KARAKTERISTIKAT E SHTRESËZIMEVE SHOQËRORE NË ARTIN LETRAR ( Pjesë nga një artikull ) / Nga : Xheladin A. Çitaku

KARAKTERISTIKAT E SHTRESËZIMEVE SHOQËRORE NË ARTIN LETRAR

( Pjesë nga një artikull )

 

 

Xheladin -2

Nga :  Xheladin A. Çitaku

 

 

– Faktet e jetës, brenda kornizave të caktuara shoqërore, përshkruhen përmes mjeteve të artit dhe formësohen në postulate artistike-letrare të caktuara, të cilat paraqesin rrjedhën e zhvillimeve brenda grupimeve a shtresave shoqërore, në kohë e hapësirë përkatëse. Fotografia e tillë shtrohet, jo në përshkrimet koncize që shprehin aspektin kronologjik-historik a rrjedhën strikte të ngjarjeve shoqërore, por aspektet e ndjeshmërisë dhe emocionalitetit të individit, grupimit a shtresës, të cilatë përfaqësojnë kategori shoqërore të ndërlidhura. Poetika (për shembull), vijëzon ndjenjat që reflektohen në kohë dhe situata, pasqyron reagimet e botës së brendëshme shpirtërore të shtresëzimeve shoqërore, pikturon impulsimet ndërndijore e imagjinare, të cilat tabloizojnë, pastaj, tërësinë e jetës së formacioneve të caktuara shoqërore, karakteristikat veçuese që prodhojnë emocionalitete adapte; esencialisht, ngjyrimin artistik të tyre dhe aspekteve socio-psikologjike dhe përvojës shoqërore, në përgjithësi. Pokështu ndodhë edhe me llojet tjera letrare, prozën dhe dramën. Tematika që shtjellohet, ngjarja që zhvillohet (reale apo imagjinare qofshin), ndërtohen mbi bazamentin e një organizimi, në të cilën dominojnë rrethana të caktuara sociologjike, psikologjike, mendësi a mentalitete, të cilat identifikohen me një bashkësi ku zhvillohet skena a përshkrimi letrar, e cila shërben si furnizim burimor me lëndën e duhur për ta sajuar veprën, për ta shtruar kompozicionin; i jep asaj ngjyrimet e duhura karakterologjike të subjekteve që përfshihen, i jep asaj bazën ambientale, por i jep edhe veçoritë që vizatojnë brendësinë e një konjukture që përfaqësohet aty. Me një fjalë, kompleksiteti i formacioneve shoqërore inkorporohet në veprën letrare, duke e spostuar atë në konturime artistike, duke e transponuar në një realitet letrar, për të cilin angazhohen autorët.

– Zhvillimet historiko-shoqërore derivojnë edhe motivime, përshkrime, ndërtime letrare, që shpërfaqin shkaqe a pasoja, rrjedhime të ndryshme, të cilat vijnë nga shtytje të drejtpërdrejta a indirekte të zhvillimeve të tilla, vijnë si transformime të shoqërisë të ndikuara nga to. Këto elemente strukturohen në tërësi kuptimore të ndërlikuara dhe përbëjnë aspektin artistik të pasqyrimit të stadeve nëpër të cilat kalon shoqëria. Mbi këtë bazë lexuesi konsumon informacionin për vlerat e një shoqërie, pozicionimin në etapa historike, përjetimet, ambiciet, dhe karakterin e përgjithshëm të saj, duke përfshirë edhe mendësinë dhe shtresimet shpirtërore. Vepra letrare e mundëson këtë gjithanshmëri, sepse e mënjanon konvencën e fakttografisë dhe argumentimit të strukturimit. Duke ravijëzuar aspektet, duke theksuar specifika në ndërtimin e ngjarjes a shtrirjen e motivit, vepra letrare i përmbahet një konteksti real, ngërthen elemente të realitetit jetësor të formësuara në intonimin vjershëror, në kornizimet prozaike a në aktet (skenarët e inskenuar ose jo) të dramës. Konteksti i të përjetuarit real bartet në konstruktin letrar përmes kultivimit dhe shëndërrimit të faktorëve motivues (edhe jashtëletrar), ingranimit të tyre në mjetet dhe metodologjinë krijuese artistike, duke ngritur një ngrehinë të re semantike dhe formësore. Kjo është pasqyra ku shpërfaqet tërësia lëndore dhe ndijore e një shoqërie, ku janë të dukshëm elementet vepruese dhe përjetuese, objektivizmi i dukshëm dhe subjektivizmi i ndjerë; tematika paraqitet si tërësi kuptimore dhe refleksion mbreslënës.

