Valter Dauti: Po të mos ishte Dritëroi, sot do të isha ngrysur veteriner. / Bisedoi: Raimonda Moisiu

Valter1

Valter Dauti: Po të mos ishte Dritëroi, sot do të isha ngrysur veteriner.

 

 

Valter Dauti u lind në Luaras të rrethit të Kolonjës në 12 tetor 1962. I prirur drejt letërsisë dhe nën ndikimin e poetit të mirënjohur Dhori Qiriazi, njëkohësisht edhe mësues letërsie në gjimnaz, botoi në organet e shtypit të kohës, Gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori”, organe këto të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Periudha e viteve 1984-1989 është një periudhë kur autori u afirmua qartë në organet e shtypit të kohës, duke marrë pjesë gjallërisht në jetën kulturore, sidomos në jetën e fakultetit ku studionte. I emëruar në vendlindje e më vonë, pas viteve ’90, si mësues në Zgjanë të Lushnjës, Kosovë, Gorre, Savër dhe Lushnjë, pasqyroi artistikisht, gjithmonë problemet sociale të shoqërisë shqiptare, duke u prezantuar si një penë e rreptë dhe e veçantë në radhën e krijuesve shqiptarë. Aktualisht, punon si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë në gjimnazin “Vath Koreshi”, në qytetin e Lushnjës.

 

 

1-raimonda

Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

 

 

Disa vëllime me prozë dhe poezi, romane dhe tregime, që dëshmojnë gjithnjë e më shumë se jeni ndër autorët e mirënjohur. A ka diçka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë shkrimtar?

 

Padyshim që jo vetëm fëmijëria, por e gjithë jeta e një shkrimtari është shumë e rëndësishme në atë që quhet proces krijues. Rruga nis të ravijëzohet, duke u tretur në një të vetme rrugicat e çiltra dhe çamarroke të fëmijërisë. po të shikosh me kujdes tek çdo artist, i madh apo i zakonshëm qoftë (për mendimin tim nuk mund të përdoret termi artist i vogël, sepse bie ndesh me fisnikërinë e kulluar të estetikës artistike), fëmijërinë e ka përherë të pranishme në veprën e tij, sigurisht të transformuar artistikisht dhe në funksion të mesazhit. Mund të them që kjo prani i jep edhe autorit edhe lexuesit një katarsis, një aromëz që zbut dhe legjitimon të ashprën e pranishme. Në fëmijërinë time unë kam lexuar gjithçka që më binte në dorë. Kopjoja mënyrën e të lexuarit të heronjve të letërsisë, tërhiqesha në një cep të vetmuar dhe lexoja, lexoja pa një ide të qartë se përse lexoja. Sigurisht kështu krijohej një bagazh i çrregullt, dhe kështu do të ndodhte duke lexuar që në moshën 13-vjeçare “E kuqja dhe e zeza” pas “Taras Bulba” apo “Ujërat pranverore”. Nga më të rriturit në familje, lexues të rregullt por edhe nxitës për mua, më ra në dorë Esenini. E kam lexuar disa herë i mrekulluar. E recitoja nën zë dhe mahnitesha. Pëlqeja Lasgushin e mrekullueshëm, por më dukej i largët hera-herës, i ftohtë. Kështu do të ndodhte. Lasgushi kërkon një lexues tepër të kualifikuar për ta kuptuar. Vetëm pas gjimnazit, në universitet, nisa të mrekullohem me Lasgushin e madh. Shtysë tjetër në formimin tim ishin këngët popullore. Ne kemi këngë të mrekullueshme. Si të mos më bënte për vete, madje ta këndoja edhe vetë, aq sa dija të këndoja, strofën e mrekullueshme:”Se ç’ta ndjeva zërin, ç’t’i dëgjova çapet\natën tek më vije, zbathur në çorapet…”?Kështu nisa të shkruaja vjershëzat e para dhe t’ia jepja me ndrojtje të madhit Dhori Qiriazi, asokohe mësues letërsie në rrethinat e qytetit të Ersekës. Dhori, po dihet. Me zemrën më të madhe se e gjithë pllaja e Kolonjës, duke futur brenda edhe malin e Gramozit, kënaqej duke lexuar dhe qortonte kujdesshëm për të mos lënduar. Sot tek ripërtërij një pjesë të bisedave me poetin Dhori Qiriazi, e kuptoj shumë mirë se poeti me një mënyrë të mrekullueshme, më shumë më ka qortuar se sa më ka lavdëruar. I goditur vetë nga sistemi, siç duket, ai e dinte fare mirë se ç’ishte një plagë arti.

