Forma e përfytyrimit panegjirik të poezisë së Adem Zaplluzhës / Nga Dr Fatmir Terziu

Forma e përfytyrimit panegjirik të poezisë së Adem Zaplluzhës

 

 

fatmir

Nga Dr Fatmir Terziu

 

Forca e përfytyrimit poetik në profile të ndryshme poetësh po vihet gjithnjë e më shumë në mënyra të ndryshme. Përfytyrimi, kjo “magji” poetike tashmë është në një rend më të zgjeruar, ku dikush e zgjeron atë në një linjë si linjë fabule, dikush e shoqëron si udhëjetë idesh e mendimesh dhe dikush tjetër thjesht si shoqërim fjale. Dhe, në të gjitha rastet, përfytyrimi është i pasur. Por në mjaft të tjera, këto sigurisht raste më të veçanta, përfytyrimi merr forma panegjirike (lëvdata të veçanta), ose eulogjistike (thjesht lavdëruese). Mes këtyre formave vjen edhe vëllimi poetik “Daullet e një nate” i poetit Adem Zaplluzha, të cilin e kam lexuar pjesë-pjesë në dërgesat e tij të hershme për “Fjala e Lirë” Londër. Dhe që atëherë kam ndjerë se të dy format e kësaj poezie kanë një stigmë morali tej mirëfillit parësor të “lëvdatës” si lëvdatë, por si një forcë përfytyrimi që vjen nga vetë aspektualiteti i shtjellës vargore, gjuhës, figurave dhe tërë dimensionit që merr poezia e tij pos qasjes mentale dhe vizuale. Dhe në të gjitha këto raste kur përfytyrimi i tillë është i pasur, me lëndë nga ndjesia dhe ndodhia jetike, fjala poetike përmban forcë shprehëse. Në këtë hulli, Adem Zaplluzha rreh t’i arrijë përgjithësimet artistike, duke zgjeruar përmasat e përfytyrimit. Kur temat dhe motivet vijnë nga përvuajtja e itinerarit jetë-vdekje, përfytyrimi mes formave panegjirike dhe eulogjistike zjarrmon në detaje fabule më të ngutshme në ndjesi, ku si shkas argumentues le të shërbejë poezia “Si një varr i vetmuar”. Këtu në këtë poezi, këto dy forma, kanë epizmin e pashterrur të kohës, lojën e tij me ndjesinë, madje mes kësaj formësojnë edhe filozofinë e fjalës që udhëqaset mes disa trupëzimeve rrethanajore, si me zogjtë e kaktusin e shkretëtirës, për të dhënë një mesazh: “Do provoj të luaj sonte/Fatin e zogjve/Ajo që ngjan me ajrin/Duket si një ishull mes mjegullave/Ishulli i uritur dhe i etur/Si zogjtë e shkretëtirës/Rëra fluturon përtej mendimit/Një kaktus i etur/Pi ujë në shpirtin e rërës/Dielli si një copë gace e përskuqur/I pjek zogjtë në fluturim e sipër/Kjo dunë prej vezëve të breshkës/Me gjasa paska mbetur/Si një varr i vetmuar/Një arkivol i hirtë/Te një varr i panjohur/I kreh flokët e thinjura të zhurit/ U konvertua në hartën e atdheut”. Kjo poezi i afrohet poezisë vizionare nga pikëpamja e një vëzhgimi poetik eksperimental. Ajo në brendësi të saj vetvetiu hulumton “heshtjen poetike” që ndodh në momentet para se vetë jetëpoezia është shkruar, duke u përpjekur për të kapur momentet në të cilat është formuluar një mendim i poezisë së ndërlidhur me vetë jetiken tek e cila “Si një varr i vetmuar”, që nga titulli është vetëm një përfytyrim poetik. Kjo heshtje mes këtij përfytyrimi është përcaktuar nga mjaft analistë si “pa emër”, si një ndjesi në “shkretëtirë”, kështu që vetvetiu ajo mund të përbëjë një sfidë për një varg që rreket mes emrave të ndryshme jo-rrethonrë, por përfytyrues të një shkretëtire, dmth fjalët e shkruara, për të përcjellë idetë dalin nga vetë përfytyrimi mes këtyre dy forave të lartcituara, jo më si lëvdatë direkte, por si fabulë. Për të ndihmuar në këtë sfidë autori përdor visualizimin si në formë të filmave të shkurtër, që janë krijuar si pjesë e kërkimit jetik. Vizualja në këtë rast duket më e përshtatshme për të demonstruar poezinë vizionare, e cila mbështetet në morinë e vizioneve dhe imagjinatës. Për këtë arsye, autori ndan me lexuesit disa njohuri të rëndësishme përsa i përket praktikës kërkimore që kanë sjellë në vëmendjen poetike atë që lidhet me procesin e bërjes së vetë përfytyrimit imagjinar. Dhe në këtë pikë janë tre elemente që karakterizojnë procesin e aktivitetit poetik: mendimi, emocionet, dhe njohuritë e brendshme. Mendimi transformon emocionin në fjalë; emocioni nxit shtysën për të krijuar; dhe njohuritë e brendshme janë një burim i lartë nga përtej përfytyrimit të këtij poeti, e cila mund të shihet si një forcë shpirtërore, e cila është kuptimi dhe energjia e vetë krijimtarisë. Poezia “Përtej kujtesës”: “Stina si syri i verbër/I hënës/Shikon tejpërtej galaktikave/Rritjen e një shelgu të pikëlluar/Përtej kujtesës/Si nga një ëndërr e trishtë/Prej vezëve të thyera/Dalin çafkat/Qielli i mbuluar me pupla njerëzish/Hingëllon si kali i sëmurë/Përtej parmakëve të dritares/Shoh djersitjen e ajrit/Te dhoma e pritjes/Një shpend krah madh/Është ulur pranë kujtesës/Dhe i ëndërron/Ikjet e kota të stinëve/Ne ishim me gjasa të parët/Që e gjetëm zjarrin/Por mishin e pjekur e hëngri nata/Kur dëgjuam kushtrimin/Tupanët veç ishin shurdhuar/Nëpër mëhallë/Bredhin ardhacakët e dehur/Dhe i recitojnë do psalme të vjetra/Në një gjuhë të huaj/Që s’na përket neve/Ne dënesëm një kohë të gjatë/Me një ngashërim të padëgjuar/Deri atëherë/Dëneste edhe kori i bretkosave/Por vaji i jonë/Më duket edhe sot/Që i përngjante lutjeve të erës”. Tek kjo poezi, ashtu si edhe tek “Lëkura” apo “Një re e dendur” metaforat luajnë një formë përfytyrimi hiperbolik. Janë sidoqoftë në një unitet me natyrën e lëndës së përfytyruar si “Lëkura ime e grisur” apo “Do hy në labirintet e kësaj kohe”. Në rastin e përfytyrimeve të tilla si “Do dalim si gjarpri nga lëkura/Do e grisim ëndrrën e posa të nisur” raportet e përfytyrimit me abstragimin panegjerik delegojnë mendimin natyrshëm në një përgjithësim ideoartistik. Në mjaft poezi të tjera të Zaplluzhës përfytyrimi panegjerik merr një format më “taksorë” dhe figurat e sintaksit apo intonacionit poetik, bëhen më të qeta. Ja “Më pastaj të ecim/Deri te sinorët e luadheve/Koha është/Për kositjen e barit të njomë”.

