PETRAQ PEPPO, ME LIBRIN PËR NJË ATDHETAR TË SHQUAR / Nga: Prof.Murat Gecaj publicist e studiues-Tiranë

PETRAQ PEPPO, ME LIBRIN PËR NJË ATDHETAR TË SHQUAR

 

Nga: Prof.Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

 

1.

Kur nisa ta shfletoja librin “Themistokli Gërmenji-Kujtime”(Tiranë,2014), natyrshëm, solla në kujtesë autorin e tij, pedagogun, historianin dhe studiuesin e njohur, Petraq Peppo.

Në vitet ’50-të të shekullit të kaluar, kur e nisi jetën e vetë Universiteti i Tiranës, ku dhe unë isha student në degën e gjuhës e letersisë shqipe, të Fakultetit Histori-Filologji, po në atë ndërtesë, ishte edhe Instituti i Historisë. Ndër disa punonjës të tij, aty njoha Patraq Peppon e paharruar. Ai edhe shtëpinë e kishte afër, pra pothuajse ngjitur me Fakultetin tonë. Me atë natyrën e tij dashamirëse, megjithëse ishim me moshë dhe  krahina të ndryshme, pra ai korçar e unë tropojan, u miqësuam shpejt. Kështu, pata rastin të shkoja edhe në banesën e tij, ku gjeta ngrohtësi e mikpritje familjare.

 

th m 1

Ballinat e librit të Petraq Peppos, me kujtime për Themistokli Gërmenjin…

 

Por edhe në vitet vazhduese, kur i kreva studimet e larta dhe punova tre vjet në gazetën e kohës për fëmijët, “Pionieri”, nuk i shkëputëm lidhjet tona sepse, në atë kohë, u vendosa me banim, përkohësisht,  në konviktet e Qytetit “Studenti”, jo larg nga shtëpia e tij.

Siç është e njohur, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, shumë intelektualë, nga kryeqqyteti,  u dërguan me punë, si “vullnetarë” nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Kështu, edhe mua më dërguan familjarisht në vendlindje dhe u vendosëm në qytetin “Bajram Curri”. Tre vjet punova me rininë dhe pesë vjet kryeinspektor i kulturës së rrethit. Nga kryeqyteti, atje vinin njerëz të profesioneve të ndryshme, që i kisha njohur ose jo më parë. Ndër ta, kujtoj se pata kënaqësinë  që erdhi me shërbim miku im i mëparshëm, Patraq Peppo, por edhe prof. Bedri Dedja, prof.Stefanaq Pollo, prof. Muin Çami, prof.Bep Jubani e të tjerë.

 

2.

Gjatë takimeve tona disavjeçare, por dhe nga leximet, mësova se Petraqi kishte lindur në Korçë, më 30 qershor 1903.  Mësimet e para dhe Liceun i ndoqi në qytetin e lindjes, i cili u hap në vitin 1917. Shpejt ai u dallua për veprimtarinë e tij, në fillim, në Lidhjen “Shpresa” dhe drejtor i revistës së saj. Mori pjesë edhe në Bandën e qytetit (1920-1922).

Studimet e larta i ndoqi në Shkollën Normale të Parisit. Njëkohësisht, aty dha  lëndët e gjuhës shqipe, në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO). Në vitin 1930, u kthye përsëri në Korçë, tashmë, profesor i Liceut të saj. Më 1936, e transferuan në Normalen e Elbasanit. Për veprimtarinë e tij antifashiste, më 1940 e arrestuan dhe internuan në Bari të Italisë. Por edhe pasi e liruan e  Petraqi u kthye në Shqipëri, më 1942, përsëri e burgosën në Porto-Romano. Pas kapitullimit të Italisë, e liruan dhe mundi të jepte mësim në Liceun e Korçs, deri në çlirimin e Shqipërisë.

Në vitin 1946, Petrq Peppo ishte konsulent në Konferencën e Paqes, që u mbajt në Paris. Nga vendlindja, më 1948, atë e sollën pedagog në Institutin 2-vjeçar të Tiranës dhe më pas në Institutin 4-vjeçar. Në vitin 1956, u caktua me punë në Institutin e Historisë, po në kryeqytet. Gjatë atyre viteve, hartoi disa studime me interes për historinë e Shqipërisë. Ndër ta, me vlera të veçanta janë jetëshkrimet e figuarave të shquara të Kombit tonë, që nga Skënderbeu dhe në vitet pas shpalljes së Pavarësisë sonë. Shkroi edhe për Kongresin e Manastirit, për Kongresin e Elbasanit, për Kongresin e Lushnjës etj.  Me rëndësi ishin pjesët, që ky pedagog e studiues shkroi e botoi në librin e Akademisë së Shkencave, “Historia e Shqipërisë”, si dhe disa zëra në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”.

Për veprimtarinë e tij atdhetare, pedagogjike e shkencore, Patraq Peppos iu dhanë medalje e urdhëra të ndryshëm dhe, në vitin 1984, titulli i lartë, “Mësues i Popullit”. U nda prgjithnjë nga jeta, i nderuar dhe i respektuar nga të gjitha ata, që e njohën, në Tiranë, më 14 dhjetor 1988.

 

3.