 

REFERENCAT E BOTËS REALE NË TEMATIKËN LETRARE

 

– Intereferimet joletrare, ato të botës reale në përcaktimin e temës shtjelluese a motivin, krijojnë raportin kuptimor në mes realitetit përjetues dhe ndërthurjes letrare-artistike, duke pohuar rolin përgjithësues të zhvillimeve shoqërore në ndërtimin e konkretësive letrare, duke shërbyer si infrastrukturë e transmisionit të idesë dhe sendërtimit të saj, në rrethana përkatëse shoqërore: P.sh. vepra e De Radës, ajo e Migjenit, veprat e Rilindasëve tjerë, apo tragjeditë e Shekspirit, kërkojnë patjetër këtë lloj infrastrukture shoqërore, konformitetin me mentalitetin dhe stadin e zhvillimit, rrethanat jetësore, shkallën e zhvillimit shoqëror, përgjithësisht. Romani “Skënderbeu” i Sabri Godos s`mundë ta tejkalojë momentumin historik të shoqërisë shqipëtare të kohës, edhepse misioni i tij është strukturimi artistik i brumit, zbërthimi artistik i ngjarjes, pa koncizitetin e faktit, si element bazik i shkencës së historisë. Poenta e veprës letrare nuk është saktësimi i rrethanave shoqërore, por sajimi artistik-letrar, rikonfigurimi i ngjarjes dhe kushteve sipas kërkesave të artit. Ose, “Pallati i Ëndrrave” i shkrimtarit Ismail Kadare shpërfaqë mbarështrimin e mendësisë të një organizimi shoqëror, të një sistemi, të impulsimeve shpirtërore të individit si pjesë e e këtij organizimi, si element i të përgjithshmes, karakteri që përfaqëson një grupim të caktuar. Gjithashtu, F.S.Noli shquhet në përshkrimin e karakterit të shoqërisë përmes individualizimit të cilësive a veseve, duke portretizuar edhe ndjenjën, si produkt i reagimit në momente dhe situata. Pokështu, preokupimet shoqërore dhe ngacmimet emotive të kohës janë prezente edhe në Letërsinë e Rilindjes, si te ajo Europina poashtu edhe te ajo kombëtare, më vonë. Temat që shtjellohen në veprat e lartpërmendura i referohen (në masë dominuese) realitetit të kohës, mentalitetit të shoqërisë apo synimeve të grupimit. Kështu arti letrar i përgjigjet kontekstit rrjedhës, duke bërë rigrupimin e vlerave të qëndrueshme nëpër kohë. Krijime të ndryshme, tematika të nxjera nga konteksti ofrojnë informacionin për aspektet e zhvillimit historik dhe konvencat që mundësojnë njohjen, pastaj, të veprës letrare, edhepse shpeshherë ajo prezentohet si problematikë e diferencuar që i përket vetëm nivelit artistik. Kjo ndodhë, sidomos, te poezia, veçanërisht te poezia moderne, e cila transmetohet si refleksivitet dhe strukturim i fragmentarizuar, herë-herë.

– Autori, si anëtar i një bashkësie, shprehë ndjenjën, synimin, mendimin individual përmes kësaj vepre, por shprehë edhe kapacitetin shpërfaqës të bashkësisë që i përket. Një vepër e gjatë letrare (epi a romani) shtrihet në sfondin e përbër nga karakteristikat e një bashkësie apo grupimi, ndërkaq veprat më të shkurtëra (poezia, psh.) ofron botën ndjesore, emotivitetin dhe potencialin imagjinar të një formati shoqëror. Kështu letërsia bëhet pjesë e identitetit historik të rrjedhave jetësore të bashkësisë, reprezentuese e aspekteve socio-psikologjike, e mendimeve dhe ndjenjave të shtresave të caktuara dhe specifikave dalluese. Pra, vepra letrare duhet trajtuar edhe si krijim shoqëror. Si e tillë ajo shihet si pasqyrim edhe i jetës shoqërore, të përkufizuar në hapësirë e kohë.

– Raport letërsi-shoqëri konsiston në kuptimësitë e veçantisë artistike, pra si formë e posaçme e shpërfaqjes së jetës si art, si çështje specifike e mardhënieve shoqërore. Shprehja letrare përfaqëson ndërlikueshmërinë e përshkrimit të rolit që ka letërsia në shoqëri. Kështu funksioni i letërsisë shpreh botkuptimin artistik, në tërësinë e tij. Disiplina shkencore kompetente për sqarimin e këtyre raporteve e mardhënieve është Sociologjia e Letërsisë, e cila studjon relacionet mes letërsisë dhe jetës shoqërore…

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s