Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza Mara - 1

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

MOS U FRIKO NGA FLAKA

 

Unë të besoj në çdo fjalë që thua
Ti dyshon në ato që s’i kam menduar kurrë
Më sheh shtrembër dhe kur them “Të dua”
Me akull mosbesimi ke lartuar një mur.

Një mur-myshk që s’kalon dot shpresa
Një mur të heshtur pa gojë e pa sy,
Por s’është kjo traseja që ecën jeta
Mosbesimi nuk është për ne të dy.

Mbi këtë mur s’mbështetet dot shkalla
Që të bëhem Romeo për Zhulietën
Sepse rrugët e viteve bëhen të bardha
Kur e shikon me dy sy të vërtetën.

Unë të besoj sepse ta njoh shpirtin
Ta kam parë sa herë kam marrë plagë
Po kush djallin ta ka zbehur dritën
Nuk më shikon se si digjem zjarrë?!

Eja të digjemi, mos u friko nga flaka,
Do tretet e bëhet hi vetëm mosbesimi.
Pastaj do më pyesësh: Kur do vij nata,
Të dehemi me jetë nën dritën e qiririt?

 

 

 

ALFABETI I DASHURISË

 

Sa kohë u bënë që s’të flas në emër?!
Në atë emër që të kanë pagëzuar!
Unë kam harruar, të them veç “Zemër”
“Shpirt”, më thua gjysmëperënduar!

Se si më duket, kur dëgjoj të tjerët
Të flasin thjeshtë, në emrin e vërtet
Ndodh që nuk përgjigjesh menjëherë
Por shpejt e mbledh veten, shpejt!

Dhe një yll fati të çelet në buzë
Në heshtje mërmërit emrin “Shpirt”
Më keq se ty e pësoj edhe unë
Emrin “Zemër” në zemër kam dritë!

Të flas përherë Zemër, ti mua Shpirt
Dy shina binjake në udhët e jetës
Ky është alfabeti ynë i dashurisë
Kjo është dhe gjuha e së vërtetës.

Thonë se të lodhka udha e gjatë (!)
Nga ata që s’besojnë jam edhe unë
Zoti ka bërë ditë, ka bërë dhe natë
Ndaj bashkë do kemi shumë udhë!

Do ecim Zemër, do ecim Shpirt
Diellin e dashurisë e kemi trase
Aty shuajmë etjen, aty pimë dritë
Deri sa shpirtzemrat të ngjiten mbi re!

 

 

 

MOS MË PYET

 

Mos më pyet
pse jam dashuruar me heshtjen
para pasqyrës tënde, sybojëkafta ime.
Aty, vetëm aty,
harrohem i tëri kur shijoj jetën,
harpën e një ëndrre me nota magjie.
Murosur
në dallgët e gjoksit tënd të etur,
ndihem si pirat i çartur.
Edhe në mbetsha aty
pa frymë, i mekur
më hidh në det të hapur.

Mos më pyet
përse harroj të flas para zjarrit tënd,
o sykafta e bukur.
Nuk më del koha
të shuaj etjen e shpirti me flakë,
dhe buzën me të puthur.

Mos më pyet
pse kam rënë në heshtje,
me heshtjen kam lidhur paqe.
Dua të pi dritë
tek ata dy diej jete,
syt e tu të bukur bojëkafe!

 

 

 

URAT

 

E ndjej akullin në polin e largët,
Siç ndjeva edhe pranverën dikur
Nuk më mjafton ky diell i vakët
I ftohtë prushi i fjalëve në buzë!

Lundrojnë ajzbergët si pelegrinë
Drejt hemisferit ku troket një zemër
Vajtojnë telat mbi një violinë
Kush tha që jeta qenka një ëndërr?!

Unë e preka, e putha, e shijova
Deti dhe dallga m’u bënë ninullë,
Çdo gjë tjetër desha dhe e harrova
Bota s’më duhej, mjaftonte një urë.

Një urë shpirti si syri i ylberit
Kalove ti e veshur me magji.
Që atë ditë nuk lindi më dielli
Fener i ëndrrave m’u bëre ti.

Por s’di si toka rrëshqet nën këmbë
Rrënjët e besës bëhen fije të holla!
Si erë pa shije teret çdo këngë
Pasqyra e syrit mbushet tërë njolla!

Edhe fundi i fundit vjen një ditë,
Harrimi i Madh bëhet mbretëri.
Urat s’vdesin nga perënditë,
Shemben atëhere kur s’ka dashuri!

 

 

 

DHEMBJE, LUTJE

 

Ku t’i gjej zogjt e paqes
për të dërguar mesazhe qiellit?
Korbat klithmojnë vdekje,
duke verbuar diellin,
ne kërkojmë mëshirë tokës
duke e vaditur me gjaklotë.

Zot!
E dimë që në këtë jetë
asgjë s’është e jona,
por kemi nevojë
të shkëmbejmë mesazhe paqeje,
ndaj të lutem,
qiellin,
mos u lerë korbave!

 

 

 
NË KËTË BOTË

 

Kam parë njerëz të dehur
që kërkojnë
adresën e Magelanit.
Edhe të marrosur,
(si poetët e dashuruar),
që ngrenë dolli
për Omar Khajamin!

Por më shumë në këtë botë
po shohim gjysmëgjallesa humane,
shpërfytyruar nga dhimbjet,
që duket sikur këndojnë,
sepse të qajnë,
nuk kanë lotë!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s