 

A ju kujtohet kur ju së pari keni shkruar një poezi, tregim apo ndonjë gjini tjetër dhe i keni thënë vetes: Ja dola! Kam krijuar diçka që është me të vërtetë krijimi im. Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?

 

Është shumë fëmijërore, por gjithsesi po e them. Dashuroja një vajzë. Më mirë të them më pëlqente dhe e mbylla brenda shpirtit. S’mund të lejoja askënd që ta prekte, gjithmonë duke ëndërruar i vetëm, mesazhi i vetëm që mund t’i kem dhënë është vetëm ndonjë drithërimë shpirti, belbëzim të hutuar, i bindur se ajo e dinte ç’ndieja unë. Por jeta është shumë më e gjerë se sa hapësira e shpirtit të një njeriu. Vajza iku, u transferua në një qytet tjetër me prindërit. Unë mbeta aty duke shkruar një poemë, nën ndikimin e Gëtes-”Vuajtjet e djaloshit Valter”. Isha vetëm katërmbëdhjetë vjeç. E kam mbajtur atë krijesë me vete edhe kur shkova në universitet si një balsam për plagën e hershme. Më pas, dihet, jeta lind dashuri të reja dhe të bukura që kanë brenda edhe pafajësinë edhe pjekuritë e moshave. Para se të vija në universitet kam botuar te “Drita” dhe te “Nëntori” poezi jo të dobëta. Madje para se të shkoja në universitet, me rekomandimin e Lidhjes së atëhershme të Shkrimtarëve, kisha gati për botim librin tim të parë që s’doli kurrë, për arsye të një grindjeje me redaktorin e librit, në “Naim Frashëri”. E them me bindje se në rast se nuk do të kishte ndërhyrë Dritëroi në Ersekë, duke nisur një të drejtë studimi nga Lidhja e Shkrimtarëve, do të isha ngrysur veteriner. E kam takuar vetë Dritëroin në zyrë, sapo kisha mbaruar gjimnazin e Ersekës, më kishin qethur kokën zero, sepse isha në moshë për të kryer ushtrinë. Ende rrënqethem nga dora e Dritëroit mbi flokët e mi të qethur zero dhe fjalisë së tij: ”Mundohu të mos ikësh ushtar, shpjeri një dash atij kryetarit të degës, se në shtator do vish në shkollë, këtu në Tiranë…”

 

Në tërësi ju jeni një autor i shëndetshëm, profilik, me besimin solid për jetën; megjithatë herë-herë vihen re doza melankolie të ndjeshme, Si bashkëjetojnë optimizmi me pesimizmin te ju?

 

Kjo bashkëjetesë, herë duke mbizotëruar njëri dhe herë tjetri, pa gjetur asnjëherë mirëkuptim të plotë, është e domosdoshme sepse nuk e le njeriun të qetë, të jesh i qetë do të thotë që të jesh në gjysmëmgjumë. Të jesh në gjysmëgjumë do të thotë të mos kërkosh dot diçka më tepër. Dhe nëse kërkon, edhe mund të dështosh përkohësisht. Nëse dështon melankolia dhe pesimizmi nuk të ndahen, kjo do të thotë që duhet të ngresh sërish furtunë shpirtërore, për të arritur aty ku deshe. Melankolia, pesimizmi janë bashkudhëtarë të optimizmit në jetë. Jeta i kërkon dhe i do të gjitha. Pastaj, pëlqimi i një krijimi artistik dhe mospëlqimi i një tjetri është subjektiv, është subjektiv në kuptim më të gjerë kohor, koha herë pëlqen optimizmin dhe herë melankolinë. Krijuesi duhet ti shprehë në art këto ashtu siç janë. Krijuesi asnjëherë s’mund të jetë plotësisht i shëndetshëm dhe solid, edhe pse vetë është gjallesë, edhe pse shkruan për gjallesat, të cilat janë shumëformëshe nga shpirti.

 

Libri tuaj me tregime e novela “-Rënkimet e bregut tjetër”, dallohet për strukturën narrative dhe imagjinatën letraro-artistike, mes tradicionales, modernes dhe post-modernes. Prozë që nuk është fantazi, por është bota e brendshme njerëzore, e cila dëshmon më së mirë edhe penën tuaj të prozatorit. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?

