Poezi nga Pranvera Gjoni
EKLIPSET E DHIMBJES
Dielli,
zgjon agimet
e fshehura nën buzë të natës,
me një tufë puthjesh në ballë.
Hap qepallat e rënduara shirash
nga skërrmitja e hijeve,
që somnambul
gërryejnë yjet e prushuar
shtratthyerit të pagjumësisë…
I ftohti sot,
si timonier fatesh,
rrëzon brymë e shkumë,
shfrenimit pa busull
të motit zjarrgri…!
Hëna muzë
ngjitur në frymë,
frymon për dy…
Edhe pse,
menstruacionet e tokës
derdhin errësirë heterogjene,
retina e saj
pasqyron veten dhe mua,
mbështjellur fjongos së artë
që pëlcet çdo eprovetë,
eksperimentesh…!
Mjegulla sot
nuk mund të shpërfill
argjendarinë antike,
ku shpirti s’ lejon përpunim!
Ëndrra më mban ajrit!
Gjirit ku fantazia
puthet e përqafohet,
kilometrit të startit…
Aty ku u mbjell platonizmi
me ndrojtje e pakushtëzime
të dashurisë,
për dashurinë sublime!
Erërat sot
s’mund të zhvendosin
pikën e referimit,
ku ushqehen rrathët e stinës!
Trinom i gjithëpushtetshëm
shtatit të Pranverës në rritje,
që eklipson dhimbjet
dhe feston tryezës së ndjenjës,
me melhemin e dashurisë
grumbulluar korijeve të qiellit,
Jo vetëm,
për këtë Shën-Valentin!
Edhe pse sot,
ëmbëlsira e festës
hahet veçmas
epiketave të lundrimjetës,
dielli, hëna, ëndrra,
gëzojnë lumturisht çdo lindje dite,
sikur të ishte
udhëtimi i fundit,
për në bërthamë të tokës!
ASTEROID
Shkëputur
Lart(g)ësive jashtë dimensionit,
Lëshohesh pa parashutë
Vakumit të mallit…
Si skydive*,
Zhytesh horizontit
Të nënkalimeve
Me flakë e zjarr,
Frym e avull,
Të përcëllosh planetin tim…
Ngrehinë e kokëfortësisë,
Të dhisë
Ushqyer me rrok Alpesh…!
Ngurtësuar
Deltës së zemrës.
Shkrirë
Pentagonit të shpirtit.
E di mirë asteroid
I gjithëpushtetshëm,
Ti trondit rrënjësh
Materien…!
*
Aknet nervoze shuhen në natë,
Si kështjellat e oratorisë
Podiumeve kashte…
E unë…?!
Mbulohem me qiellin tënd,
Erërat shpinën
Mos t’më vrasin,
Kur mendja flen me përgjumjen.
E buzët mos të thahen,
Vetmisë
Që thërrmon edhe… gurin!
MARANGOZ
Me zdrukthin e shpirtit,
largon spirrat e tepërta
që i humbin bardhësinë membranës,
e gërvishin fytyrën vezake të zemrës…
Ngjitura nga e shkuara,
si barrierë asgjesuese për të sotmen…!
Nxjerr frymëmarrjen,
mbetur peng i thonjëve të mprehtë
kafazit të frikës,
mbjellur ahishteve që në lindje…
Lëmimi delikatë i ajrit magjik,
me hedh në krahët përkëdhelës
të zdrukthit harbuar,
që puth brishtësinë e drurit të njomë,
lëvore shkrumbuar…
Esencë ndjenje kundërmon përçark!
Marangozi ditëbardhë,
zgjoj nga trauma,
drurin vetmitarë…
Inicialet e lules dashuri,
i gdhendi me frymë
mes turbulencash dehesë,
mbi shtat të selvisë.
Marangoz, zanatçi-Orakull zemre …
Mjeshtër i rrallë, në këtë botë të rreme!
MOS MË FAJSO!
Mos më fajso
që të dua përtej ëndrrës!
Lulet kanë nevojë për klorofilë,
trupin ta harlisin
e shpirtin ta aromatizojnë,
me petalet e ndjenjës.
Mos më gjyko rëndë,
që prekjen e duarve tua
nën lëkurë,
theellë…
dua t’i ndjejë..!
Jeta ka nevojë për diell,
që shtërngatat e kohës
me gjoks rrezesh t’i përballoj!
Mos mendo keq për mua
që thjeshtësisht në fantazi,
nuk mund të dua…!
Të dashuroj me frymë!
Ndaj…
dua prej ëndrrave të dal
e në frymën tënde,
si oksigjen të hyjë…!
Mos më fajso të lutem,
që nuk resht kurrë së dëshiruari
stinën e luleve…
edhe kur ato
buzët kanë vyshkur në dhimbje,
e sytë në dimër kanë mbyllur!
