Poezi nga Myrteza Mara

 

Myrteza Mara - 1

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

MË THE TË TË PRES

 

Më the të të prisja,
tek “shtegu i Pritjes” të prita
unë, nata dhe dita!
Nuk dija ku ishe,
kush qiell të shikonte,
cilin diell verboje,
veç prisja!

Prisja bashkë me pritjen
nën hijen e pemës së pritjes tënde,
aty,
aty ku volëm qershitë
e psherëtimës-ëndërr!

Nuk di sa pritëm,
ndoshta shekuj,
duke zbrazur shishe vere
me etiketat e zverdhura të kujtimeve,
mbuluar me vesën e yjeve të lodhur.
Ti vjen e ikën,
zog shtegëtar në folen e vjetër,
unë dhe pritja do presim
edhe në jetën tjetër!

Kur të kthehesh
ne jemi në shtegëtimin e madh, këtu,
në trungun e pemës së pritjes,
do gjesh vetëm gërmat,
gdhendur me thonjt e durimit,
por mos i lag me lotë pendese!
“Unë jetova për ty
Ti, jeto për vete!”

 

 

URAT

 

E ndjej akullin në polin e largët,
Siç ndjeva edhe pranverën dikur
Nuk më mjaftonte diell i vakët
I ftohtë prushi i fjalëve në buzë!

Lundrojnë ajzbergët si pelegrinë
Drejt hemisferit ku troket një zemër
Vajtojnë telat mbi një violinë
Kush tha që jeta qenka një ëndërr?!

Unë e pash, e preka, e adhurova
Deti dhe dallga m’u bënë ninullë,
Çdo gjë tjetër desha dhe e harrova
Bota s’më duhej, mjaftonte një urë.

Një urë shpirti si syri i ylberit
Kalove ti e veshur me magji.
Që atë ditë nuk lindi më dielli
Fener i ëndrrave m’u bëre ti.

Por s’di si toka rrëshqet nën këmbë
Rrënjët e besës bëhen fije të holla!
Si erë pa shije teret çdo këngë
Pasqyra e syrit mbushet tërë njolla!

Edhe fundi i fundit vjen një ditë,
Harrimi i Madh bëhet mbretëri.
Urat s’vdesin nga perënditë,
Shemben atëhere kur s’ka dashuri!

 

 

“NDËSHKIMI” YNË

 

E di përmendësh udhën tënde të zjarrit,
Dhe sa hapa bëra për të ardhur tek ti
Ti qesh dhe më thua: I ngjan një të marri!
Por unë nuk të mërzitem, çudi!

I kam mbjellë nën lëkurë puthjet e tua,
Edhe ato që t’i kam rrëmbyer “me dhunë”
Ato, të mjaltat, që më çmendin mua
Ato më përkundin edhe më shumë!

Ndjej hapat e tua mbi çatinë e ëndrrave,
Kur zbret si stuhi në shtratin tim
Në ka tërmet, më të madh se i zemrave,
Është firma jonë në një betim!

Frymën e psherëtimave ta ndjej që larg,
Dallgën e shpirtit ke bërë gjymtyrë
Të më pyes Zoti s’do doja tjetër fat
Veç dy sytë e tu i kam si pasqyrë!

Kam ngritur një kështjellë me gurë bese
Themelet i hodhëm mbi rrënjët e dashurisë
Nga dritaret e ylberta hynë diell shprese
Tok me bekimin e urtë të perëndisë!

***
E gjej përmendësh edhe me sy të lidhur
Udhën e zjarrit që më përcjell për tek ti
Është udha e fatit që kur jemi lindur
“Ndëshkimi” ynë në këtë dashuri!

 

 

NJË ÇAST

 

Një çast mendova se të humba,
kulpra e rrëqethjes në shpirt,
doja të klithja, por nuk munda,
doja të ikja, por s’munda të ikë.

Ku të shkoja, nuk ka më rrugë,
nuk ka shtigje, s’ka kryqëzime,
nuk ka ura, nuk ka as lumë,
aty mbaronte dhe kënga ime.

Një çast mendova fundin e botës,
botë pa ty nuk ka si të ketë,
u pa dhimbja në pasqyrën e lotit,
unë nuk shikoja asnjë yllshpresë.

Një çast u zhyta në detin e pendimit,
nuk u luta, s’kërkova dëshmitarë,
pa ty jeta është ora e flijimit,
pa ty unë mbetem një ishull polar.

Një çast ishte, vetëm një çast
njëlloj sikur të isha në ëndërr,
i dogje retë e zeza me flake,
ti ishe te vendi yt në zemër.

 

 

HORIZONTE TË RRËZUARA

 

Litarët e kambanave këputur, s’ka tinguj,
Erërat fishkëllejnë melodinë e ortekëve.
Më parë i vdesim se sa i lindim idhujt
Pastaj, zijuar, psallim himnet e vdekjeve.

Tradhëtitë vishen bukur, vezullim mëkati
Gjymtyrët-ferra. Si s’gjendet një zemër!?
Pikëpyetje të krrusura mbi eshtrat e fatit
Përkthejnë heroglifet e plagëve pa emër.

Nën strehën e mallkimit pikon dhembja,
Trualli gropëzohet nga plumbi i lotëve
Ku thahen rrënjët nuk mbinë më bima
Aty ndryshken meridianët e dy botëve.

Ret’e trishtimit në shtegun e lamtumirës,
Por bravat e ndryshkura kuisin si shpellë
Gjëmojnë dinosaurët në oda të greminës
Dhe ajri dhe drita ngjyrosen me të zezë.

Klithmojnë malet në humnera varrosur
Legjenda të vrara mbi lisat pa rrënjë.
Horizonte të rrëzuara, shpres’ e plagosur
Kjo botë invalide, pa kokë e pa këmbë!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s