Poezi nga Ollga Selmani
Ndodh
Ndodh, të kem folur, pafajsisht guximshëm,
duke thënë të vërteta si asnjëherë.
Ndodh, të mos jem pëlqyer, kushedi për çfarë
e ma kanë vrarë pafajsinë, ma kanë prerë.
Ndodh, të kem bërë aq hapa prapa,
për sa gotitje në shpirt mora thellë.
Ndodh, të kem marë ca vendime paskëtaj,
nga ato, që rrallë meren, ndonjëherë.
Po pikojnë strehët
Qielli, ka zbritur, i tëri mbi krye.
Jashtë ka shi, shi dhe asgjë tjetër.
Mendimet, më tepër se qielli, janë gri.
Gri dhe poezia që shkruhet në letër.
Shirat bien qetë, thjeshtë si një mërzitje,
që shuhet në vete, pa fjalë e pa zë.
Shirat qetësisht, mbuluan çdo pritje.
Po pikojnë strehët, një edhe nga një.
Si hënë e vonuar
Do të vinë mbrëmje të tjera, pa fund.
Me qetësi hëne, mbuluar, do jemi .
Do numërojmë çfarë kemi bërë mirë .
Për ato që s’i kemi bërë, do të dehemi .
Aty, me heshtjet mbështiellë, do të jemi .
Do të gjejmë pak ngrohtësi, të munguar.
Për humbjet, mos pyet. Do flasim me vete,
me faqe të zbehtë, si kjo hënë e vonuar .
Si një kafe e mirë
Shkrihen, rrezet e diellit, mbi det .
Përzihen deri në fundin e tij .
Dallgëzohen ujërat nga kjo përzierje,
duke krijuar shkulme dëshirash aty.
Janë shkulme dëshirash drejtë bregut.
Qetësohen, kur pranë tij arrijnë .
Shkulmë e detit përmbi valë,
pihen nga bregu si kafe e mirë .
Kthehen në jehonë
Pengohen mallet, arsyetimesh,
si erërat kur marin udhë,
kur përplasen ndër faqe shkëmbinjësh
e ndër gryka, gjejnë rrugë .
Ndër pengesa përmallimesh,
grykash, kthehen në jehonë.
Vijnë jehona largësive .
Më fuqishëm, vijnë se shkojnë .