Tregime të zgjedhura nga A.I. Kuprin / Përgatiti : Bardhyl Selimi

a l kuprin

Tregime të zgjedhura nga A.I. Kuprin

 

Shtëpia Botuese e Librit Shkollor e re 2014

 

Fragmente

 

 

Byzylyku me gurë bojëshege

 

 

f.135

 

Anosovi heshti gjatë. Pastaj nëpërkëmbi pa qejf:

  • Po mirë…e pranoj…si përjashtim…Kurse në shumicën e rasteve pse martohen njerëzit? Të marrim gratë: u vjen turp të mbeten në derën e babait, sidomos kur shoqet, që të gjitha martohen, nuk është e lehtë të jesh gojë më tepër në familje, ke dëshirë ta shohësh veten zonjë shtëpie, të jesh e pavarur, shtoi këtyre dhe kërkesën njerëzore për t’u bërë nënë e për të thurur folenë tënde.

Kurse burrat kanë motive të tjera: ndihen të lodhur nga jeta prej beqari, nga rrëmuja në dhoma, nga drekat jashtë, nga pisllëku, nga rrobet e pahekurosura dhe të grisura, nga borxhet, nga shokët e bezdisshëm dhe nga sa e sa të tjera…I bie kalemit dhe sheh, që jeta në familje të shkon më lirë, por është edhe më e shëndetshme, më e rregullt. Pastaj i thua vetes se edhe fëmija duhet, sidoqoftë, përmes tij të mbetet vazhdimësia e emrit. Shtoi edhe prishjen e mendjes prej seksit femër, që di të shfaqet si mishërim pafajësie, siç ndodhi në rastin tim, pale që edhe mendimi për pajën e prikën të josh.

E ku është në këtë mes dashuria? Ajo e kulluara, e papërlyera, e shoqëruar prej vetmohimit, që nuk kërkon shpërblim? Ajo për të cilën thuhet se është po aq e fortë sa dhe vdekja?

E kuptoni përse e kam fjalën? Për dashurinë që është gati për heroizma, për dhënie të jetës, për pranim të mundimeve, që është vetëm lumturi e amëshim?….Dashuria duhet të jetë tragjedi. Një e fshehtë e madhërishme e botës! Ajo nuk duhet të ketë lidhje me komoditetin dhe me të mirat materiale, me përfitimin dhe me kompromisin.

 

  1. 138

 

Për mendimin tim, thuajse çdo grua e ndien veten të gatshme të dashurojë deri në therrori. Se ç’ndodh me të? Përqafon, puth, bën seks dhe e ndjen veten nënë. Gruaja, kur dashuron, gjen në dashuri kuptimin e jetës, në të ajo gjen gjithësisnë! Dhe nuk është faji i saj, që dashuria te njerëzit ka marrë shfaqje të përçudnuar dhe shoqërohet prej banalitetesh të tilla si sigurimi i mirëqënies dhe i komoditeteve, në përgjithësi, me përfitimet e vogla.

Fajtorë për këtë janë burrat, të cilët, të ngopur që në njëzetë vjeç me gjithëfarë dashuriçash, nuk janë të zotët të përjetojnë, më pas, ndjenja të fuqishme, të ndërmarrin akte heroike dhe të shpalosin një botë të pasur ndjenjash, nga më të lartësuarat, më delikatet dhe më hyjnoret, që janë edhe ndjenja të mirëfillta dashurie të vërtetë.

Thonë se, më pare, të tilla ndjenja ka patur. Por edhe në nuk kanë qenë, a nuk kanë ëndërruar për to dhe a nuk kanë milituar, që ndjenja të tilla të thella të bëheshin ndjenjat më të mëdha të kësaj bote? A nuk i kanë aspiruar ato poetët, romancierët, muzikantët, artistët?

Lexova para pak ditësh historinë prekëse të Manon Leskos dhe të kavalierit de Grië..Ç’be t’ju zë të më besoni, se u lava në lot…më thuaj, moj shpirt, me zemër në dorë dua të ma thuash, pse a nuk janë gratë, të gjitha, pa asnjë përjashtim, ato që ëndërrojnë të kenë të vetën një të tillë dashuri? Të vetme, gjithëfalëse, të gatshme për gjithçka, të thjeshtë në shfaqje dhe që shkon deri në vetmohim?

