Një trokitje sa…. një mijë gjëmime ( Mbresa nga Manifestimi i Plisit në Festën e përvitshme të Bytyçasve në Dajt ) / Nga : Namik Selmani

Një trokitje sa…. një mijë gjëmime

( Mbresa nga Manifestimi i Plisit në Festën e  përvitshme të Bytyçasve në Dajt )

 

 

namik

Nga : Namik Selmani

 

Çak-çak-çak-çuk. Trokëllinin gurët me disa thërrime dheu në thepat e tyre me një ritëm të çuditshëm në varësi të fjalës e të shpërthimit të aktorit ardhur larg nga Prishtina. Gurët e fortë të Dajtit në duart aktorit të mirënjohur  Çun Lajçi po na dërgonin në shtigjt më të thella, më të misterta, më të largëta të lashtësisë. Në atë kohë kur njeriu, mbase edhe vetë Homeri nuk kishte mësuar të fliste dhe sytë e tij të verbër nuk shihnin më gjë nga brigjet e deteve dhe majat e maleve që po merrnin shenjtërimin e tyre në ato plisa bore që  kishin vënë në krye. Kësaj radhe e kishin të tjerë njerëz. E kishin radhën pasardhësit e ilirëve të pellazgëve. E kishin radhën poetët, këngëtarët, aktorët, valltarët. Një çast m’u rizgjua Dodona çame atje ku mitet thonë se dikur mblidheshin perënditë dhe caktonin fatet e njerëzimit.

Kë thërriste vallë Çun Lajçi me ato fjalë të mençura e fjalëbukura???

A thua se po thërriste zanat e bjeshkëve, kreshnikët  Isën legjendar, Shotën e  Azemin, Adem Jasharin???? Thërriste dhe ato vajza dhe djem që në moshën 2 vjeç që kishin mbushur sheshin e Dajtit Kësaj radhe sheshi ishte një lloj amfiteatri natyror Mbase për t’u ndjerë sa më afër asaj shenjtërie që ka patur dhe ka ende PLISI te jeta e shqiptarëve.

Të gjithë ishim bërë atë ditë USHTARËT  më të mirë të betejës së Kujtesës dhe të Festës më të re që po përvijohet në të gjithë kombin tonë që nga Tuzi, Shestani, Ulqini, Mitrovica, Prizreni, Tetova, Shkupi, Kumanova, Gostivari,  deri poshtë në Gumenicë e në Prevezë të Çamërisë.

Do ta nisja këtë rrugëtim shkronjor për atë ditë të diele të fundgushtit 2016 me  dy nga miqtë e mi, artistë të kujtesës që do t’i kishin zili edhe kombe që kanë traditë më të madhe se ne në fotografinë artistike. Janë  Rexhep Refati dhe Shkëlzen Rexha.

Gjëmonin  tupanët  në duart e forta të artistëve me purtekë të holla në duar. Këngëtaret e mirënjohura  Lindita Gjoka …..para gati 1000 spekatorëve në atë skenë të sajuar të Dajtit të të gjithë moshave merrnin sa e sa duartrokitje. Kishte ardhur edhe grupi artistik i Shoqërisë “Benda”. duke e vënë dhe unë veten në radhën e tyre jo nga profesioni, po nga ai zjarr që ndez secilin pjesëmarrës në atë shesh gjigand dhe gati magjik i Dajtit për të ngritur Himnin e Plisit. Familjet e shumta malësore kishin sajuar në atë shesh disa sofra me ushqime tradicionale. Në secilën prej tyre si kryefjalë ishte urimi për Festën e Plisit dhe mikpritja për të pirë një gotë raki për të shijuar diçka nga sofra.