 

Ky libër ka brenda një periudhë kohore të gjatë, për shkak të pamundësisë ekonomike të botimit. Kjo do të thotë që aty janë përfshirë turbulenca shpirtërore të ndryshimeve jetësore personale dhe më tej. Ndaj edhe ka një kraharor të gjerë dhe mendoj se frymëmarrja nuk ia thyen brinjët. Aty ka fantazi artistike, ka personazhe reale që janë skalitur në funksion të ideve, ka pak realizëm magjik e pak romantizëm, të domosdoshme për tematikat që bart. Njeriu është edhe i mirë edhe i keq, edhe mendon, edhe priret instinktivisht, sepse vetë jeta është e bukur por edhe e vështirë, vetë jeta të ndjell të ecësh por edhe të zvarritesh. Kështuqë, misioni i të shkruarit nuk është i lehtë. E rëndësishme është që njeriu të jetë i mirë, dhe po s’është i tillë, të bëhet. Mendoj që më shumë se letërsia, këtë gjë nuk mund ta bëjë dot asnjë lloj tjetër forme.

 

Unë veçanërisht, do të përmendja librin tuaj më të fundit, “Gruaja që zbukuronte të gjitha moshat” me tregime e novela, por që pati jehonë në letrat shqipe, por dhe mjaft i vlerësuar nga kritika e kohës. Çfarë ju tërhoqi për të shkruar këtë libër me prozë? Përse ky titull?

 

“Gruaja që zbukuronte të gjitha moshat” u nis dhe përfundoi me idenë e strukturuar të një romani, roman të cilin unë s’guxova ta quaja kështu as në kopertinë. Shumë dashamirës e kanë quajtur roman, një roman që po ta krasitësh pak tematikisht radhitet në krijimtarinë time më të mirë. I prirur drejt idesë se mëmësia e jetës është produkti më i rëndësishëm në planetin tonë në drejtim të ruajtjes dhe përtëritjes ekzistenciale dhe jo vetëm kaq, por është burimi i mirësisë, kënaqësisë, i brishtësisë, madje edhe i diplomacisë dhe urtësisë, jam munduar të prek në gjirin e shoqërisë njerëzore. Edhe nepërka lind të vegjël me anë të vezëve, lind nepërka të vogla që edhe pse të vogla, emrin e kanë nepërka. Le t’i lemë gjallesat e tjera të ndërtojnë jetën e tyre, ashtu siç duhet të ndihmojmë femrën, t’i lejojmë asaj të përtërijë jetën pa e fyer, pa e anashkaluar; njeriu është produkt i saj; ajo e rrit në trup, ai është një pjesë nga trupi i saj që e shkëput me dhimbje për t’i dhënë jetës jetë. Është paradoksale, që të dish se në jetë të ka sjellë një femër dhe të kërkosh të dominosh. Gruaja është e bukur kur është çupkë e dashuruar, është e ndjeshme dhe e mençur kur lind dhe rrit fëmijë, është simbol i urtësisë kur bëhet gjyshe. Më thuaj, kam të drejtë apo jo kur përgjithësoj dhe them se gruaja i zbukuron të gjitha moshat? Për botimin e tij, dhe jo vetëm të tij, por të gjithë krijimtarisë më kanë ndihmuar miqtë. Unë kam shumë miq. Nuk kam arsye pse të mos kem miq. Gjithë shoqëria njerëzore funksionon normalisht vetëm mbi parimin e miqësisë së ndërsjelltë.

 

Ju shkruani poezi. Madje keni botuar disa vëllime me poezi; “Pak nektar”, 1988, “Parajsa nuk është e virgjër”, 2000, “Moshë e çmendur”, 2011. Cila ka qenë poezia e parë, kur dhe si lindi ajo?

 