 

adem

Adem Zaplluzha

 

Dhe na ngulitet në kujtesë imazhi për kohën e ushqimit të stazhonuar për bagëtinë dhe gjënë e gjallë për kohën e izolimit dimror, ku koha bën të vetën dhe “Nëse vonohemi/Për udhëtimin deri te baladat/Nëpër rrugët e metropoleve do i kërkojmë/Pendlat e ndukura të zogjve/Që mbetën peng i një kohe tjetër” do të vetëkuptohet me vazhdimësinë përfytyruese “këtu sa ora ndryshojnë stinët/Në lëkurën e Ballkanit të çmendur/Herë shqepen/E herë ngjiten hartat/Një re e dendur/Asnjëherë nuk i ndryshon itineraret”. Nga pasuri e fabulës “taksore” të realitetit dhe fuqisë shprehëse buron dhe figuracioni i pasur dhe shprehës, edhe fjala me ngjyrë e intonacion. E kundërta ndodh me vargun dhe figuracionin që kanë një përfytyrim të thatë apo të amullt. Disa poezi të tilla janë pluskim i krijimtarisë së madhe të poetit, që në arsye ë ndryshme mundohen të shkallmojnë vetvetiu truallin e varfër të përfytyrimeve me një figuracion disi të thatë ndjesor. Mjaft poezi të tila si “Një trung prej mishi” ngjajnë me evokime prolikse. Duket qartë se aty ku poetit i humbet gajllëria e përfytyrimeve, apo i mungon çasti i fuqishëm poetik i humbet forca e fjalës poetike, por jo vrulli i tij i madh i krijimtarisë që kap disa dhjetra vëllime poetike. Sidoqoftë, Adem Zaplluzha mbetet një nga zërrat poetikë të Kosovës, që rreken mes një volumi të madh vargor dhe që kërkojnë mes traditës, avngardes dhe modernizmit të lënë gjurmë të një përfytyrimi panegjerik të ndërtuar mirë. E përgjithshmja flet për forcën artistike të poezisë së këtij autori mjaft prodhimtar. Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja “Ngjyra e kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, prezent në disa antologji dhe në librin Kosova letrare të poeteshës Monica Mureshan. Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për fëmijë 1872 – 1995 nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002. Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë ndërsa aktivitetin letrar e zhvillon në kuadrin e Klubit letrar “Fahri Fazliu”, në Kastriot.

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s