Diku poetët kanë marrë në duar Çertifikatat e pjesëmarrjes dhe më tej dhe Çmimet përkatëse për poezinë dhe poemën më të mirë të konkursit  të Plisit.  Diku, në një nga sallat kryesore të Restorantit Teleferiku gati 100 të ftuar në një drekë miqësore bashkimi të  sponsorizuar nga zoti Ramë Geci.  Teleferiku atë ditë asnjëherë nuk ka patur miq kaq të zgjedhur e kaq të shumtë . Dhe ishin mbi 1000 vetë vizitorë që hipën në lartësitë e Dajtit dhe zbritën vonë nga ai vend që i kishte magjepsur. Ishin para një  kurore  natyrore,  para një pamjeje magjike të Tiranës që i dilte para syve me mbresat e panumërta që merrnin me vete sa e sa kujtime. Do t’ua tregonin të afërmëve,  ekraneve të internetit dhe padyshim dhe poezive që do të krijohen në ditët në vazhdim. Në ato ditë pas këtij manifestimi ka qënë një vërshim i vërtetë në internet Jo vetëm si individë, por edhe në grupë internetike kishte me qindra pastime. Shkrime, mbresa, poezi, falenderime për Shoqatën “Bytyçi”, për kryesinë e sidomos për kryetarin Agron Gjedia që punon për një vit të tërë për këtë dekor njerëzor dhe shpirtëror.

Po që në hapat e para Rexhep Refati dhe Shkëlzen Rexha që janë sot dy nga fotografët më profesionistë të të trojeve shqiptare po bënin Kronikën artistike të  Plisit.

Të dy këta artistë kam patur rast që t’i kem si bashkëpunëtorë në një libër që kam botuar para dy vitesh me titull “Borxhi i Ali Podrimjes”  dhe që u promovua në Gjakovë. Ballina kishte një foto të marrë nga arkivi i Shkëlzen Rexhës ku ishte miku i poetëve të kombit, pse jo dhe Mësuesi i tyre Ali Podrimja. Ndërsa Refati kishte fotot e varrimit që nuk ishin publikuar asnjëherë. Borxhi i Ali Podromjes edhe aty në Dajt na kishte kapur të treve se të tre në mënyrën tonë na duhet që të bënim edhe më shumë për të jetësuar këtë festë të bukur  të Kombit tonë.

Për besë, pa asnjë mëdyshje do të thoja se atë ditë fundgushtit po të ishte gjallë edhe Baca i Poezisë së Kombit Ali Podrimja do të ishte aty dhe do të ligjëronte si ai. Dhe do të fliste si ai. Dhe do të na mbante me atë humorin e tij të mençuri si ai dhe vetëm si ai. Dhe ishte vërtet bukur. Madhërishëm do të thoja unë. Duke kaluar disa vite në një festë mësova se, sado njerëz dhe muzikë të ketë ajo, për hir të së vërtetës edhe mund të mos jesh përherë entuziast. Po për çudi, Festa e Bytyçit e mban fort gëzimin, harenë, të veçantën Kodin e Mikpritjes, edhe pse nuk bëhesh shumë bujë me forma të ndyshme.

E bashkë me të e bënin këtë kujtesë dhjetra celularë nga më të mirët e botës që fotografonin në mënyrën  e tyre.  Ose edhe e incizonin atë që atyre iu duhej më e bukur dhe e pëlqyer. Mjafton që atë cast ku Çun Lajçi recitonte para publikut ose këndonte këngëtarje Hatixhe Lushi këngën himn Baresha të kënduar dikur nga e madhja Nexhmije Pagarusha, të shohë vallet e brezave me kostume popullore të veriut që të shihje se si mbushnin ekranet e celularëve me regjistrime të tilla.

Në të bie në sy ajo traditë e bukur shqiptare që Evropa e tregon me atë kod të saj në me atë kryefjalë falenderimim FALEMINDERIT.

Brenda kësaj harmonie vallesh të binin në sy dy valltare, regjisore, koreografe të talentuara si Fetije Imeraj dhe Fitnete Hajdërmataj që janë dhe valltarë dhe merren çdo vit me koreografinë e festës. E brenda kësaj jehone vjen ai varg i madhërishëm  jo hyjnor,  po shumë më tokësor mali shkundet e toka dridhet “. Në këtë festë asnjëherë nuk e ke të lehtë që të dallosh një deputet nga një njeri i thjeshtë madje është interesante se të gjithë krahët politikë këtu “ulin armët e tribunave”. Deputetja Mimoza Hajdërmataj nga Tropoja dhe Shukrije Bytyçi nha Kosova janë përherë të pranishme edhe me urimin edhe me fjalën e mençur, por edhe me premtimin se do të bëjnë më shumë për këtë festë të bukur që pritet të bëhet kombëtare nga dita në ditë.

