Poezi nga Fatbardha Sulaj
***
As një grimë timen ti nuk njeh,
sepse as veten tënde nuk njeh mirë
Njeh, aq sa dua unë
Ditë, natë, a gjysmë errësirë…
***
U zhveshëm
dhe u veshëm
në tribu,
në kohën time të mora
në kohën tënde
më the ik…!
U veshëm dhe u zhveshëm
në tribu
me një fjalë
diku…,
të ngrirë,
frikë…
***
Makjazhi u fshi në fantazira
I kuqi i buzëve iku me verën
me të dhe trillet e gjata
dashuritë e pamundura
buzëqeshja tinzare e yjeve.
Tani është vjeshtë..
***
Hije mbrëmje
e menduar,
hije mbrëmje që mban
në duar perëndimin,
që zvarritet lodhshëm
mbi maja malesh.
Hije mbrëmje,
që ngatërrohet
me shijet e athta
të fundgushtit…
***
Unë jam universi
toka që era puth çdo çast
Ti
Deti që ledhaton
Dallga që merr format e trupit tim.
Ti je fari i padukshëm
Tempull albatrosësh
diku…




























Leave a Reply