Poezi nga Vaso Papaj

 

Vaso papaj 1

Poezi nga Vaso Papaj

 

 

Si pelegrin
Këtë poezi që qenka pa moshë,
Do ta sjell ty, gjallë të të mbajë.
Me vete merre, ngado të shkosh,
Kështu asgjë s’do mund të na ndajë.

E solla që larg, e mbajta në krah,
Si pelegrini që mban një besim.
Në lumin e jetës të gjeja një va
Dhe vite të denja për ty në vijim.

E prapë e prapë nëse nisem diku,
Fute në gjoks si frymë, si vikamë.
E në mungofsha, do jem kthyer në flu,
Do t’vij, po këtë herë, jo si një dramë.

Këtë poezi të ma duash më shumë…
Me vete merre, të të mbajë gjallë.
Shpirt nga shpirti, ta prura veç unë,
Ngado që të jesh, të shuash një mall.

 

 

 

Si t’a shpjegoj?!

 

Si t’a shpjegoj un’ cila je
në çdo moment të jetës sime,
pasqyrë ndryshimi e çdo klime,
që kurrë trazime nuk më dhe?!

Shumë vite bashkë kemi kaluar.
Vite të rëndë, ne të paepur.
Me buzëqeshje i kemi ndjekur

Si t’a shpjegoj që më dhuron
gjithatë forcë kur jam i lodhur,
një fije shprese për të më shplodhur,
të zymtat ditë ti m’i shkurton?!

E mes gëzimit edhe shpresës
Në këto kohëra që kaluam
Fole prej zogjsh të dy ndërtuam.
Si t’a shpjegoj tani së fundi,
pse zërin tënd e kam përbrenda,
se kohë e gjatë s’ma hoq nga mendja
dhe kurrë e keqja nuk më mundi?!
E jotja fjalë më ka ndriçuar.
Një herë e re, një herë e vjetër,
Në botë s’të ndërroj me asnjë tjetër.

Një herë e re, një herë e vjetër,
Veç ti më mbete, si askush tjetër.

 

 

 

Si erë e lirë

 

Shikoj kaltërsinë e qiellit, përtej.
Vallë, a do të ketë botë më të mira?!
Ndaj si Ikari ngjitem lart mbi diej.
Dua të dal nga errësira.
Tani që veten e ndjej më të lehtë,
Po thith oksigjen, atë blunë e vërtetë.

Kërkoj të gjej shpirtin tim binjak,
Nuk lë skutë pa rrëmuar planetin
Dhe kjo udhë nuk më ndal aspak.
Unë jam erë që përkëdhel detin.
Nuk kam frikë nga errësira që zbret,
As nga heshtja e madhe që vret.

Ndërsa ti je gjithnjë si ylli polar.
Shfaqesh si drita e parë në mëngjes.
Ngurim te ty asnjëherë nuk kam parë.
Shpirtin ma mbush me qëndresë.
Kur të shoh, më bën të këndoj.
Jam ky që jam, nuk mund të ndryshoj.

Ti thith oksigjen atë blunë e vërtetë.
Dhe ti je erë që përkëdhel detin.
Mëngjezet e mia m’i mbushe me jetë.
Gati je të sfidosh tërë qytetin.
Ndaj s’ke frikë nga errësira që zbret.
Heshtja e madhe as ty nuk të vret.
Ne thithim thellë atë blunë e vërtetë.
Jemi ne era që trazon detin.
Kohën e shkundim me forcë si tërmet,
Se nuk flirtojmë kurrë me pushtetin.
Mbetëm të rinj’ dhe pse vitet përpjetë.
Si erë e lirë vrundullojmë përmbi retë.

 

 

 

Kërkoj një Moisi

 

Çdo natë në ekranin e xhamtë ju shoh
Dhe s’kuptoj një fjalë në gjuhën tuaj.
Po dhimbjen që herët jam mësuar ta njoh.
Më dhimbka çdo fjalë, ndaj brenda s’e shuaj.

Një varg fytyrash, mijëra, me luftë ngjyer.
Ca ushtarë lara-lara ngrirë nën një shi,
Telat gjembaç mbajnë ëndrra mbërthyer.
Këtu plumba dhe gaz s’mbrojnë dot asnjeri.

E ngulem në kohë, mijëra vite, kaluar.
Kërkoj syshqyer mos shoh një Moisi.
Të lutet, të çahet ai det i tërbuar,
Që heshtja e qiellit të mos hapë varr të ri.

Njëlloj jemi ngjizur, me pluhur kozmik …
Ju shoh dhe sëmurem, lëngimi s’më le.
E sado të ndjehem në këtë kohë anemik,
Do lutem:
Në pluhur prapë, o Zot, mos na kthe.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s