 

Vetëm para pak kohësh diku një takim me gratë e Bytyçit Shoqata i dha dy mirënjohje të veçanta. U nis me këngëtaren rubikase që banon në Greqi Lindita Gjoka që me zërin e saj të bukur krijon frymën vëllazërore mes shqiptarëve në mërgim.

E meritoi këtë Shevqete Gosalci nga fshati Marec i Kosovës. Iu dhe studiuesit dhe poetit Iliaz Bobaj nga Lazarati që është një nga nismëtarët e shkollës shqipe të Patras në Greqi titulli më i lartë “Aristidh Kola” për këtë kontribut.. Kjo mirënjohje iu dhe edhe vetë Kursit të Gjuhës Shqipe në këtë qytet që prej 25 vitesh mban të ndezur gjuhën shqipe duke qënë krah traditës së Plisit  ai është një nga  shenjat më të qarta të identitetit tonë kombëtar. Nga Gjakova vjen një tjetër Mirënjohje që Shoqata “Bytyçi” i dha Prof. Dr, Shevqet S. Canhasit  për lartësimin e intelektualit shqiptar në Kosovë e në botë. Atyre çmimive mjaft të spikatura në motivimin e tyre Shoqatë ka vënë disa çmime të reja për të motivuar dhe vlerësuar kontributin e madh për të bërë që sa më shpejt Festën Kombëtare të plisit. Për këtë u zgjodh çmimi “Gjenerali Plisi i bardhë emblema hyjnore e shqiptarisë” që këtë vit e meritoi zoti Kadri Morina, Çun Lajçi

E pamë këtë MIRËNJOHJE  edhe në atë vlerësim që i bën Shoqata “Bytyçi” e, në veçanti, vetë Kryetar Agron Çamërisë. Tashmë gazeta “Bytyçi” ka një faqe të veçantë për Çamërinë. Vetëm këtë vit u dhanë disa tituj nderi për të. Shoqata “Çamëria” u vlerësua  me titullin e lartë “Aristidh Kola”. Pak më vonë këtë titull nderi e mori dhe studiuesi Ahmet Mehmeti që ka drejtuar për disa vite  edhe Institutin e Studimeve për Çamërinë. Në një aktivitet të përbashkët që u bë para një muaji edhe studiuesi Fahri Dahri u vlerësua me një Mirënjohje të veçantë.

Festa e Plisit u drejtua nga një drejtuese e zonja si Almedia Gjedia.  E veshur si për festë ajo diti që të sillte në atë skenë të bukur njerëz, këngë valle .. poezi

Kryetar Agroni që në dialekt ka një të folme të bukur duke përzier të folmen e tij karakteristike të krahinës  me një leksik shumë të dukshëm intelektual.  Në të gjithë ato që të jep si një thesar të vëretë urtie, të bie në sy fjala e urtë “Më mirë prishet e më keq nuk ka ku të shkojë” . Kur flet, gati skuqesh me vetvete se një ditë kujtesa mund të të tradhëtojë prandaj duhet që të kesh përherë një fletë të bardhë që ta shkruash atë që thotë.

Atë ditë që në mëngjes herët ai bëhet vërtet një Gjeneral pa spaleta. Kudo është i pranishëm e asnjëherë nuk gabon në atë që thotë. Shtojn miqësitë. Duket i ftohët në buzëqeshjen e tij po është shumë miqësor në atë dorë burri që ta jep dhe në atë që të thotë. Sheshon mëritë, ndoshta edhe nga profesioni i avokatit që bën apo nga një lloj pleqërimi  që ka brenda vetes, edhe pse është ende i ri dhe shumë jetësor. Pak kohë më parë ishte vlerësuar nga Shoqata një intelektual i shquar dhe një patriot nga Kosova Sabri Maxhuni Novosella. Takimin e Plisit e pat bekuar dhe e bekon çdo vit një poet, studiues dhe përkthyes i njohur si Mujë Buçpapaj, Jaho Margjeka. Ilir Buçpapaj.

