Parathënia e Vëllimit Poetik ” Nga po fryjnë erërat” e autores Afërdita Salihu.
Nga : Mr. Eroll Sejdiu-Albanolog
Në një takim të rastësishëm me poeten Afërdita Salihu, biseduam rreth poezive të saja që i kishte në dorëshkrim. Me gjithë dëshirë, pranova që të jem redaktor i librit me poezi të titulluar……..
E di se është shumë vështirë t’i veçosh poetët nga panteoni i tyre i shumtë dhe i llojllojshëm krijues, por poetja Afërditë, ka bërë që këto poezi në vete të posedojnë fuqinë e një interkomunikimi tejet specifik, interaktiv dhe të veçantë me lexuesin.
Ajo në mënyrë perfekte shpreh ndjenjat e kumtit të pastër të shpirtit të saj, gjithmonë nëpërmjet vargjeve, duke iu dhënë muzikalitet, dinamikë dhe stil.
Poezitë e Afërditës, në vete ngërthejnë, motivin patriotik,social dhe dashuror, ndërsa vargjet janë të lira, të krijuara dhe popullore.
Afërdita Salihu
Figurat më të veçanta stilistike dhe të diksionit që na paraqiten në poezitë e saj janë: metafora, krahasimi, simboli, pasthirrma ,asonanca, aliteracioni.
Në poezinë “Proshqipja“, autorja i këndon gjuhës sonë të pastër , duke bërë interpretim të saktë për të. Me këtë, dëshmon se gjuha shqipe është e lashtë sa kombi ynë, edhe pse atë e urryen pa masë .Ajo shprehet me këto vargje:
Proshqipja i donte që të gjithë
E urrenin pse fliste shqip, anglisht e frëngjisht,
Dhe për këtë xhelozia nuk mbaronte as me kaq
Proshqipen e urryen me shpirt e me asht.
Gjithashtu te “ Në ditëlindjen e Adem Jasharit “ , vërehet dashuria e saj për atdheun, për ata që u flijuan, e në veçanti për komandantin legjendar Adem Jasharin , për të cilin thotë:
Oo, sot na lindi një trim mbi trima
Emri i tij pushkë, fut tmerr sikur vetëtima,
Adem Jashari, sot ne nuk lotojmë, jo
Trimi i mirë si ti,dhe malet me borë i ngroh.
Sinonimike shpreh edhe figurën e luftëtarit shqiptar nga Presheva, Skender Kadriu, me vargjet:
Një,ishte Skender Presheva,ku u lind e ku u rrit
Është në pranvera e vera,ai dëgjohet si mit
Dergjur në kazamate,shndërruar në Gjergj Elez Alinë
Por,jo,nuk u shove,emri yt ndër vite,sa vjen e ripërtërin
Poeten , Afërdita Salihun, e preokupojnë problemet shoqërore , të cilat ajo i paraqet mjeshtërisht me anë të penës, duke u munduar që t’i zbusë ato. Shoqëria jonë ballafaqohet me probleme të ndryshme për të cilat nuk ka mundur të heshtë poetja , e cila ndjen në vete se koha është për t’i përmirësuar cilësitë e shoqërisë sonë.
Motivi social te poezitë e Afërditës, paraqitet ndryshe nga të tjerët, duke e vënë në qendër të vëmendjes përkushtimin e saj, brengën e saj për të tanishmen dhe përkushtimin edhe shpresën e saj që e ardhmja të jetë më e mirë. Naryrisht, ajo nuk pretendon që problemet në shoqëri po ashtu edhe në jetë të zgjidhen me “ shkop magjik”.
Ajo është e vetëdijshme që problemeve duhet t’i qasemi në mënyrë të drejtë dhe t’i eliminojmë ato ,duke hapur rrugë për një jetë më të mirë. Ajo, fëmijët i vendos në rend të parë.
Kënga bardhësie le të bekoj edhe qiejt
Lojëra fëmijësh mos të ndalen në mes
Fjalë dashurie mesazh le të përcjellë
Kënga le të rrojë gjithmonë, kurrë të mos vdes.
Dashuria ishte një motiv që inspiroi shumë poetë , për t’u shprehur në vargje, atë që e ndiejnë . Ndaj këtij fenomeni , nuk mundi të qëndrojë indiferente as poetja Afërditë. Dashuria në poezitë e saj zë një vend të veçantë dhe e veçanta e poezive të saj qëndron se ajo përmes dashurisë shpreh gjithçka.
U ridashurova
Në hije të trëndafilit
M’u shfaq imazhi yt.
Në këtë kontekst, dashuria të cilën promovon poetja jonë, nuk mund të jetë shumë ndryshe nga të tjerët, por është e veçantë sepse buron nga shpirti dhe zemra e saj. Në këtë kohë ku çdo gjë kalon në antivlerë, të mbjellësh dhe të kultivosh dashuri është thuaja se jashtëzakonisht pozitive që rrezaton dhe shndërrohet në energji pozitive, e që rezulton me pozitivitet në gjithë shoqërinë.
Mund të ketë tepër urrejtje, tepër pasuri, tepër varfëri, por kurrë nuk mund të ketë tepër dashuri. Ajo duhet të jetë kudo dhe kurdo dhe të ndjehet te gjithkush, sepse është e vetmja gjë, që i jep kuptim jetës njerëzore.
Nisur nga kjo, shprehja dhe kultivimi i dashurisë në vargje, është edhe një tendencë për të përhapur dashurinë tek njëri-tjetri dhe në këtë mënyrë dashuria është pikënisja dhe synimi i poetes Afërdita Salihu, që dashurinë ta bëjë frymëzuese për breznitë e reja.
Poetja, Afërdita Salihu, në vargjet e saj, ka bërë një sintezë të shkëlqyeshme mes patriotizmit, sociales dhe dashurisë, duke i vënë në qendër të vëmendjes dhe njëherazi është përpjekur t’i transmetojë te lexuesit në mënyrë të natyrshme.
Fjalët që mund t’i them për poezitë e poetes Afërdita, mbase edhe mund të jenë të tepërta, në këtë rast, fjalën e fundit do t’ia lë lexuesit, në mënyrë që ai vet të njihet me kreativitetin dhe madhështinë e vargjeve të poetes sonë.
Mr. Eroll Sejdiu-Albanolog