Romani ”DAMKOSJA E ENGJËJVE” i autorit Vullnet Mato në këndvështrimin estetik të shkrimtares Vjollca Tiku Pasko.

 

5717863-M

Romani  ”DAMKOSJA E ENGJËJVE”  i autorit  Vullnet Mato në këndvështrimin estetik të shkrimtares Vjollca Tiku Pasko.

 

 

Një model i arkitekturës letrare, gdhendur mjeshtërisht nga gjëmimet, dhimbjet , vuajtjet, me shkreptimat e penës së shkrimtarit Vullnet Mato. Kur Heminguejin e pyetën: Cila është përgatitja më e mirë për një shkrimtar? Ai u përgjigj: “Një fëmijëri fatkeqe.” E tillë ishte fëmijëria edhe për autorin, përfaqësuar këtu me personazhin Besniku. Që në moshë të njomë, sistemi diktatorial i burgos babanë mësues, për një ëndërr të pafajshme që u kishte treguar kolegëve të tij. Më pas sistemi i mohon familjes bukën e gojës nëpërmjet heqjes së triskave. Damka e zezë u ishte ngjitur në shpinë si “pjellë e reaksionarit”, kur njomëzakët ishin vetëm engjëj pa krahë dhe përndjekja diabolike, do bëhej stampë mbi vështrimet e tyre… Fëmijëria, mosha më e pastër dhe më e pafajshme u kalit në farkën e vuajtjes. Shpirti i njomë i heroit lirik të romanit, kishte një central përbrenda, që duke u rritur, do të gjeneronte dritë poezish dhe romanesh. Por çdo përpjekje për tu ngjitur në jetë, nëpërmjet shkollimit, ishte si ti afroheshe llavës së zjarrtë që shpërthente nga gjuha e marionetave moniste. Damka e zezë ishte një hendek, ku dëshirat dhe pasionet e tij veniteshin herë pas here. Por sa më shumë vuajtje dhe pengesa t’i vinin këtij njomëzaku, aq më shumë nxitnin dritëzat e intelektit që i ngazëllenin shpirtin, për t’i kapërcyer ato. Me shpresë të siguronte një punë aq të nevojshme për jetesën, bashkohet me avanguardën e“Aksioneve vullnetare” të tipit monist që kishin në qendër shfrytëzimin e krahut të punës pa pagesë.

 

vullnet

Vullnet Mato

 