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka e ka si shtëpinë e vet këtë festë duke mos munguar asnjëherë e duke shkruar për të.

 

Është vështirë që reportazhe të tilla të të mos vënë në Kularin e Emrave të personazheve që e bëjnë festën, qoftë për ata që ngjiten në tribuna sado të bukura që të kenë qenë, por dhe për ata  që janë më anonimë se anonimët por që janë si gurët e një kalaje. Janë ata të thjeshtët  që e lidhin jetën me këto tradita të mrekullueshme.  Ishte e vështirë që të shënoje mbresat e secilit që të jepte çdo mjedis ku fryma bytyçase dhe mbi të gjitha, fryma e shenjtëruar e Plisit të vinte e gjallë brenda teje dhe jo pak dhe të shenjtëronte. Në një tavolinë takuam poetin dibran  Ilmi Dërvishi, Adile Baletën, Adivive Hoxhën nga Mati, Dodona Qosen duarartë.  Më tej poetja prishtinase Shqipe Hasani kuvendonte me Farida Zmijanin Ramadanin nga Shkodra . Ishin takuar që më 2013 në Vushtri të Kosovës dhe ky rizgjim miqësie kësaj radhe i takonte PLISIT, pasi që të dyja ishin dhe pjesë e antologjisë dhe e konkursit “Plisi i vargut tim” që atë ditë pati promovimin e tij zyrtar.

Nga Fushë Kosova Lan Çyçalla kishte ardhur me dy vajza të talentuara letrare që kishin sjellë në çastet e fundit edhe poezitë e tyre. Ishin Erina Blakçori dhe Leonita Pllana

Xheladin Mjeku me Ermira Jusufin poetë të taklentuar kishin ardhur që herët në këtë festë të bukur nga Kosova. Nga Lugina e Preshevës Nehat Ramizi, Bilall Maliqi, Rrahman Hyseni, Rexhep Abazi ishin bërë zëra të fortë për Plisin dardan.

Nga Prizreni Muharrem Gashi, Murat Gashi, Bajram Bytyçi, Servet Bytyçi, Rabije Bytyqi pa dyshim formonin kurorën më të madhe të ngjyrave poetike si qytet. Nga Gjakova Migena Arllatin me vajzëne  saj Borën krijonin një çift të ri poetesh. Pak kohë më parë Migena ka botuar librin e saj me studime ku ka shumë shkrime për plisin. Neki Lulaj nga Gjermania sa mori vesh për Konkursin solli poezinë e tij. Nga Mati një përfaqësim dinjitoz nga poetja Drita Llukovi dhe Etem Çipi. Nga Bronxi i Njy Jorkut Isa Breçani ishte bërë rapsodi modern shqiptar i Amerikës.

Poeti dhe gazetari i Prizrenit Azis Bytyçi po mbushte bllokun me shënime, por edhe punonte që të recitonte sa më bukur poezinë e tij në Takimin e Poetëve që u bë në një sallë të veçantë.

Xhevahiri na solli atë ditë kujtimin e Bajazit Cahanit. Atje, në Mbretërinë e Kujtesës padyshim ende poeti zëbajrak Bajazit, emër i vërtetë i një Sulltani poezie të krahinës së tij, shtëllungon vargjet e bukura të pambaruara për Plisin.

Pas shumë vëllimeve poetikë duket se poezia për Plisin ia vë kurorën e bukur Nafije Salihut.

Dhe na shfaqet më tërë bukurinë epizmin dhe shqiptarizmin Gzim Elezi ose Imeraj. Ka dy kostume me vete njërin me kollaro të kuqe edhe pse është vapë e madhe dhe tjetri është kostumi kombëtar që ai e vesh në kohën kur duhet të dalë para poetëve për të recituar poezinë e tij për Plisin. E pra, ai nuk donte ta lexonte poezinë e tij pa e veshur atë kostum kombëtar që e mbante po kaq të bukur edhe atje një Njy Jorkun e largët.

