Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza Mara - 1

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

MËRGUAR LUTJET

 

Brenda skeletit të kornizës,
të dilemave të vjetra,
ngjirret kori i korbave të thashethemeve,
ndryshken akrepat e thyer
të orëve të lodhura të jetës.
Dhe varret bymehen
nga dhimbjet e gurëve,
postulatet e zverdhura të apostujve
arratisen
pas ortekëve të marrëzive,
sponsorizuar nga urrejtja e verbër.
Në muret e mykur të natëshpirtrave
gjejnë strehë
klithmat e grisura të mosmirënjohjes,
pas skeletit të hijeve invalide
kanë mërguar dhe lutjet!…

Oh, sa kafshime
shiten për puthje!

 

 

FLAS ME NJË PORTRET

 

Mbaje zemrën time, sikur veç për valle
Beje shtizë flamuri, ndiz me të dhe zjarre.
Është zemër poeti, gjak prej vetëtime
Troku që jehon vjen nga zemra ime!

Unë rrit një ëndërr, ushqej një shpresë
Dhe i falem Zotit që m’dhuroi dy jetë.
Më fali një qiell, më rinisi udhën
Më dha diell shpirti, prushëroi muzën

Tani, t’gjitha këngët kanë emrin e saj
Brohoras i lumtur dhe më vjen të qaj
Janë lotët e mallit për kohën e humbur
Janë lotët e zjarrit për magjinë e bukur.

Shikoj një portet, end dhe një dëshirë
Shpirti më kullon bëhet si rrëshirë
Dhe të flas në emër, ti veç buzëqesh
Të them më je shpirt, të kam edhe jetë.

Ti më vret me heshtje se të kam larg
Pasqyrat e fjalëve janë veshur me natë
Mos më ver në provë, jam gurë me rrënjë
Di të qaj bukur, di t’këndoj dhe këngë.

Di, oh, çfarë nuk di, për ty di aq shumë
Di që vdes për ty, di që s’bëj dot gjumë.
Di se të kam dritë, në varg të kam rimë
Në aortë të zemrës të kam si violinë.

Di që të kam jetë, Jetë edhe të quaj
Di që vdes për ty, di edhe që vuaj.
Di se do të të dua sa të kem frymë
Veç me emrin tënd thërras dashurinë!

***
Unë ta fala zemrën, ta fala dhe jetën
Nuk besoj në qiell, besoj të vërtetën
Eh, moj mikja ime, ndiz vargun e këngës
Sa të shkon vallja, si shami një zemër!

 

 

JETA FATURË

 

Dhe për udhët që nuk shkoi
Atit tim i kërkuan taksë
se mbretin e zinte lemza në gjumë.

Si fishekët në gjerdan pagoi me radhë:
Taksën e oxhakut pa ndezur një herë zjarr,
Taksën e qiellit pa fluturuar kurrë;
Taksën e gjakut pa shkelur mbi një varr,
Pagoi për arën që rriste vetëm gurë,
Dhe taksën e urës kur nuk kishte lumë.

Unë linda dhe u rrita në rresht,
s’kishte nevojë për taksë,
taksa ishte shkëmbyer me jetën.
Qesh, më thanë, edhe kur të qahet,
brohorit edhe nëse të bjenë dhëmbët,
gëzo edhe kur zemra të çahet…
Ej, një taksë më pak është ëndërr!

Psherëtimat e viteve janë bërë
si ortekët me gurë,
por unë kam hallin e nipave
se do paguajnë
dhe për taksat që s’pagova unë!

E gjithë kjo jetë-faturë.

 

 

GREKJA E VOGËL, AMALI

(Në vend të urimit, me rastin e pashkëve!
Gëzuar Pashkët! )

 

As dëbora e malit
nuk është më e bardhë
se buzëqeshja jote,
grekja e vogël Amali!

Gjithë yjet e qiellit
janë venë në garë,
me arin e ëndrrave
të thurin kurorë për ty.

Me besimin tek Zoti,
ndeze dhe për mua
një qiri.
Jemi prej gjaku e loti,
në frymën e kësaj jete,
grekja e vogël Amali.

Dy zemra
të sollën në jetë
nga zjarri i dashurisë.
U bëre e gjitha shpresë,
plot dritë ylberi
në qiellin e lumturisë.

Dhe unë poeti
këputa një varg
nga dielli i shpirtit tënd
(të më sjell fat),
o grekja e vogël Amali!

Refren i ëmbël
për çdo këngë,
rimë e bukur dhe në poezi!

 

 

FATI I FATIT

 

Përse nuk u veshe me faj
siç vishet lisi
me litarët e kulprës?
E vare buzëqeshjen
e bëre shkallë,
më ngjite për një të puthur!

Pastaj më ndeze etjen,
më bëre rrjetë
rreth kurmit tënd magjik.
Atë çast
mendova dhe për vdekjen,
çudi, nuk ndjeva frikë.

Dhe më le atje
varur në një yll shprese
vet humbe në errësirë.
Sa po vonohet
ky mëngjes vese,
s’më the as “lamtumirë!

Por unë do të pres,
siç pret syri diellin,
jam mësuar me pritje.
Ti do të vish
mbi urën e një ylberi
atje dhe do të ngjitjem!

Po faji?
Do mbetet jetim
si gjithë fajet e tjerë!
Sepse fati i fatit
nuk ka çmim
ai vjen vetëm një herë!

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s