Shqiptarët kryengritës dhe shqiptarët asnjëjës (Nga një kronikë e gjetur në analet e vjetra të Manastirit të Deçanit) / Tregim nga Rrahim Sadiku

Posted on May 22, 2016

0


Shqiptarët kryengritës dhe shqiptarët asnjëjës

(Nga një kronikë e gjetur në analet e vjetra të Manastirit të Deçanit)

 

rrahim sadiku

Tregim nga Rrahim Sadiku

 

Hirësisë së Tij, peshkopit Melentije të Peshkopatës Rashkë-Prizren, nga prifti kronist i Manastirit të Deçanit, Sofranije, më 15 shtator 1890.

Hirësi! Ju bëj me dije se jam shpirtërisht i interesuar për ta publikuar pasurinë e madhe që na e la trashëgim e kaluara e lavdishme e Manastirit tonë. Edhe Ju më dhatë pëlqimin e më përkrahët pa ngurrim. Punën e fillova me vullnet dhe shpresoja se do të arrija gjithçka kisha synuar. Por, fletë pas flete, shpesh jam mbushur vrer, ngase kjo lavdi shumë shpesh më dilte ndryshe nga ajo që dija e nga ajo që doja dhe sikur shihja një histori tjetër për ne, për Manastirin tonë dhe për Madhërinë e Tij, Mbretin Pjetër. Merre me mend. Hirësi, se ka dokumente ku thuhet se edhe Manastiri ynë i shenjtëruar, na ka ardhur nga shqiptarë! Sa më thellë po shkoj nëpër ata vite, aq më shumë po e shoh të pranishme një lidhje të ngushtë gjaku e historie, trashëgimie e kulture, me shqiptarët. Dhe e keqja është se shumica e këtyre dokumenteve thonë se ne jemi krijuar nga fise të pastra shqiptare ose nga martesat me shqiptarët, sepse paska qenë faltore e tyre e lashtë. Nuk e di se si kishin ardhur deri në ditët tona ato bastardhime historie, po unë i kam ndarë të gjitha dhe, nëse më jep leje Hirësia Juaj, edhe do t’i zhduk pa gjurmë. Kur jam shkolluar për prift, mbaj mend se na kanë këshilluar që kur e keqja rrezikon të na mbulojë, zjarri e shpata janë pastruesit më të mirë.

Hirësi, vetëm për të vërtetuar këto pohime të mia, po Ju dërgoj një pjesë kronike, zgjedhur nga shumë e shumë kronika të tjera, kësodore:

Kronikë (e shkruar njëqind e tridhjetë vjet pas shenjtërimit të Shën Savës, në Perandorinë e Dushanit të Fuqishëm), më 1349

Pranvera vonoi këtë vit e ne mbetëm të rrethuar nga shqiptarët kryengritës e të ndihmuar nga shqiptarët asnjëjës. Kemi mbetur në këtë gjendje pakuptimësie e gjysmëshprese e sikur jemi pajtuar me të. As ata e as ne nuk ndërmarrim ndonjë hap për të ndërruar gjendjen. Shqiptarët edhe nuk kanë si të besojnë se do të ndërrojnë diçka në të mirë të tyre, sepse po filluan luftën, duhet të luftojnë së pari me të vetët e po qëndruan si po qëndrojnë, do të humbin luftën prej vetvetiu, sepse neve do të na mundësohet shpëtimi dhe ai po na vjen pikërisht po nga shqiptarët. Hirësia e Tij, Teodosije, që këtë dimër erdhi të na vizitonte e këshillonte si të asgjësonim shqiptarët, nuk mundi të udhëtonte pastaj nga shkaku i motit të lig. Dhe mirë që ndodhi kështu, sepse ishte ai që e vërtiti punën aq mirë, as unë që e kam shoqëruar në bisedime, nuk e kam të qartë se si arriti, por i vuri shqiptarët përballë njëri tjetrit. Prandaj kemi shpresë se me ardhja e stinës së re, do të na vijnë ndihma të shumta ushtarake e ushqimore, të cilat i kemi kërkuar qëmoti, po rrethanat e motit nuk i mundësuan. Duket edhe pranvera po luan me ne, ajo ishte vonuar sa nuk e po e besoimë që po ndodh me të vërtetë. Sikur natyra po do të na bind se ka qenë reale ajo legjenda ilire për dimirn shumë të gjatë në Ultësirën Arbnore, të cilës kemi vendosur t’ia ndërrojmë emrin sa më parë. Vërtet ka qenë dimër për t’u mbajtur mend. Kjo na duket edhe më e rëndë ngase misionarët tanë gjatë këtij dimri nuk kishin kryer pothuaj asnjë detyrë, nga ato që ua ka që ua ka ngarkuar qendra. Disa që u nisën me mison, humbën e më bëhet se nuk janë më midis të gjallëve.

E gjërat kanë ndryshuar shumë. Nga ne sllavët është forcuar dhe përvetësuar pothuaj e gjithë ortodoksia dhe tashmë mund të thuhet pa u hamnedur se ne jemi zotërues të Fanarit në Konstantinopojë, ashtu si edhe në të gjitha degët e tij, në gjithë hapësirën lindore. Problemet me bullgarët i kemi sheshuar e me grekët ato i kishim të sheshuara që nga fillim dhe problemi i vetëm na kanë ngelur shqiptarët, me të cilët jemi kaq të afërtë e kaq të largët, sa edhe më të diturit nuk mund të parashikojnë se wka do të ndodh midis nesh në të ardhmen. Ndoshta armiqësia e theksuar dhe simbioza shumë e dukshme midis nesh ndodhin nga shkaku se ne ishim ata e ngase shumë nga ata nuk donim të ishin ne. E ne duam që ata të jenë, vetëm ne.

Pasardhësit e Vasos, kelmendasit të pastër, udhëheqësit të një pjese të këtij fisi shqiptar, banorë të kreshtave pothuaj të pakalueshme malore, tashti ishin botërisht serbët më të pastër dhe mbrojtësit më të devotshëm të serbizmit. Madje edhe neve, që jem mbyllur këtu në manastir, po kelmendasit na mbrojnë, madje ata kelmendasë që nuk kanë pranuar t’i bashkohen krahut të pasardhësve të Vasos. Mund të them pa u mëdyshur se ne nuk do të ishim kurrë shtet e as perandori pa Vasojeviqët, si e quajnë veten pasardhësit e Vasos sot. Ata e i kemi gjeneralë, drejtuesë krahinash, udhëheqës shpirtëror të popullatës dhe hakmarrës të pashpirtë, kur për këtë kemi nevojë. Sidomos kur kemi të bëjmë me shqiptarët. Me shqiptarët gjithnjë punët na i pastrojnë po shqiptarët, vasojeviqët.

Shtesë

Hirësi. Më thuaj a lejohet që në këtë kohë të lejohet që një dokument i këtillë të bjerë në duar të historianëve, që po duan të krijojnë histori shqiptare, komb shqiptar dhe shtet shqiptar?! Dekumente të këtilla, po edhe më të këqija e më të dëmshme se ky, nuk duhet të mbijetojnë kurresi.

Me rspekt të thellë, edhe një herë, si gjithnjë prifti kronist i Manastirit të Deçanit, Sofranije.

 

 

Posted in: PROZE