Ja, tani po ndalemi pak në librin, të cilin e përmendëm në fillim të këtij shkrimi paraqitës. Ai i kushtohet atdhetarit të shquar, Themistokli Gërmenji. Që në hyrje të tij, është ky shënim: “Kujtime për Themistokli Gërmenjin: Sipas origjinalit, pa asnjë ndryshim, të shkruar nga Petraq Peppo, në vitin 1960”. Libri është botuar nga familja Peppo, në Tiranë dhe një kopje ma dhuroi me nënshkrimi, biri i tij, dr. Leonidha Peppo.

Në fillim të librit jepen disa të dhëna për jetën e veprimtarinë atdhetare të Themistokli Gërmenjit (1871-1917). Ai kishte lindur në Korçë dhe arsimin fillestar e kreu në vendlindje. Nga kushtet e jetës, u detyrua të emigronte në Rumani, në vitin 1892, ku punoi çirak e pastaj u mor me tregëti. Atje u përfshi në veprimtaritë atdhetare të shoqërive “Drita” e “Dituria”.

Por këtë punë të dobishme atdhetare ai e vazhdoi me përkushtim edhe kur u kthye në vendlindje, në fillim të shek.20-të e pastaj në Manastir. Me dituri dhe armë, punoi e luftoi, që të arrihej sa më parë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Pasi u realizua kjo ëndërr shekullore e shqiptarëve, Th.Gërmenji u vu në shërbim të shtetit të parë shqiptar, që u kryesua nga Ismail Qemalit, “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.

Në vitet 1914 e 1915, Themistokliu shkoi në Rumani e Bullgari, ku  e vazhdoi veprimtarinë e tij për çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Në Sofje botoi revistën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”, bashkë me atdhetarë tanë.

Faqe të rëndësishme të jetës së Th.Gërmenjit përbëjnë vitet 1916-1917, kur ai u kthye në Shqipëri. I mbështetur nga bashkëkrahinasit e tij, në fillim të vitit 1916, ai organizoi luftën e armatosur për çlirimin nga pushtimi grek të Korçës me rrethinat, por dhe më gjerë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, shfrytëzoi edhe mosmarrëveshjet e kohës, ndërmjet Francës e Greqisë. Kështu, Th.Gërmenji bëri të mundur që të nënshkruhej marrëveshja shqiptare-franceze e 10 dhjetorit 1915, duke shpallur kështu Krahinën Autonome të Korçës, e njohur dhe “Republika e Korçës”. Ky akt ishte pjesë përbërëse e qëllimit përfundimtar të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj. Për këtë arsye, ndaj tij vepruan qarqet antikombëtare shqiptare dhe arritën që Themistokli Gërmenjin ta pushkatonin, më 9 nëntor 1917, nga një gjyq i sajuar, në Selanik të Greqisë.

 

4.

Në këtë libër me 125 faqe, autori Petraq Peppo mblodhi të dhëna interesante për jetën dhe veprimatrinë atdhetare të Th.Gërmenjit. Ato i mori, kryesisht, nga bashkëshortja e tij, Evdhoksija. Kështu, janë me interes të veçantë pjesët e tij, si “Kujtimet e mia dhe dokumentet”, “Vëllezëria Thanas Gërmenji”, Hotel “Lirija”, Klubi i shqiptarëve “Bashkimi” i Manastirit dhe “Përgatitja e Kongresit të Alfabetit”.

Në vazhdimësi, flitet për arrestimin e Themistokliut e ditët e burgut në Korçë dhe për bashkëpunimin me “Shoqërinë e Zezë për Shëtim”, po atje. Me dashamirësi e fakte konkrete shkruhet për figura të atdhetarëve tanë të njohur, si Spiro Toli Ballkamenin etj.

Po kështu, përmes kujtimeve të Evdhoksisë, që P.Peppo i kishte mbledhur me kujdes e profesionalizëm, lexuesi njihet me veprimtarinë atdhetare të Th.Germenjit në Rumani e Bullgari, por dhe më pas, kur ai erdhi në Shqipëri, si në Korçë e Pogradec. Kërshëri paraqesin për lexuesit faktet e të dhanat, se si u shpall “Republika e Korçës”, cilin flamur përdori ajo, si u bë organizimi i funksionimit të saj etj.

Të dhimbshme janë kujtimet e Evdhoksisë, që janë në faqet e këtij libri, për arrestimin dhe ekzekutimin e bashkëshortit të saj, Themistokli Gërmenjit. Por më tej tregohet se edhe ajo e vazhdoi veprimtarinë e vetë atdhetare. Mori pjesë aktive në Shoqërinë e Grave të Korçës, “Përlindja”, duke u lidhur me disa shoqata të huaja simotra, po kështu në revistën “Mbleta”. Janë interesante edhe kujtimet për Pandeli Çalen, Sali Butkën, Kozma Trebickën, Vasil Tromarën etj.

Në faqet e fundit të këtij libri janë botuar disa fotografi, që e dëshmojnë një pjesë të jetës së Themistokli Gërmenjit dhe të bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve të tij.

Në tërësi, ky botim është nderim jo vetëm për këtë atdhetar të shquar, që u sakrifikua për çështjen mbarëkombëtare shqiptare, por edhe respekt e vlerësim për jetën e përkushtuar të atdhetarit, pedagogut, studiuesit e shkencëtarit të njohur, Petraq Peppo,“Mësues i Popullit”, në prag të  përvjetorit të lindjes së tij.

 

Tiranë, 6 qershor 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s