Cikël poetik nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga Vëllimi poetik ” Një shi prej bryme’

 

 

adem

Cikël  poetik nga Adem Zaplluzha

 

Shkëputur nga Vëllimi  poetik ” Një shi prej bryme’

 

 

 

ATJE LARTË TË MJEGULLAT

 

Një faltore e bardhë

Diku te retë tis

Në rrashtën e atdheut

Mbante në kokë

Më të bardhin plis

 

Atje lartë te mjegullat

Mbi një gur

Qëndronte ulur Naimi

Dhe në mendjen e tij të ndritur

Qëndiste një flamur

 

Nga pllajat e yjeve

Pikonin  36 sogjetarë drite

Dhe si delet e bardha

Shkisnin mjegullave fluturat e alfabetit

Shkisnin nëpër suferinën

E kaltër të detit

 

PËRMET, 26 MAJ 2015

 

 

 

 

KËSHTU PËRSËRITET HISTORIA

 

Sërish dramat nuk përfundojnë

Nën rrënjët e akacieve

Për çdo pesë dekada zgjohet

Një këndes i çmendur

Çmendurisht këndon

Mbi trarët e djegura të mendjes

 

Po ato erëra frynë

E s’ndalen nga të katër anët e dheut

Sërish shiu i zi troket

Nëpër degët e thyera të plepave

Dëgjohen krakëllimat e betejave

 

Një ushtri e degjeneruar

E thyen qafën

Tjetra veç këndon

Himnin e saj të trishtuar

Dhe të nesërmen

Kthehet mbi llafet të shfryer

 

Kështu përsëritet historia

Një palë njerëzish largohen

Të trishtuar si nata

Kurse pala tjetër i harron këpucët

Te varret

Dhe ikën zbathur nëpër lëndinën e vdekjes

 

 

 

 

ASNJËHERË NUK TA PAMË FYTYR

 

Edhe me varre

Je e bukur si zanat e maleve

Fusha ime e mëllenjave

Ngjan me nuset e legjendave

Që lindin vdesin

 

Dhe jetojnë me hirin

Një ditë je e mbushur me gëzime

Kurse ditën tjetër

Mbi supet e tua

I ngarkon të gjitha hallet

E një populli të përvuajtur

 

Asnjëherë nuk ta pamë fytyrën

E mrrolur

Përherë qeshe

Dhe nga vdekjet e panumërt

Ngrite përmendore të mermerta

Atyre që u shndërruan në pavdekësi

 

 

 

 

FUSHA E MËLLENJAVE

 

Nëpër këto fusha të panë

Mbinë dhe rriten lule bozhuret

Sa të bukura

Po aq edhe madhështore

Duken në gjoksin e vrarë

Dhe të çarë të Fushës së Mëllenjave

 

Mëngjeseve herët

Ngjajnë me flamujt miniaturale

Secila rrënjë që mbinë këtu

Rritet duke i stolisur fushat

Me një histori të trishtë prej gjaku

 

Valëviten lulëkuqet si kujtimet e hidhura

Janë pengu ose gjaku i gjyshërve

Që lulëzojnë në çdo stinë

Duke i stolisur dhembjet

E së kaluarës nëpër vazot e shekujve

 

Kjo fushë e bardhë me lule të kuqe

Ujitur me hingëllima kuajsh

Dhe lot nënash

Askund nuk shpërthejnë nga toka

Kaq të bukura

Se sa në shpirtin e plagosur

Të Fushës së Mëllenjave

 

 

 

KUR FUSHA E MËLLENJAVE

I SHKUND SHPATULLAT

 

I shkyçëm të gjitha shpresat

Asnjë dritare nuk hapet në horizont

Fusha e trishtuar

Noton në vetminë e natës vrastare

 

Disa korba të verbër

I mbjellin krakëllimat e zeza

Në shpirtin e bardhë

Të Fushës së Mëllenjave dënes një nënë

 

Në çdo cep të rrugës

Mbin nga një përmendore e mesjetës

Sterra fut e zezë buron

Nga shpirti i degjeneruar i Ballkanit

 

Disa hije të ngrira depërtojnë

Nëpër ashtin e thyer të atdheut

Mëllenjave si para pesë

E më shumë shekujve

Një duhmë e rënd dheu ua prush gjumin

 

Nuk flenë as korbat

Nëpër netët e zeza si zvarranikët parahistorik

Ulërin bishat e egra

Fusha e Mëllenjave i shkund shpatullat

 

 

 

 

NJË KRYQ SI LISAT ENDET

NËPËR VARRE

 

 

Një dorë e madhe pa formë

Groteske si sekreti i natës

Afrohet pranë luleve të porsaçelura

Dhe me fashat e trishtimit

Ua mbyllë gojën zogjve të natës

 

Zëri i vrazhdë i erës

I thyen xhamat

E një kornize Bizantine

Nga lagështia e mureve të mykura

Çurgon eliksiri i trishtimit

 

Dritaret me shekuj të tëra

Nuk janë hapur këtu

Edhe dyert qëndrojnë të mbyllura

Asnjë gojë njeriu s’i lëviz buzët

Nuk bëzan

As era e plagosur në shpirt

 

Një kryq si lisat endet nëpër varre

Akaciet e bardha

I shkundin lulet e para të pranverës

Dimri ishte i vështirë sivjet

Për disa vite i ngriu ullukët e çative të djegur

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s