Mendoj se krijimtaria fillimisht nis me poezinë tek çdo autor. Edhe nëse mund të ketë prozatorë që s’kanë shkruar asnjë varg, shkëndija e parë në ndërgjegje është dhënë nga poezia. Kjo sepse ajo është më fine, më lajkatare, më ngacmuese përsa i përket procesit të krijimit. Proza vjen atëherë kur ke jo vetëm shumë për të thënë dhe kërkon t’i thuash, por kur ke akumuluar në palimpsestin personal shumë përvojë. Poezia është fluide, kërkon më shumë mund dhe djersë për ta shkruar, por është edhe kryeneçe, pa qenë i pranishëm frymëzimi ajo lind bastarde, çasti ka shumë rëndësi për të, nëse ai çast nuk kapet, shkëndija vdes, transformohet në një shkëndijëz tjetër por kurrë si e para. Poezia kërkon shije fine, si në të shkruar edhe në të lexuar, shijimi i poezisë është process i gjatë i formimit estetik te njeriu, prandaj edhe masa e lexuesve të poezisë është më e tkurrur se lexuesit e prozës. Krahasuar të dyja, proza është më e ashpër, është më e çlirshme, ka më pak rregulla, kërkon më pak zjarr prodhues dhe më shumë kohë të qetë, poezia shprehet në ndezje e sipër të vetëdijes, një ndezje që mund të jetë fare e shkurtër. Do të thosha se proza vjen nëpërmjet rrugës së poezisë, e ka çelur ajo e para shtegun. Më pas ajo bëhet preferencë. Ata që shkruajnë prozë “kanë dështuar” në poezi. Kur ke prodhim në poezi, mundohesh të klasifikosh cilësinë e këtij prodhimi. Unë nuk e mbaj mend cila ka qenë poezia ime e parë. Besoj se nuk do të ketë qenë e bukur. Besoj se ndërgjegjja ime do ta ketë klasifikuar si thjesht një provë.

 

Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

 

Poezia nuk është e rastësishme si pjellë, motivi fle dhe zgjohet papritur, shkëndijon dhe ky është çasti kur duhet hedhur në letër, ashtu bruto. Ka pasur raste që unë kam thurur poezi në gjumë e sipër. I jam rikthyer për ta latuar dhe për t’i dhënë formën përfundimtare, po në gjumë. Të nesërmen ajo është kthyer në një krijesë të vagullt, të cunguar, sado që jam munduar t’i jap frymën e ëndrrës, kur u krijua, ka qenë e pamundur. Vendi më i preferuar për të shkruar poezi gjendet nga vetë poezia. Ndërsa me prozën është ndryshe. Ajo kërkon domosdoshmërisht pak komoditet, detyrimisht edhe kohë më të gjatë.

 

Ju shkruani lirika dashurie, që me vargjet tuaja ilustroni dashurinë njerëzore. Çfarë ju ka shtyrë për të shkruar lirika të tilla?

 

E gjithë jeta duhet të jetë një lirikë e bukur, një lirikë që të fytyrëzohet me brumin e dashurisë njerëzore. Jo vetëm pse jeta është shumë e shkurtër, por edhe sepse ajo duhet zbukuruar me fisnikëri, duhet përsosur. Pastaj, kur shkruan lirika ndjehesh shumë më mirë shpirtërisht, më i mirë dhe më lirë. Dhe njeriu kur ndihet i tillë duket sikur ka jetuar dy jetë. Nga ana tjetër, kjo lidhet edhe me temperamentin. Unë jam një sanguine i pastër që nuk le dot dy gurë bashkë. Edhe kur në krijim kam nota melankolie do të thotë që s’rri dot rehat as me veten time, e qortoj, e shaj, i kërkoj asaj më shumë, sepse koha rrjedh pamëshirshëm.

Çfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

Muza është bërthamë gjenetike që aftësohet me punë duke e kulturuar vetveten estetikisht, duke e fisnikëruar shpirtin për të prodhuar pastaj art të bukur. Muza fle dhe zgjohet gjithmonë te poezia.

 

Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?

 

Njeriu lind dhe rritet në një qytetërim të caktuar që edhe e zgjedh vetë, por edhe ia zgjedhin. Gradualisht, duke e ndierë veten edhe pjesë, edhe jo pjesë e këtij qytetërimi, merr përsipër rolin e zëdhënësit intelektual, për të ndryshuar atë që është ndërtuar keq. Këtë rol nuk e kryen duke dalë në tribunë, por zgjedh mënyrën më të lehtë dhe më të përshtatshme për të-artin. Toni qytetar i ngjizur artistikisht ndikon më shpejt dhe më butë tek ajo që duhet rikuperuar. Prandaj edhe poetët janë në pararojë të lirisë dhe dhe përparimit. Ata janë të prirur gjenetikisht të jenë në krye, madje aq në krye sa ndonjëherë ndodh edhe të krijojnë keqkuptime rastësore.

 

Letërsi artistike, poezi, publicistikë, dhe eseist. Në cilën prej tyre ndjeheni më mirë? Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë, apo nga proza në vargje?

