Poezi nga Dije Lohaj

dije

Poezi nga Dije Lohaj

 

 

 

UNË DHE DASHURIA IME MBIJMË NË FIJE BAR

 

Po,

Dashuria ime!

E tillë do të jem,

Ashtu si më ke njohur,

Në dhe e mbi dhe.

 

Dhe një ditë,

Kur të rrjedhë

Nga shpirti vaji i shenjtë,

Dhe të flas nga palët e tokës,

Kur barin tim të njomë

E puthin lulet,

Si blerimi yt, dashuri!

Do të jem dhe unë,

Ëndërr kafkash

Për portrete të natës në rrugë.

 

Po,

Dashuria ime!

Të dyja një gjini kemi,

Një fat mbështjellë me re,

Ti mbin në fije bari,

Në fije bari mbij dhe unë,

Mes lulesh që ujitin puthjet,

Edhe në këtë pranverë,

Që është penduar

Të jetë stinë e dashurisë,

Në rrebeshin e mallit,

Në kreshtat e stuhisë.

 

Po,

Dashuria ime!

E tillë do të jem,

Ashtu si më ke njohur,

Në dhe e mbi dhe.

 

 

KËNGË ZIE PËR KUJTIMET E MIA

 

Kujtimet fluturojnë atje lart si ai zogu shtegtar,
Lodrojnë krahëhapur e kthehen mbi qerpik,
Vijnë prajshëm të mbushur me puls ritmik,
Po vdekja më merr pa deh shpirtin ëndërrimtar.

Pyes, vallë, ç’është ky lak i zi e i trishtueshëm?
Tek shpupuris pergamenave të tij, kahmos,
– Në ishullin e vetmisë dashuria është groposur,
Dhe skllave në oazën e saj rri mendueshëm.

Këto kujtime më shpien këtu ku moti mbeta,
Krejt e pashpirt dhe e lodhur prej vrapimit,
Mbetur ëndrrave të mallit, të thella e të shkreta.

Në sytë e tu të çartur mbush gotën e trishtimit,
Psherëtij lëndinës në këtë natë tis të nxirë,
Dhe shpirtin s’e shpëtoj nga flaka e shkatërrimit…

 

 

LIRIA PO KËRKON SHPIRTIN TIM

 

Del nga plasa e shkrepave,
Pasi i ka mundur ligësitë
Dhe, e drejton dorën
Prej nga vjen drita,
Prej nga çohen peshë cunamët
Dhe bëhet gjak i shpirtit,
Rojë e tharmit të tokës.

Në këmbë mbi lirinë
Secili gjen yllin e vet,
Qiellin pa rezeza.

Liri!
Vetëm ti di ecjen tonë
Dhe emrin e atdheut
Vetëm ti e di.

Në kala
Vetëm ti i falesh
Hijes sate,
Atdheun cep më cep
E mbush me dhe mëmëdheu,
Vetëm ti
Mund të matësh
Atin dhe Mëmën,
Vetëm ti
Gjunjëzohesh më thellë sesa unë
Para gjakut,
Vetëm ti dëshmorit i jep shpirt.

Të jap jetën time, liri!
Që të ringjallesh
Nga hiri yt,
Feniksi im
I ditëve tona.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s