Poezi nga Luan Rama

 

Luan Rama

Poezi nga Luan Rama

 

 

Si dikur Jean Cocteau

 

Për të shkruar një poezi dashurie

Jean Cocteau imagjinoi prerjen e gishtit

dhe ndodhi që në rrjedhën e gjakut,

një rrëkezë të shndërrohej në përrua

një lumë të derdhej në detin e një shpirti

që përplasej në thepisje brigjesh plot shkumë…

Dhe unë, në ditët e para të rinisë

për të shkruar një poezi dashurie nuk di pse një zë më foli:

«Preje dorën dhe shkruaj tani me gjakun tënd!»

Dhe unë i shkrova të dashurës time: “Për ty gjaku im!”

Pastaj ndoqa rrjedhën e gjakut

si dikur në ëndrrën e poetit Cocteau

aromë gjaku, hiri e zjarri,

udhëtoja kështu në atë lumë për të shkuar në pragun e saj

për tu dehur dhe zbritur poshtë

në gjenezën e botës…

 

 

E puthura e fundit…    

 

Dua të të puth për herë të fundit

dhe pastaj të shkoj

që plaga e hapur të më jetë më e lehtë

dhe kujtimi yt kobalt më i ëmbël,

e di, të vjen keq për burrin tënd të mirë

ti nuk do që ai të vuajë përsëri,

ti e do dhimbjen për veten tënde,

lotin e hidhët e të hirtë për syrin tënd,

trishtin si shtroje në natën që s’mbaron,

mbulojë veluri në zi, ku zemra përpëlitet gjak…

lermë, jepma shpirtin dhe një çast,

dua të të puth për herë të fundit

dhe le të shkoj pastaj në fund të botës,

puthja tënde do të jetë ylli im i mëngjesit,

shtrati prej mishi e zjarri,

shtruar me ëndrrat që kishim thurrur në ethe

në një pranverë të vetme,

si të qe veç një ditë, një orë,

kohë e mbetur pezull

mbi akrepat e gozhduar të mos-kohës

lermë tani të të mbuloj me të puthura,

mbi kurmin tënd të udhëtoj si dikur,

ti, bleroja ime e artë si në një pikturë të Klimt…

le të shkoj pastaj përtej hënës e diellit,

le të humbem, shuhem e digjem,

në puset që kanë shterur, pa fund,

me gjakun tim do të mbjellë karafilë

dhuratë për gjithë të dashurat që s’i kam harruar

që dashurinë ta mbajnë prush gjithnjë …

 

 

Të kujtohet?  

 

Ishte një natë e ngrohtë vere,

kishte kaluar mesnata,

dhe në shtrat,

ajo grua plakë zgjati dorën

mbi gjoksin e burrit të saj:

– Po fle?

– Po!

– U kujtova, si në ëndërr…

– Çfarë?

– M’u shfaq ajo natë kur të kërkoja ngado në qytet,

nëpër shi, nëpër erë,

të kërkoja si e çmendur dhe lusja Zotin

të ishe me një grua tjetër,

të ishe gjallë…

thuamë, ku ishe?

Ai u kthye nga ajo dhe i preku buzët e rreshkur.

Ishte ftohtë.

– Fol! Heshtja rëndonte plumb.

– Po… isha me një grua,

gjithë jetën kam dashur të ta them,

e ç’rëndësi ka tani?

Ne së shpejti do shkojmë,

të lëmë diellin dhe kapërcejmë pragun e natës së gjatë…

Ai e puthi dhe ajo qau.

– Fli tani, është vonë,

dhe pak do këndojnë zogjtë,

turtulleshat do marrin rrugët e qiellit.

– Kisha frikë për ty!…

tani kam shumë kohë për të fjetur.

Dhe ata iu ngjitën njëri-tjetrit,

sytë përballë,

krahët mpleksur,

zemrat një mbi një,

me plagët që rridhnin ende,

që rrihnin ngadalë, në kohën pa kohë,

me agun që s’donte të zbardhte më…

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s