 

Ju thashë pak më lart se proza të lejon të thuash shumë, por kërkon kohë të gjatë. Poezia është më e drejtpërdrejtë dhe ndikon më shpejt estetikisht. Kështuqë, sipas kohës në dispozicion të lexuesit, artisti duhet të japë mesazhet te njeriu me të gjitha format e mundshme. Të mos harrojmë se koha në jetën e njeriut është e shenjtë dhe e shtrenjtë. Poezia komunikon më drejtpërdrejt në kohë, është më telegrafike, ka vetinë të prekë më lehtë dhe më shpejt. Proza është më e ngadaltë në ndikim, për vetë natyrën e saj të përpunuar gjatë. Sigurisht të dyja kërkojnë talent dhe përkushtim, poezia do mjeshtëri dhe përqëndrim estetik, proza kërkon kohën e saj në kompozim, nuk mund të jetë aq telegrafike sa poezia. Jo më kot sot, duket një gërshetim i gjuhës së të dyjave. Kjo ndodh që përjetimi estetik i lexuesit të jetë më i plotë, ndonëse ato asnjëherë nuk mund të zëvendësojnë plotësisht njëra-tjetrën.

 

Valter, ç’do të thotë për ju të merresh me art dhe letërsi?

 

Të shkruash poezi, për mua do të thotë që hera-herës të qëndrosh larg njerëzve të përditshëm, të qëndrosh larg jo sepse nuk je pjesë e së tërës, por sepse ke mundësinë që të perceptosh detaje nga një këndvështrim tjetër, këndvështrim ky që e ka të domosdoshme largësinë. Ndërsa të shkruash prozë, duhet të jesh gjithmonë tërësi me njerëzit, brenda asaj që vlon apo që e shqetëson shoqërinë njerëzore.

 

A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?

 

Pasi kalon një kohë jo e shkurtër në procesin e krijimtarisë, shkrimtarit, komunikimi artistik i kthehet në profesion. E ndjen veten të detyruar të komunikojë me lexuesin, në rast se hesht, i duket se nuk po jeton atë që duhet të jetojë. Ky komunikim kthehet në një detyrim pse jo, edhe reciprok. Lexuesi ka të drejtën të pyesë:”Kohët e fundit sikur s’po na shkruan më…”!Është pikërisht ky detyrim që krijon një marrëveshje të heshtur dhe kur arrihet kjo pikë, mund të themi që artisti le në ndërgjegjen e bashkëqytetarëve të vet gjurmë të cilat kanë ndikimin e tyre. Ky mision është mirë që të realizohet me atë zhanër tek i cili shkrimtari e ndien veten komod në komunikim. Ky komoditet pasqyrohet nëpërmjet qëndrimit të lexuesit dhe kritikës. Me që ra fjala për kritikën, ajo sot pothuajse ka shterur, është manipuluar, nuk zbërthen vlerat e vërteta, është kthyer në një ombrellë të klanizuar. Libra të tërë, të botuar privatisht pa ndonjë kriter artistik, me vlera dhe pa vlera, trumbetohen si kryevepra botërore nga kritikë të porositur enkas, thua se letërsi mund të shkruajë kushdo. Kjo çorbë-letërsi –kritikë, ka ndikimin e vet jo vetëm në zhvillimin e mediokritetit që s’lejon përsosmëri kur e dobëta quhet e shëndetshme, por edhe në nivelimin e vlerave. Të vjen mirë kur gazeta lokale e kombëtare i përkushtojnë pak vend letërsisë në faqet e tyre, por të tmerron fakti kur shikon që përkrah Lasgushit botohet një cikël apo një tregim i dobët, pa vlera artistike, botohet thjesht nxitur nga marrëdhëniet shoqërore midis botuesve dhe autorëve. Ana tjetër e medaljes-shkrimi i kritikave të porositura-e çorienton dhe e shpie drejt shkërmoqjes kritikën në tërësi. Ka pak ose aspak kritikë të mirëfilltë sot.

 

Pas disa librave shumë të suksesshëm për të shkruar prozë dhe poezi , me shkrim të qartë e gramatikisht korrekt, cila është lidhja midis veprave tuaja?

