Poezi nga Sokol Otobashi

 

sokol otobashi

Poezi nga Sokol Otobashi

 

 

Eh nënoke!!!

 

Unë kam pirë sot nënoke, koka më rëndon

ti pranë meje rri menduar, krahët më fërkon.

Une rashë poshtë sot nënoke, një betejë humba sot

ti më sheh e shqetësuar, mbushur sytë plot me lot.

 

Punë s’ gjeta prapë nënoke, bukën kam siç ma dhe

futur kam në sqetull hallin, falmë nënoke e më ndje.

Ti gjithmonë ke besuar, më ke parë si perëndi

tashmë, unë, me zor çapitem, këmbët heq si fëmijë.

 

Nuk më qasën edhe sot, ajo derë u mbyll prapë

ndoshta panë që jam i dobët, apo ndoshta s’ kam ç’ të jap

dhe mërzia më pushtoi, falmë nënoke këtë herë

se mëngjesi që do vijë punë të re do më bjerë.

 

E në s’ gjej, të betohem, duarboshë s’ do të vij

do të sjellë mirënjohjen, lot të syrit të të fshijë,

do të shtrojë në sofrën tonë atë bukë që dhe ti;

fjal’ të mirë për njerinë, vlerësim e dashuri.

 

 

 

I panjohuri

 

U shtang im bir dhe vrapin ndali e më s’ thërriti “Babi im”

një çast dyshimi i mbajti hapin dhe zu t’ më ruajë me pendim.

Si zog i trembur vështroi rrugicën në isha unë a tjetër kush

eh, s’ pati faj, i miri im, në heshtje vija; maraz e prush.

 

Më pa im bir, që larg më pa dhe krahëhapur erdh e rend

por ndali befas, u kthye pas dhe pranë portës zuri vend,

tulati kryet, trumcaku im dhe zu një qoshe të  shtëpisë

si mjegull vija, shtegëtar me halle, a humbameno që gjezdisë.

 

Më sheh me gas, por dhe hutuar, nuk di ç’ të bëjë i miri im

më ka ndër sy, por nuk më njeh; një i panjohur në trishtim

“U ktheve Ba?-më flet më pas dhe buzëqesh ”i zënë në faj”

Ah,shpirti im, si s’ paskam sy,-me vehte flas, me vete qaj.

 

Harruar kam nga pun’ e lodhëshme, se jam prind e kam fëmijë

harruar kam, biri im, nga udh’ me halle po mbërrij

ndaj eja pranë të të pushtojë e të të mbajë në kraharor

dhe fale atin e sfilitur, që trishtimin mban në dorë.

 

 

 

Shtegëtari

 

Se ç’kanë rrugët;fshehin gurë

Ah, të mjerat ç’gri kanë marrë

ç’ u benë hi e mbuloi pluhrë

Rrugë gjatat, rrugët ndarë.

 

Se ç’kanë rrugët, marrin  dhenë

E më lënë pa tabanë

ç’ u kam bërë  që më çojnë

Në tartarin e pa anë.

 

Se ç’ kanë rrugët, që  s’ më flasin

Sikur  shpinën t’ u kem vrarë

As me flakin, as me qasin

Udhëbaltëzat, buzët tharë.

 

Seç kanë dyert që kërcasin

Hap më hap e prak më prak

Thua njohin e përflasin,

Pëshpërisin: ’’Endacak’’.

 

Tek kjo portë  dikush hyri

Njërëz duken, frymën mbajnë,

Apo, ndoshta, s’ më pa syri

Gjethet ranë, a pemët shajnë.

 

Seç kanë udhët që s’mbarojnë

Ah, të mjerat, vijnë përqark

Mure heshturat s’ tregojnë

Ku dhe si të ndalem pak.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s