Poezi nga Lavdije Karrametaj Zalli

 

lavdije karrametaj zalli

Poezi nga Lavdije Karrametaj Zalli

 

 

NGA MINIERA E SHPIRTIT

 

Dëshirat në shpirtin tim

Gjithmonë më kanë vluar,

Si vorbull burimi,

Ngjizur me dashuri,

Me mirësi,

Të brumosura me gjak,

Në secilin hap.

Nuk di pse asnjëherë

Nuk arrij të ndjehem mirë,

Nga bëmat e gjithë kësaj bote,

Po ndjehem fajtore prapë!

Nuk kërkova shumë,

As atëherë, as sot,

Pak unë kërkoj,

Veç dashuri dhe mirësi

Që bota të lulëzojë.

Vallë, çfarë po ndodh

Me dashurinë dhe mirësinë?

Ato u zunë peng nga njerëz të shfrenuar,

Që trishtimin e bënë ajër,

Që shumë herë edhe frymën na e morën!

Në këtë labirint,

Kërkoj e kërkoj

Dhe prapë nuk po arrij

Që këtë mister ta lakoj.

Po nga ç’buzë dalin aq fjalë të bukura?!

A thua, nga ç’vend burojnë?!

Ah, aq të ëmbla, plot dashuri e respekt,

Pas shpine të ngulin shtiza,

Zezonë e tyre botën nxijnë.

Dhe ne zhgënjehemi çdo herë,

Zhgënjehemi në mendime,

Dhe prapë zhgënjehemi…

A thua të tillëve ç’gjak u vlon në gji?

Mundohem e vuaj,

Fajtorët nuk mund t’i gjej,

Si kameleonë ndërrojnë ngjyrë,

Kurse unë,

E mërzitur, e lodhur,

Gjumi më zë,

Duke pëshpëritur:

Vallë, a mos fajtore jam vetë!

 

 

LETËR NËNËS SIME

 

Nëna ime e dashur!

Kujtimet më rrinë varur në çdo çast,

Me to ditët i gdhij dhe i ngrys,

Sa herë prej teje u largova,

Mërzi e lot në qiellin E syve të tu lashë,

Dhembje e lot me vete mora…

Me shpirtin e vrarë l

Largësive udhëtoj,

Mora një pjesë të shpirtit tënd, nënë,

Që ngrohtësinë pranë vetes ta kem!

Ngrohtësi të gjej Edhe kur dimri në jetë boron…

Një pjesë të zemrës sime lashë,

Me shpirtin tënd të ngrohtë të mbesë,

Mallin që nuk e shuajtëm dot.

Ah, fati që me ne po luan!

Ah, e dashura nënë!

Malli na dogji sot e mot!

Çdo natë të sjell pranë meje ndër ëndrra,

Asgjë s’ma plotëson atë që unë dua,

Dua vetëm erën tënde,

Që vetëm ajo mallin ma shuan…

Dua të zgjohem çdo mëngjes,

Të prek duar, sytë dhe të puth ballin,

Dua që dy sytë e tu,

Robër të lotit të mos jenë!

Dhe shpiti yt të jetë i lumtur

Dhembjen e mallin më të mos e ndjejnë!

 

 

NË VENDLINDJEN TIME

 

A të ka marrë malli kështu si mua,

O vendlindja ime!

Shkrumb m’i dogje dhe këto vargje,

Që nisa sonte për ty!

E di ti?

Vetë më ke mësuar,

Se malli i madh

Mund dhe vdekjen.

Mos u trand nga fjalët me zjarr,

Ti e di si digjet shpirt nga larg,

Prandaj ai niset si një ortek i madh.

Më prit,

Vendlindja ime e dashur!

Më prit krahëhapur,

Se shumë më mungon!

Po vij aty ku gjej dashurinë

Dhe lumturinë kam pasur gjithmonë.

Më pritni,

Ju male dhe fusha,

Ju lumenj dhe liqene,

Ku askund S’e shova etjen si te ju,

Më prit,

E kaluara ime e bukur!

Më kthe dashurinë,

Që dikur kishim bashkë!

Më prit,

Lumturia ime,

Që dikur ke qenë me mua,

Dhe sot, ah sot!

Kaq larg nga unë po më rri!

Më jep pak kohë!

Dhe kthema kujtesën!

Largësia e pashpirt

Dalëngadalë po ma fshin!

Ç’kam kështu?

Ah, ethet e mallit po flasim!

Më kthe atë fëmijëri,

Që e kalova të lumtur,

Për pak çaste ta jetoj me ty!

Mos lejo që largësia dhe koha

Nga zemra të ma fshijnë!

Akoma pa ardhur unë,

Zemra më parë ka mbërritur,

Aty po ndjen dashurinë

Në flakën e mallit.

 

 

ENGJËLLUSHË, MOJ!

 

Çdo ditë më rri në mendje,

Edhe pse shumë vite kobzeza kanë ikur,

Dhembja ka mbetur po ajo

E më gërryen, si atëherë, si sot.

Ishte ditë e bukur,

E kremte ishte,

Të gjithë po festonim të gëzuar,

Fëmijët e tu të vegjël,

Mes dhomës po lodronin.

Medet!

Papritmas festa u përgjak.

Trishtimi dhe vaji

Përjetësisht pushtuan,

Fatin tënd në dorë

Vrasësit atë ditë e morën.

Ah, mikja ime e dashur,

Në sy të fëmijëve të vranë!

Buzëqeshjen në buzë ta ngrinë,

Me pelerinë vdekjeje

Trupin tënd ta mbuluan!

Çdo natë silueta jote

Më shfaqet si në vegim,

Ah, ëndrrat e tua

Mbeten peng në jetë,

Dhembja e pikëllimi

Gërryejnë e gërryejnë jetën çdo ditë.

Në stola të parkut po të pres,

Mos u vono shumë!

Po, ja!

Shih edhe ti!

Në fërfëritje gjethesh,

Jeta jote e bukur,

Më parë paska ardhur aty!

Edhe përtej vdekjes

Je dritë e syve të mi,

Mikja ime e shtrenjtë!

Engjëllushë, moj!

 

 

ZJARR MBI VUAJTJE

 

Ah, s’e kujtoj dot atë stinë të keqe,

Kur ti ishe larg në kurbet,

Kur shpeshherë jetoja ferrin,

Shumë herë isha e vdekur

Dhe prapë kthehesha në jetë.

Dy miq më shoqëronin orë e çast,

Një laps dhe një fletë e bardhë,

E u bëra hija jote dhe gjeta kohë,

Për një copë buzëqeshje,

Për një puthje të përjetshme,

Tek lotin me mallin bashkoja aty tok,

Po në vargje të ngrira kanë mbetur dhe sot.

Kaluan shumë vite që zemra lëngonte me ngashërim

Qaja aq shumë që ishe larg meje e s’të arrija dot,

Nuk kisha fuqi as t’i lexoja,

Doja të ndahesha nga ajo kohë,

E lumtur të ardhmen ta jetoja.

Por, jeta u bë e drejtë e më buzëqeshi,

Kur më ofroi pranë teje shqim,

I mora të gjitha letrat e mallit e të zjarrit,

Që për vite në zemër më kanë peshuar,

I dogja një e nga një

Vuajtjet që më s’duhen kujtuar.

Sot kam një jetë të lumtur,

Nuk dua ta lëndoj me të hidhurat kujtime,

Zemra është plot lumturi e gëzime,

Me ty, e dashura familja ime!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s