INTERVISTË ME KURESHTA(RËT)IN
………………………………………?*
-Po, kam burrë(a)!
Tre ushqyer nga një kërthizë
dhe një, lindur nga plazma ime!
*
…………………………………..?*
Po! Kam shumë të dashur!
Tokën,
qiellin,
detin,
fantazinë,
studimin,
kafshët,
njerëzitë!
………………..?*
Po, pra…gjithësinë dhe përtej saj!
*
…………………………………………?*
Jo! Jam “dhi e egër” në gen!
Nuk i bëj, as nuk i pranoj,
jargavitjet për emër,
e përuljen për interes!
*
………………………………….?*
Po! Jam mirënjohëse
vetëm shpirtrave të dlirë,
që rrezatojnë maturi,
pastërti,
humanizëm,
…dhe kanë vetëm një fytyrë!
*
…………………………………………?*
Po! Nuk jam e përjashtuar
nga orbita e gabimeve njerëzore!
Kam ngrënë në kohë të shkuar,
” një lugë çorbë të prishur”…
Helmimi vazhdon akoma,
por, jo për të më mbytur!
*
……………………………………….?*
… Jo! Jam e lumtur
në rrethrrotullimin e dy planetëve të mi!
Vetmia, lëshon rrënjë
vetëm në poezi…!
*
…………………………………..?*
Po! Dashuroj si e çmendur, vetëm një!
Diellin e ëndrrës!
* ( pyetjet e kureshtar(ëve) it)
VALA DHE BREGU
Me hiret joshëse,
lakmuese,
enigmatike,
të kërcyera,
të tejdukshme,
tronditëse …
E eksitoj historikisht papushim.
Me buzët e prushta,
herë të ëmbëla,
herë të dhunshme,
herë të egra …
E puthi pangopshmërisht.
Mall shekullor i pashuar!
Në rrezet përvëluese
shkrihem trupit të brishtë …
Në ditët e dimërta,
ngrohem brënda ashpërsisë së gjoksit tij …
Në ditët me vranësira,
e godas me gjithë fuqi …
Nazeve të mija prej vale,
vetëm bregu gjuhën ua di …
MË “DETYROVE” TË TË DUA
Ma shëmbe makiazhin,
e ndërtuar,
si një gladiatore
fushave të betejës,
… pa mburojë.
Me fëshfërimat tua,
solle shiun,
zhveshe të bukurën maskë,
preke lakuriqsinë
me tingujt
e partiturës së ndjenjës.
Ti … di të më duash!
Ti … di të gjurmosh,
burimin e lumenjëve të rrëmbyeshëm,
pa cënuar rrjedhën.
Thellësive të brishta,
derdhe afshin e purpurt
si frymë e Zotit,
për shpirtin që kërkon mëkim.
Me thjeshtësinë e magjishme,
hape dyert e dyllosura
të hermetizmit të dashurisë,
mbyllur…
dimrit të ashpër të profecive.
ZBULIMI
Të gjitha televizionet e dhanë lajmin!
Gazetat e vunë kryeartikull.
Referencash flitej për të me zell të paparë.
NASA më në fund, bëri të njohur zbulimin.
“Ekzistenca e dashurisë përjetshme”.
Sencacion njerëzor!
Milionerët, boshatisën bankat.
Kartmonedhat u zhytën dëshpërimit,
qilarëve të krimbur të egoizmit.
Dashuria nuk shitej …!
LULET E DHIMBJES
Lulet e dhimbjes kanë aromë loti!
Ujitin shtatoret e ngrira
mbetura peng,
shkretëtirës së trotuareve pa njerëz.
Lulet e dhimbjes kanë kërcell shpirti!
Për(k)ulen,
në nderim të diejve të vdekur,
duke kafshuar veten!
Lulet e dhimbjes kanë petale ëndrrash!
Riciklojnë botën
me gjithçfarë ka brenda,
e mbajnë atë në gonxhen mbledhur
për t’i dhënë klorofilën, zemrës.
Lulet e dhimbjes kanë rrënjë gjaku!
Rrëzohen e ngrihen,
Universit të çuditshëm
që lind dhe vdes me miljona herë,
qielltokës së frymës…!
Lulet e dhimbjes,
janë biopsia e dashurisë
në gjoks të jetës!
NËSE LULJA IME…
Nëse lulja ime, lëshon hije,
alegrinë prish të kopshtit tënd.
Më thuaj, më thuaj, pa hile,
mes shënjtorësh iki, n’timin vënd!
Nëse lulja ime, të burgos,
e ti nuk ndjehesh lulishtarë.
Më thuaj, mos më brengos,
i vyshk petalet, me lot të tharë!
Nëse lulja ime është magjike,
nektari i saj, i dehë dhe mitet.
Përkëdhelja shtatin të harliset,
të vesojnë buzët, orbitës t’diellit.