Poezi nga Mimoza Çobo

Posted on May 22, 2016

0


 

Mimoza cobo - 1

Poezi nga Mimoza Çobo

 

 

NJË FOLEZË DUA

 

Lermë të mbjell buzës sate blerim,
lulja e dashurisë të hedhi rrënjë,
lermë të thur gjirit fole me lulërim,
inati buzës të bjerë,në s’të ka rënë…

Pranë teje humbas,as vetë se di,
sa kohë më duhet të bëhem rrjedhë,
që ti të pish një gllënjkë pa frikë,
kur pjalmi i shpirtit tim të ndjell.

Dhe aromë natyre aty do mbjell,
të zgjohesh prej gjumit letargjik,
dhe pse vërdallë, ti mua më sjelle,
s’iki pa të joshur me syrin magjik.

Shpirti lajthitet,si vala në bregore,
që dehet kur lyen buzën me rërë,
ofshame e tij trazon shpirt e pore,
aty,ku ndjenjat me lak të zënë.

E nëse të deh aromë e vajzërisë,
se brumin e saj gatova me zemër,
mbështille me puthjet e djalërisë,
folezës që ngrita t’i vëmë një emër.

 

 

DO E PI KAFEN SI POETESHË

 

Një kafe në mëngjes e dua me shpirt,
ndaj në verandë do rehatohem ta pi,
të zgjohen gërmat e vargut ligjërim,
që kafja t’më shijojë si s’ka më mirë.

Sa më pëlqen aroma e indërshave,
që kacavirren ëmbël ballkonit tim,
në daçin të pinë me mua një kafe,
filxhanin ta rrëkëllejnë me dëshirë.

Në dashtë kafeja ndonjë petale,
tek-tuk mbi sipërfaqe të pluskoj,
ti lutet gonxhes me mirësjellje,
mbi shkumë aroma të lundroj.

Në daçin me mua të thurin vargje
s’ka më mirë,se nxisin fantazinë,
ndërkohë që shpirti shkruan në paqe,
kafja t’më zhysi muzës pa kthim.

 

 

GOCË E BERBERIT

 

Si legjendë e gjallë udhëve të Fierit,
shfaqet bukuria jote përmbi hënë,
mes këngës hyjnore gocë e berberit,
vargjeve të saj nuri ç’të ka rënë.

Thonë ishe e bukur, rënë prej qiellit,
baluket e zeza ballin kishin ngrënë,
dhe pse i prisje me gërshërë t’sherperit,
ato brënda natës ballin kishin zënë.

Kjo bukuri e paparë zemëronte diellin,
sa rrezja kur të prekte të kishte zët.
dhe pse s’të linin të shëtisje Fierin,
pas gardhit rrinte djemuria e tërë.

Ah,moj muhaxhire ç’i bëre miletit,
ëndërrimesh si zanë i vije në gjumë,
ah,ç’i bëre djalërisë,moj gocë e berberit,
i’a theve zemrën,shpirtin më shumë.

Ngjyrë e buzës sate joshte çdo djalë,
bukuria derdhej vello syrit të Myzeqesë,
ah,si s’të puthën,sikur njëhërë në ballë,
askush s’të mori dot nuse dhe pse të desh.

Erdhe si fllad dhe si fllad i ëmbël ike,
mbete nëpër vargje bukuri e rrallë,
më qafë more dynjanë,moj bukuri nazike,
kush ka mbetur gjallë,të kujton me mallë.

 

 

SHPIRTIN MA GËZOVE

 

Si rrezja e diellit linde dalë-ngadalë,
nëpër vesën e majit,që pagdhirë,
ti,qave aq ëmbël,sa më le pa fjalë,
zgjove gjithë natyrën,nipi im i mirë.

Atëherë nuk prita,të vura në kraharorë,
e ti, ëmbëlsisht mbylle qepallën,pa t’u lutur,
ninullën këndova e të përkunda në dorë,
gjersa cele si gonxhe,ata sy të bukur.

E mbaje mend zërin,qëkur ishe në bark,
ndaj buzëqeshe krahëve pareshtur,
buza sikur thosh;”Gjyshe të kam xhan!”
Shpirtin ma gëzove,nipi im i qeshur.

 

 

DO MË DUASH SI DIKUR

 

Ishulli i dashurisë sonte s’pipëtin,
cdo gjë në gjumë të thellë ka rënë,
një puthje sipër buzës tende dremit,
tjetra ngashëren me tinguj të rëndë.
.
Një valë ishullore të përkundi lehtë,
faqet shpupuriti ëmbëlsisht si dikur,
sikur të ulesha qerpikut tënd si pëndë,
syrit do t’ia fshija trishtimin kapitur.

Ishulli përflakur perëndimit kundërmon,
mos kujto,se pa mua,do biesh në gjumë,
sado të përpiqesh,ta dish,është e kot,
cdo kujtim ta bren shpirtin më shumë.

Kur bregut të rendësh rërës së njomë,
valëve ndoshta ndjen një psherëtimë,
dije,se jam unë,kur era prek me dorë,
flokun e butë që rri derdhur mbi shpinë.

Atëherë përmalluar,do duash të vij,
kur ishulli të ketë rënë në gjumë,
nëse qepallat mbyll,padashur si fëmi,
jastëk dashurie,për ty,do bëhem unë.

 

Posted in: POEZI