Poezi nga Seti Vladi
MES DY POEMASH
Sa herë tek ti , qyteti im ndaloj ,
si një poemë e bukur lirike ngjason ,
një fytyrë tjetër të ndritur shikoj ,
si pëllumb në qiell kur ngrihet e fluturon.
Nëpër këto vargje poeme mrekulluar,
njëherësh pa dashur rrugën më presin ,
paragrafe mjerimi të një kohe kaluar,
si njolla dhimbjesh që në shpirt mbesin.
Qyteti, një fasadë pa gojë që belbëzonte ,
një jetë pa shpresë , pa Zot e fé ,
mëngjeseve kur zgjohej veten shikonte ,
trupin zhgarravitur me fletërrufe (!).
Vendi përkundej në djepin letargjik ,
larguar nga zhvillimi , nga bota veçuar ,
ushqehej me dogmat e rendit utopik ,
me tunele , bunkerë e tela rrethuar.
Paradat në sheshe me ngjyra mbuloheshin,
tribunave të larta qeshte hipokrizia ,
larmi tullumbace në qiell lëshoheshin ,
me dymbëdhjetë “dishepuj” parakalonte vegjëlia.
Lëmshi i skamjes sa vinte e mblidhej ,
njëri pas tjetrit në rradhë na vuri …
kthehen malësorët e “Legjendës së misrit” ,
torbën në krahë e lugën prej druri.
E lirë si shqipe në mes kaltërsive ,
shpirti rinor ëndërronte fluturimin ,
drejt botës me dritë , zhvillimit , lirive… ,
prologu i jetës që sillte zhvillimin.
Për vargje poemash lirike që lulëzojnë ,
u vranë shumë ëndrra pikaloshe , të zjarrta ,
gjethet e tyre me ne fluturojnë ,
drejt mëngjeseve ylberesh të arta…
PËRJETËSIA USHQEN DASHURINË
E dua qiellin e pastër me yje qëndisur
kur hëna e artë më bën magji ,
më ndez në sy me mijëra yje ,
lozonjarja me mua ka rënë në dashuri.
E dua flladin në netët verore
kur puhiza qepallat mi përkund
dhe tek veshi gjethëzat si flutura ,
më thonë fjalë magjike pafund.
I dua burimet me krojet e kristalta ,
ku të thith një gurgull ujë të ftohtë ,
të më freskojë dejet e të më rrjedhë në to,
puhiza ujëvarash në verën e ngrohtë.
I dua ditët me diell dhe shirat e pranverës
kur ylberi nusëror qesh mbi kodrina ,
fal harkun e ngjyrave mbi petale lulesh ,
bisqe të reja shpërthejnë në të blertat lugina.
E dua detin me delfinë e pasuri ,
ku pulëbardhat mbi dallgët krifëbardha vallëzojnë,
ku zbresin mëngjeset e mbrëmjet nëpër brigje,
dhe këngën e mistershme të sirenave dëgjojnë.
Dhe motin e trazuar me shira e bubullima,
i dua si kolor i shpirtit njerëzor ,
peizazhin e trishtë në vargje e këngë e pëkthej ,
bëhen klorofilë dhe ushqim shpirtëror.
Mahnitem me këngën e bilbilit në degë
dhe me V-ënë e patave në qiell kur vijnë e largohen ,
me rregullsinë e botës deri në qelizë ,
nga ku lindin sythe mirësie e lulëzohen.
E dua dhe këngën e zjarrit bubulak të dimrit ,
edhe zhurmën,rrokullimën,vetminë e gjallërinë ,
e uritur unë jam, të gjitha, të gjitha i dua ,
të mbledhura në një tufë lulesh, gjithë përjetësinë.