 

Zhaneta

 

f.269

 

 

Merimanga

 

Porofesori e shihte i mahnitur dhe i mbushur me respekt këtë kryevepër të natyrës, këtë vepër të përsosur dhe të gjallë arti dhe ndukte me gishta mjekrrën e kuqërremtë. Arkitekti nuk dukej: o duhej të ishte i vockël, o qe fshehur me marifet. Dhe sa shumë material ndërtimi i ishte dashur të shpenzonte, të gjithin duhej ta nxirrte prej trupit të tij imcak, thuajse pa peshë.

Sa shumë mënçuri të pandërgjegjësuar duhej të shpaloste dhe sa shumë përllogaritje dhe matje paraprake duhej të kishte bërë, përpara se ta thurrte! Dhe gjithë kjo punë ishte kryer brenda një dite të vetme, ndoshta dhe brenda një minute, dhe ishte kryer thjesht për arritjen e një synimi rastësor dhe afatshkurtër.

“Ç’pasuri të pamatë që ngërthen në gjirin e vet natyra!- mendonte profesori i nderuar- Me çfarë bujarie na mban nën pekulin e saj dhe me çfarë arti të përsosur pajis cilindo prej nesh, pale pastaj sa shumë kujdeset që jeta të vazhdojë, që qëniet të mbijetojnë dhe të shumohen. Druri i kedrit siberian lëshon me mijëra kokopisha, në secilën ka disa dhjetëra fistashka, kurse synimi përfundimtar është, në qoftë një fistashkë e vetme, të bjerë në tokë të begatë, të lëshojë rrënjë dhe të selisë një bimë të re, të cilën ndërkohë e kërcënojnë sa e sa rreziqe dhe nuk e ka të sigurt mbijetesën. Nga ana e tyre, drunjtë e kedrit janë miliona, kokopishat që lëshojnë dhe fistashkat që përmbahen në secilën nuk numurohen dot, kështu që doemos sigurohet vazhdsimësia e llojit.

Një blin i mirë pjell aq shumë vezë, saqë bëhet havjar dhe përpunohet industrialisht. Në këto kushte, riprodhimi me siguri do të arrihet, qoftë edhe në mbijetofshin dhjetë peshq, të dalë nga vezët e blinit. Një çift mizash depoziton gjatë verës një numur aq të madh vezësh, saqë po të mos dëmtoheshin dhe të çelnin larva, me to do të mbulohej i gjithë rruzulli tokësor.

 

 

Parisi

 

Profesori vazhdonte të habitej nga forca vitale dhe energjia e qytetit të madh, ritmi i lartë, kurdoherë rinor i ecjes përpara, e mahniste dashuria e pashuar për shfaqjet dhe dukuritë befasuese, madje edhe ekstravagante, meraku për fjalën mendjehollë dhe të bukur, për shijen e zgjedhur dhe të stërholluar kudo dhe në çdo gjë, por e adhuronte edhe për këmbënguljen e treguar për ta shpënë deri në fund çdo nismë, çdo shpikje dhe çdo veprimtari krijuese.

E ç’nuk i kishte dhuruar Parisi gjithë botës! Aty lulëzoi monarkizmi më absolut dhe më i shkëlqimtë, më i fuqishmi dhe më i përgjakshmi. Parisi është kryeqyteti i revolucioneve të pamposhtëshëm, në të gjeti  shpalosje mënçuria e Paskalit, opereta e Ofenbahut, e qeshura e Rablesë dhe ironia e urtë dhe thumbuse e Volterit, thëniet fluturake aq të goditura të mendimtarëve të shquar, por edhe e mrekullueshmja fjalë historike e Kambrionit, aq mbresëlënëse në vrazhdësinë e saj, parfumet me famë botërore dhe libri i Suvarenit “Fiziologjia e shijes”.

Në vazhdim të shumë qindvjeçarëve, Parisi ka qenë mbret i pranuar nga të gjithë, ka qenë zotërues absolut i modës dhe, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet i patundur në atë fron edhe shumë qindvjeçarë të tjerë, ashtu si do jetë përpara të gjithë popujve të tjerë në lëmin e matematikës, të kimisë, të fizikës, të ndërtimit, të të drejtës, të mjekësisë, të artit ingjinierik dhe të sa e sa shkencave e arteve të tjera.

 

 

Bardhyl Selimi

Përgatiti :  Bardhyl Selimi

26 prill 2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s