Poezi nga Mite Tabaku

mite tabaku

 

Poezi nga Mite Tabaku

 

 

 

Buzëqesh

 

Buzëqesh o bukuri e një thjeshtësie të frikshme

E lëre zanin tand ndër qiej të kumboi

E ndoshta frymë e flladit që ty t’përkëdhel

Bukurin e tij veshëve t’mi do t’ua dërgoi…

 

Buzëqesh o vepër arti e Asaj dore hyjnore

E lëre zjarr të shpirtit të derdhet përmbi tokë

Buzëqesh o relikt e natyrës njerëzore

Engjëjt t’kan fal pasurin ma t’madhe n’kët botë!

 

Buzëqesh o kënga më e ëmbël e jetës

Që n’pavedij shpirtin ma ushqen

Buzëqesh fuqishëm prej atje tej ku strukesh

O notë e mrekullushme që kufijt m’i then…

 

Buzëqesh o shpresë e një ëndrre të fikun

E hov t’gazit asnji cast mos e ndal

Buzëqesh o shpirti i një zemre fisnike

Se ajo buzëqeshje më bën t’ndihem gjall…

 

Buzëqesh! Dhe kur s’munesh ti buzëqesh

Jo për vetin tand po për syt e mi

N’at ujvarë t’buzqeshjes tënde

Un lind – vdes – ringjallem përsëri!…

 

 

 

 

Hesht!

 

Hesht!
Mos hidh gurë mbi shpinën

ku plagët gulcojnë e djegin hor prej shekujsh.
Sonte hesht paç Perëndi!
Më dhembin sytë të shoh si transformohesh

kur vjell mbi mua helmin që të vlon në gji.
Moooos. Të lutem hesht.
Ja po të gjunjëzohem n’përulje eshtrat për t’i puthur,

veç gramafon t’urrejtjes ulja zërin mor mik.

Më bie në zemër si plumb i armikut

kënga që merr hov n’tëndin shpirt. Mos e qit!
Ohhh! Hesht!
Në paç ndopak ndjesi njerëzore,

mos pështy më mbi ndjenjat e mia,
Këmbgjakosur, gjithë jetën, u zvarrita

folen e shpresës mbi sup t’zhgënjimeve me e ngritur.

Hesht-t-t, mos bë zë o shpirt i lebetitur.
Hesht!
Veç sonte mbylle rubinet të djallzisë tënde,

kët pakëz mirësi në mua mos e vra.
Mos nxirr zë,
Lërmë me gjak yjesh sonte të dehem
E nesër të rizgjohem sikurse një ndër ta!!!

 

 

 

 

Jeta ime

 

Kjo jeta ime është bosh,
Një boshësi e bukur deri në dhimbje,
Si një këngë e ndërprerë
Nga lot’ i virgjër qiellor
Që kapitullon mbi sy të tulatur ëndërrimtarësh,
Pafundësisë së këtij mjerimi dezertor…

 

Kjo jeta ime është asgjë,
Një asgjë që riprodhon vetveten
Mbi shtretër shpirtrash pa identitet
Ku dhimbja shtron çarçafët e bardhë
Teksa shpresa në qiell të besimit kryen vetvrasje…

 

Kjo jeta ime është një gënjeshtër,
Rren e ngjizur nga puthje mëkatare
Braktisur në boshllëkun e një ekzistence mosekzistuese…

 

Ah!
Kjo jeta ime,
frymë e asfiksuar sirtareve të Fatit…

 

 

 

 

Ëndrrat e mia

 

Ëndrrat e mia,
Krisht i kryqëzuar mbi kryq të shpresës,
një pikë loti ku mbytet gjithësia,
thërrmija kockash në bark të kufomës jetë.

 

Ëndrrat e mia,
flen në gjoks të fatit,
si gërmëzimet mëshiruese të një lypsari,
e rilindin brenda një klithme.

 

Ah!
Ëndrrat e mia,
hi i një shpirti ëngjëllor
humbur hapësirës së asgjësë tokësore…

 

 

 

Qënie në miniature

 

Njerëz mediokër
Mendje mbushur plot asgjë,
Shpirtra të ndyrosur,
Ekzistenca që s’vlejnë asnjë kacidhe, asnjë.
Fjalë në erë,
Premtime boshe,
Betime që shkëlqejnë neveri,
Shikim-prekje gënjeshtare,
Imazhi jot lartsohet përmbi.
E hesht,
Ti s’mundesh zë të nxjerrësh,
Të ulërish a ke fuqi?
Unë shpirtin e kam shtrat të pastër
Po zemra jote sa ka kaluar përmbi?
E qaj,
Ti s’mund të qeshësh,
Ngërdheshja perfekte sonte s’të vjen,
Çapkën që krenar hargalisesh,
Kënd tjetër veç vetes jo nuk gënjen.
Mbijeto,
Meqë s’ke guxim të vdesësh,
Kalo në zi ditët që kurrë s’do vinë,
Ti besimtar i moraleve kalbëta,
Ti i devotshëm martuar me tradhtinë!

 

 

 

 

Vetvetes

 

Vetvetja ime ku më je?

Më ka marrë malli të të shoh.

Në këtë botë veten se gjej,

Mos më braktisë, askënd nuk njoh.

 

Vetvetja ime ku po strukesh

Këto ditë gri të jetës sime?

Në mundsh, në daç, eja më tako

Zemrën e vrarë mos e lër jetime!

 

Vetvetja ime po të presë

Gjunjë gjakosur në rrugën “kurrkund”

Në prehrin tënd eja më merr,

Në mos ardhç, dije më ke humb!…

 

 

 

 

Dashuri që pa ardhur, shkon…

 

Breshëri e florinjtë lotësh
ra nga qiell i syrit tënd,
Ku i derdhe, i braktise?
Në ç’det? Në ç’kohë? Në ç’ajër?
Oh! Sa dhëmb…

 

Trak e truk ky shi lotësh
dirigjonë një simfoni,
ushqen zemrën buzëplasur
me një dashuri që kurrë s’do të vi.

 

Shi e lotë kjo natë puth sonte
Pi me ty e pi me mua
Vallzojmë tangon tonë të fundit
me harrimin përqafuar…

 

Pluhur i padukshëm lotësh
ngecur brenda syve të mi
Dhembja sot të bën të çmendur
Lot, jo wisky, shpirt po pi
(lot veç lot, lotët e mi…)

 

Në shtretër lotësh ëndrra qanë
këngë që shpirtin ma trazon
Në timin lot do prehesh sonte
Dashuri që pa ardhur, shkon…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s