 

Poezinë tanimë e shikoj me një sy më të kujdesshëm. Tek iu rikthehem librave të mi, vë re se kam pasur mundësi për të punuar më bukur. Poezia është tekanjoze, kërkon shumë frymë dhe shumë punë, një fjalë e vetme e vendosur aty ku s’duhet, i humbet vlerën, ia shëmton fytyrën. Poezia është krijesë e gjallë, ka nevojë për gjithçka që ka nevojë një krijesë, ashtu siç do formën e përkryer, tingëllimin, zërin e jashtëm dhe të brendshëm, ashtu kërkon edhe ledha, edhe kozmetikë, edhe shpirt, edhe hare, edhe trishtim. Në prozën time të fundit jam përpjekur jo pak që të fut elemente të poezisë, sigurisht jo aq sa të shfytyrohet zhanri, sepse pastaj shfytyrohet vetë vlera. Në vargjet dhe prozën time është e pranishme jeta, fëmijëria, e sotmja dhe e nesërmja.

 

A keni përjetuar fëmijëri të lumtur? Kush është poeti e prozatori Valter Dauti për audiencën e lexuesve?

 

Aktualisht unë jap mësim në gjimnaz, në qytetin e Lushnjës. Aktiviteti i përditshëm mes nxënësish, miqsh që shkruajnë dhe nuk shkruajnë por që janë dashamirës, krijon gradualisht një audiencë dashamirëse. Janë një sërë shkrimtarësh në qytetin tim që komunikojnë artistikisht me njëri-tjetrin. Përmend këtu shkrimtarët Faslli Haliti, Fatbardh Rustemi, Kozma Gjini, Elmaz Qerreti dhe shumë të tjerë që krijojnë një vatër të ngrohtë artistike me promovime vlerash të vërteta artistike dhe botime të shpeshta në shtypin periodik. Ndihem shumë mirë mes miqsh të tillë.

 

Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme letrare?

 

Kush shkruan shumë ka edhe huqe shumë. Unë kam familje, kam dy vajza të mrekullueshme studente, që krenohen hapur me babain. Bashkëshortja është e vetëdijshme dhe e kënaqur me ato që mund të quhen huqe. Kështuqë gradualisht, krijohet një lloj statusi i ligjëruar në familje. Kjo është mbështetje e domosdoshme për një shkrimtar. Nga ana tjetër, lexuesi im që u afrua ngadalë në krijimtarinë time, i kujdesshëm për atë që i pëlqen dhe për atë që s’i pëlqen, të ndjek hap pas hapi dhe reagon edhe atëherë, kur ty të duket se ka heshtur. Ky lloj reagimi është mbështetje shpirtërore dhe gjykim, nxitje për të kërkuar të bukurën dhe kujdes për moszhgënnjim. Çdo shkrimtar e ka të domosdoshëm publicitetin e veprës së tij te lexuesi, në të kundërt fillon të heshtë dhe të tkurret brenda guaskës personale;ajo ç’ka do të shkruajë më pas i ngjan një bime të rritur në hije, pa diell dhe dritë. Atje ku mungon drita, gjithçka projektohet gri pastaj.

 

Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?

 

Kam një vëllim poetik të përfunduar dhe një në prozë. Besoj se së shpejti lexuesi do t’i ketë në dorë. Nuk ju thashë se, më është bërë si zakon, që prodhimet ti publikoj të binjakëzuara. Katër librat e fundit kështu janë prezantuar, dy e nga dy. Kam në proces krijimi një roman, gati në përfundim, megjithëse nuk e di ende nëse do të kem guximin ta botoj. Jo se nuk jam i guximshëm, por një roman ose është i realizuar artistikisht më mirë se krijimtaria jote deri para tij, ose është dështim. Nëse një vëllim poetik mund t’i ketë të tri nivelet artistike brenda, nëse një vëllim me tregime mund t’i ketë të tri nivelet, një roman mban brenda vetëm një nivel. Nëse mjalti që ke shpërndarë më parë, tani nuk arrin në esencën e qumështit të bletës, ajo ç’ke arritur deri në çast, rrënohet dhe e humbet shkëlqimin artistik. Këtë do t’iu sugjeroja edhe talenteve të reja. Procesi i të krijuarit është i vështirë, kërkon sakrifica, netë pa gjumë, nuk është profesion si të tjerët, të krijon vuajtje, sepse nuk t’i jep frutet lehtë. Sot shtypi duket sikur është tejet i lirë, të krijon mundësi prezantimi, por kjo nuk është gjithçka. Përfitimet e klaneve që menaxhojnë, organizatat shoqërore, politike dhe ekonomike çoroditin nivelet artistike dhe i barazojnë padrejtësisht. Talentet e reja, duke botuar krijime pa nivel, përkrah një krijimi me nivel, nivelojnë edhe vlerat. Kjo nuk dëmton lexuesin, sigurisht, por vetë talentin tek i cili krijohet një ego barasvlere.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s