Por ai sistem i kuq, fermentonte për të, vetëm varfëri deri në qelizat më të imta të trupit. Periudha e dashurisë i dha një kuptim të ri jetës së tij. Ishte 17 vjeç kur ndjeu regëtimën e parë të magjepsjes së ndjenjës. Çaste dhe orë që pulsojnë ndjenja pa reshtur, të cilat ndrydhen në mbështjellësen e zemrës. Sytë, buzëqeshja shpirti, reflektonin vetëtimat më të bukura të jetës. Pengesat bëheshin male, që i sheshonte vetëm hajmalia e dashurisë. Dashuria e dy të rinjve bashkohej në tingujt e një kambane të vetme. Ajo ishte si një eliksir që përmbante esencën e pranverës në vuajtjet e vazhdueshme, qe i krijonin gjuhët e errëta të rendit në fuqi. Teksa rendja e dy jetëve drejtohet përfundimisht nga çelësi i qiellit që flakëronte zemrat tyre, duke i kurorëzuar me lindjen e fëmijës së parë, Mondës, së vogël.Ajo hyri në jetën e tensionuar nga zakonet dhe lufta klasore, si paqja e rrjedhshme e kroit , ku i mblodhi të gjitha zemrat e alfabetit të urrejtjes, në alfabetin e dashurisë. Ajo ndriçoi si një margaritar i bardhë në pyllin e gjelbëruar. Më pas do të priste edhe vëllezërit e saj. Nëna është një nga njerëzit më të dashur për zemrën e Besnikut dhe ngrihet në piedestal prej tij ,sepse pikërisht aty e ka vendin. Rezidenca e zemrës së saj është e mbushur me dashuri dhe mirësi. Shpirti i saj, kur thyhej prej varfërisë, shtronte në sofër bukë me ëmbëlsi nëne. Një shpirt i bekuar me zambakun e mirësisë dhe durimit. Gjithmonë ndrydhte brenda saj varfërinë, me lot të fshehura prej dritës së hënës dhe diellit. Duart e nënës provuan punët më rënda, për ti rritur me nder të shtatë zogjtë e saj, ashtu si u rritën në të vërtetë, ku në dejet e secilit prej bijve, spikasnin talente të lindura. Jeta e saj prej vuajtjeve e mundimeve nuk e pa të qeshurën e pranverës, ashtu si një jetë që duhet të kalojë nëpër ciklet e stinëve, por vetëm për epërsinë e dimrit. Nuk pranoi kurrë të ndahej nga bashkëshorti i saj i dashur për shkak të politikës, dhe i qëndroi besnike deri në fund të jetës. Poezitë që personazhi i ka kushtuar nënës, janë si yjet që qëndrojnë pranë hënës. Ikja e saj e para kohe nga kjo botë, është borxhi që i ka sistemi i kaluar kësaj nëne të mrekullueshme. Autori e rënkoi këtë ikje metë gjitha gjethet e kësaj toke. Heroi vazhdon përpjekjet për të rrezatuar gjithë dritën e krijimtarisë letrare. Me shpirtin prej divi, ai kapërcen pengesa humnerash, ku ka ditur të ngrihet duke dhënë libra me poezi dhe romanet e fuqishme. Ky shkëlqim i veprave letrare, bën që traseja e rrugës së tij të vendoset në detyrën, si redaktor i revistës “Ylli” në Tiranë. Por me pas ndodh rrokullisja për shkak të “biografisë”duke përfunduar si disenjator, përsëri andej nga kishte ardhur. Megjithatë, përpjekjet e tij për të thithur etjen e plotë të arsimimit, u kurorëzuan shkëlqyeshëm në fakultetin e gjuhë-letërsisë, ku dha shembullin e një njeriu, i cili, veç talentit mbizotëronte edhe pasioni drejtë lartësimit të dritës së diturisë. Ndonëse venat e tij kullonin talent, binomi ngritje- ulje e ndjek pas kurdoherë. Me shumë vështirësi botohet romani “Ujësinor”me një tirazh 15 mijë kopje. Një cikël poezish recitohen në televizion, më pas si një rrufe në qiell të kaltër, shkrep shigjetën e shkrimit në gazetën partiake: “ Përse duhet të recitohen poezitë e këtij autori, kur dihet cili është ai nga përbërja politike”. Kjo errësoi përsëri rrethin e qiellit me njollën e zezë të damkës. Më pas teksti i autorit,në këngën e kompozuar nga Agim Krajka ”Të kërkoj” nuk përmendej më me emrin etij. E gjithë rruga e jetës së tij përshkohet nga dritë-hijet e sistemit monist, ku montoheshin pengesat e ngritura nga marionetat injorante. Jeta është përshkuar si me kamera, ku projektimi i dritës së talentit dhe inteligjencës që ishte në genet e tij, bëri të mundur jo vetëm mbijetesën , por edhe shkëlqimin e pandërprerë si diamanti në llumrat e egra të farsave komuniste. Duelet ishin të përhershme me njerëzit e Partisë , me figura pa ngritje kulturore, pa intelektin e zhvilluar, pa arsimimin e duhur , me një aftësi të kufizuar, vetëm për t’i shërbyer kastës moniste. Bota e dhimbjes dhe terrorit psikologjik mbaroi me ndërrimin e sistemeve. Miti gjigant u përmbys. Damka e zezë u shkri si stërkalat e baltës nga shiu i kulluar i qiellit dhe dielli i frymëmarrjes së lirë, filloi të mbushte alveolat e mushkërive të panginjura për vite me radhë. Dua ta mbyll këtë shkrim me fjalët e autorit: “Gjithsekush i modeluar nga Krijuesi i madh për të njëjtin qëllim, duhet t’i jepet një shans për të jetuar si njeri mes njerëzve. Nuk ka tokë të cilën duhet ta zotërojnë disa, dhe nuk ka qiell të cilin duhet ta fitojnë vetëm disa. ” Damkosja e Engjëjve është një model i arkitekturës letrare, gdhendur mjeshtërisht nga gjëmimet, dhimbjet, vuajtjet, me shkreptimat e penës së shkrimtarit Vullnet Mato.

 

 

Vjollca Tiku Pasko

 Vjollca Tiku Pasko

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s