Poezi nga Rami Kamberi
MES DASHURIVE PA DASHURI
Dikur diku pa hir
Preka dashurinë me fjalën të dua sa zana e malit
Që gurin e plas me një puthje
Iu kuqësua fytyra, shpirti iu trazua
Shtati i dridhej, sikur nga brenda i frynte era me tërmete
Me zërin e heshtjes, të erdha
Si vetëtimë më ra mbi shtat, e lëshojë rrënjë lumturie
Në pranverën e mashtrimit tim, kur jetës marshoja mes dy dashurive
Sot, nuk kam guxim
Karshi asaj lumturie, jam një dashnor i vdekur pa gur mbi varr
Ajo, flamurtare lumturie mi prek rrudhat në ballë
Ku mbet pendimi, që më vret dalëngadalë.
PARANDJENJË E FRIKSHME
Sytë u trishtuan
Shikimet u lidhën nyje, kur një pikë helmi
Ra mbi djepin, që prite lindjen e vonuar të shtatzënisë së bekuar
Në fyt, fjala përdridhej
Sa tinëzake është vdekja, kur lindjen e pi si dritën terri në mesditë
Kur dielli mes mjegullave kotet
Parandjenjë e frikshme
Folën gojët, para jetës që edhe heshtjen e bënë të çmendet
Kur erë morti i vjen truallit
Një ditë do të çmendet edhe trualli, foli koka e plakur nga mençuria
PËR TË IKUR NGA KJO BOTË…
Nga ajo që kam shkruar
Vetëm germat e para mbetën hieroglifi, si shtati pa gjak
Nëpër librat e mi, të rrahur nga stuhitë e të prekura me flakë
Hi, u bënë prozë e poezi
Për të ikur nga kjo botë, për të arritur atje ku banojnë liritë
Me bukuritë e fjalës, marr nga toka që e bekuan perënditë
Të lulëzojnë si yjet në qiell, për jetët e tokës që u duhej dritë
Edhe unë
Matem ta marr këtë rrugë, për bukurinë e tokës që më pagëzoj
Bashkë me vdekjen, që ma do plakjen duke më kafshuar plagët
Me lojë shejtanësh e hile xhindesh, pse sehiret ua trazoj
Dua të nisem
Por një dashuri me bukurinë e syve më lidh për ngjyrat e kësaj toke
Si yjet qielli që i mban
Do t’i mbetem dhe, bashkë me germat e librat me ngjyrat e kësaj bote.
QË TA KTHEJ PRAPË KOHËN
Kishte zbritur nga qielli
Për të bekuar jetën e djepave
Që vdekja i mbante mes dhëmbëve, me një grusht fjalësh
Mbi magjitë e shejtanit
Hanin mishin e vet shtrigat, që ia kishin sosur jetën lindjes
Deri në udhëtimin e fundit, ku sofra vizaton urinë
Buka që kërkonte jetën, si në lashtësi
Mbet me ngjyrën e kuqe, si toka me ngjyrën e vet
Që e shkelin marshimet, duke i fshehur këmbët nën hijen katili
Sytë e gojët ishin ndalur
Për të shikuar engjëllin e zbritur nga qielli, me bekimet
Të harruara nga udhëtimi i parë e të plakurat diku mes harresës
Me njëmijë mistere
Që ta kthej kohën
Bekoi ballët rrezearta, që rinin mes zanave në sheshin e lavdisë
Bashkë me motin, që përtypte urinë e vdekjen nën qiellin pa re.
PËR DASHURINË E TOKËS TONË
Thanë
Zbrita nga qielli, të preki tokën
Nënë
Mu aty ku të takoi lindja, duke bredhur pas fatit
Me etjen në buzë e urinë në bark
Kur në fytyrë
Të goditnin fjalët e damkat të vizatoheshin në shtat
Të erdha
Ditën kur Zotit i luteshe, me lutjen e mbetur mes gjakut
E imja është, se jap dot lindjen e re
Edhe po të bien të gjitha zjarret e ferrit, mbi ketë dhe
Të erdha, të gjithë thonë nënë
Unë
Biri yt, bekuar nga perëndia për dashurinë e tokës tonë .