Shtëpia Botuese ” ADA” publikon vëllimin poetik “Tradhti të bardha” të autorit Hekuran Miraka dhe redaktim e parathënie të autorit Demir Gjergji.
Titulli: Tradhti të bardha
Autor: Hekuran Miraka
Redaktor: Demir Gjergji
Botues: Roland Lushi
Formati: 14 X 21
Tirazhi: 300 kopje
Të gjitha të drejtat të autorit
Roland Lushi
Shtëpia Botuese “ADA”
Adresa: Rr.Nasi Pavllo Nr. 20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, prill 2015
Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Miraka, Hekuran
Tradhti të bardha : poezi / Hekuran Miraka ;
red. Demir Gjergji. – Tiranë : Ada, 2016
124 f. ; 21 cm.
ISBN 978-9928-4347-4-6
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
Ndershmërisht
Hekuran Miraka është një burrë i shëmtuar, siç thotë vetë, por që (siç them unë) di të qeshë bukur, të dashurojë bukur, të zemërohet bukur, të flasë bukur, të dëgjojë bukur, të heshtë bukur, të lexojë bukur, të kujtojë e të harrojë bukur, të ndjejë fort, të pijë e ta mbajë shumë pijen, të gëzohet e të qajë si fëmijë, të këndojë e ta heqë vallen me hire, por mbi të gjitha, ta thotë bukur poezinë për jetën e vet dhe për botën. Kjo e fundit më bën ta kem mik të mirë dhe poet të adhuruar që në leximet e para të poezive dhe shkrimeve të tij. Miqësia është lehtë të fillohet, por vështirë të mbahet. Me Hekuranin më ka ndodhur e kundërta: e kam pasur zor ta zë mik, sepse kështu ma thoshin leximet e para të poezisë së tij dhe, nga tjetra anë, portreti i tij prej burri të ashpër e të “kripur nga jeta” nuk m’i hapte lehta portat e miqësisë. Po kjo zgjati shumë pak, sepse e qeshura e tij me gjithë shpirt, e folura e tij me ndjenjë e mend, dhënia e ngrohtë e dorës dhe mbajtja e besës në miqësi u shfaqën shpejt. Po kështu edhe poezia e tij: nga vargjet e para plot kulloshtër jete e raki sofrash, plot frymë e talent, por me pak tharm mjeshtërie e shkujdesjeje ndaj shprehjes artistike, të cilat, natyrisht që kërkojnë një përvojë të gjatë krijuese dhe vijnë më me vonesë se të qeshurat çastit dhe fjalët e sofrës.
Poezitë e përmbledhura në këtë libër janë tashmë hallka të forta miqësie me poetin Hekuran Miraka. Mos shkojmë më larg, por le t’i krahasojmë ato me krijimet e dy librave paraardhës. Ju, të dashur lexues, që i keni në dorë këta dy libra, mund t’i rilexoni dhe jam i bindur se do të më jepni të drejtë në këtë që po them: sidomos poezitë e shkruara në harkun e kohës që na ndajnë nga botimi i librit të tij të fundit, kanë një rritje të dukshme, deri të habitshme, qoftë në formën e shprehjes së ngjyrosur me një figuracion sa konkret, aq edhe abstrakt, qoftë në fabulat dhe paradokset e tyre, qoftë në ndjenjën që përcjellin, por sidomos për elegancën e komunikimit me lexuesin. Në poezitë, që midis një morie të madhe syresh kemi zgjedhur për t’i veshur me këtë kopertinë që mban titullin: “Tradhti të bardha”, shfaqet fytyra e vërtetë e një poeti tashmë në nivelin e lakmueshëm të pjekurisë artistike. Veç të tjerash, në to ka shumë nëntekst, gjendje, kumbim, lirshmëri mendimi e shprehjeje, thyerje tabush e situata që të mbeten në mendje dhe ku shumëkush mund ta gjejë veten natyrshëm si në një tren udhëtarësh. Gjatë leximit të parë të tyre, ke dëshirë të rikthehesh në një të dytë e, më tej, në një të tretë dhe në çdo herë, të duket se po udhëton për të disatën herë në një pllajë dhe në çdo udhëtim të shfaqen peizazhe të reja. Në një farë mënyre, imazhi më i pranishëm i poezisë së Hekuranit është bota e vështruar nga kati i fundit i një grataçele mbi Tomor.
Dy janë stacionet apo qendrat e rëndesës së krijimtarisë së Hekuranit: Këtu dhe Atje. Këtu d.m.th. në vendin ku e kanë hedhur dallgët e fatit poetin dhe atje, ku ka lënë vendlindjen. Është një përmbysje e normales së një jete. Një invers që është bërë njëherësh pikë mbështetje për poezinë. Këtu, te malli, poeti mban një mal brengash, ëndrrash, dhimbjeje, dënesash për dhe qëndron fort për të jetuar e për të mos i lypur botës mëshirë. Qesh për të mos qarë, këndon për të mos rënkuar, rebelohet me veten për të mos përmbysur botën(!!!), ndërsa atje, te zemra, jeton që të mos vdesë. E për t’i bërë më të natyrshme, më ndjenjësore e njerëzore, thërret nën armë vesin dhe virtytin, tradhtitë e bardha, mëkatet e shenjta, bën humor me Zotat, tallet me të kotët e kësaj bote, jo për të bërë moral, por për të qenë i natyrshëm si një njeri pa maska. Nëpër gjithë këtë savanë poetike vrapon një vello, që fsheh, sa për të të joshur më shumë, fytyrën e bukur dashurisë!
Në përgatitjen e një libri, puna më e vështirë është të zgjedhë dhe jo të mbledhë. Në ndërtimin e këtij botimi të Hekuranit, kjo vështirësi ka qenë e shumëfishtë, sepse po të “mblidhej” krijimtaria e shkruar prej tij gjatë kësaj kohe, nuk do të mjaftonte një vëllim. Dhe e gjithë kjo krijimtari është e vetëzgjedhur për nga pretendimi i përfshirjes në një vëllim dinjitoz, merre me mend sa e vështirë ka qenë “zgjedhja” “nga të përzgjedhurat”. Shpresojmë të jemi afruar pranë shijeve tuaja dhe ta kemi përvijuar sa më saktë profilin e poetit me krijimet e tij më të mira.
Demir GJERGJI
Tiranë, shkurt, 2016






























Leave a Reply