të shesësh pak shpirt!  Jehon brenda meje kjo klithje shpirtgërvishëse, buçet venave të mia, ligësisht, me turinjtë e saj të llongosur vesh më vesh.

“Të shesës-së-s-sësh, pak-ak-ak-k, di-di-diçka,

ndje-ndjenjë-jë-ë-ë-ë, shpirt-t-t-t-t, ve-ve-te-te-n-n-n…”:- ziejë  brenda kësaj vorbulle dëshpëruese që e zhbën unin tim në mijëra copëza asgjëje. Si mund të paguaj njeriu një çmim të tillë për ëndrrat e veta? Kaq shtrenjtë?  Si-s-s-i-i-i?!

Pyes e ripyes veten por, pa përgjigje. Mijëra pyetje që më bombardojnë pjesën mirëfunksionale të trutit tim e sfilisin në të njëjtën kohë rezistencën e tij. Po ku është përsosmëria e botës? Mirësia në brendinë e njeriut ku struket? Ku po shkojmë? Ku? E ardhmja ideale që kam pas përfytyruar ka filluar tashmë të zbehet dhe ëndrrat që kisha se di ku më kanë përfunduar. E ndoshta, ndoshta ka diçka më të keqe se zhdukja e ëndrrave: mosdëshira për të ëndërruar përsëri dhe vrasja e tyre në gjakftohtësi të plotë si e vetmja zgjidhje për të mos degraduar si një shitës më shumë në tregun e ndyrë të shitjeve të shpirtrave…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s