 

2.

Nisma për të bërë një konkurs për Plisin kishte kohë që e diskutonim me Agronin.

Në të vërtetë, disa poezi për Plisin ishin publikuar nga mikrofoni i Festës që disa vite është bërë në sheshin para ndërtesës së Shërbimit Pyjor në Dajt në një kohë kur edhe Kadri Morina  dhuronte edhe në mënyrë masive plisa për pjesëmarrësit e tij. Shumë poezi ishin kaluar dorë më dorë si dëshmi e atij shpirti shqiptar që doemos kërkonte një vend ku të qetësohej. E kishim parë Plisin në stadiumet e futbollit, në sheshet e gjëra të Evropës në Tetovë, në Shkup, më Prishtinë ku do e shohësh qoftë dhe në shkrimet  e rrugëve. Dhe ja tash po nisnim një botim special, vërtet ishte një lloj çudie e prurjeve kaq të shumta. Një gjeografi gati rruzullore e poezive që erdhën kaq të sinqerta me shumë krenari, me shumë madhështi me shumë forcë dhe lirikë me shumë begati figurash letrare. Një libër që do ta donte çdo bibliotekëm jo thjesht për artin e fjalës së derdhur në to, por edhe për mesazhin që ai përcjell.

Po duhej një juri. Ah, juria! Duke ndjekur prej vitesh mjaft aktivitete letrare këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar, por dhe më gjërë, shumë herë jam trishtuar. Madje ka dhe disa raste ku duhet të skuqesh, të klithësh me zë të lartë për bëmat e jurive të çuditshme deri në përrallë.

E pra, vetëm një ditë më pare, u zgjodh si kapedan jurie Hamit Aliaj, ai përfaqësues  i denjë i poezisë së Shkollës Tropojane dhe bytyçase që bëri zë në vitet 70, 80. Në krah të tij një Doktor i Shkencave Folklorike si Fejzullah Gjabri që ka bërë sa e sa botime studimore. Ishte një Ibrahim Bejrashi që përfaqësonte zërin e  mençur të shqiptarëve të Malit të Zi. Dhe më tej një vajzë e mençur poete si Xhane Imeraj që është shumë aktiviste e Shoqatës.

Nga 6 çmime që u dhanë ishin në shesh vetëm tre përfaqësues. Ishte e qartë. Juria e kishte bërë mrekullisht detyrën. Çmimi i parë i poezisë i shkoi vajzës së talentuar nga Ferizaj Kaltrinë Lohaj që kishte ardhur në këtë ditë pas shumë orë udhëtimi me nënën e saj mësuesen dhe poeten Dije Lohaj. Të dytin e mori poeti Ajet Shala nga Kopiliqi me banim në Zvicër, me të cilin sapo mbyllëm së bashku librin e tij “Bisedë me atdheun” dhe  të tretin e mori poeti matjan Hamdi Hysuka.

Dhe më tej erdhi gara e poemës, një garë e fortë me poetë profesionistë. Për herë të pare, pas disa vitesh, kisha punuar dhe unë për këtë gjini pak të trajtuar në letërsinë e sotme. Në krah kisha një poete bytyçase si Zyra Ahmetaj  që mori Çmimin e dytë. Atë ditë na gëzoi dhe me poemën e vet të botuar në libër. Edhe Sheremet Prokshi nga Prishtina që mori Çmin e tretë të gëzonte  me seriozitetin e tij, sepse kishte sjellë në të njëjtën kohë poezi, tekst himni dhe poemën.

U gëzova shumë se mora Çmimin e parë. Një fitore çdo njeri e do kur futet në sinorët e garës por isha më i lumtur se e kisha bërë për një shenjë të kombit tim, me të cilën isha mëkuar që në vitet e largët, që nga fëmijëria ime, kur shihja babain që kurrë nuk e harronte festen çame kur dilte në rrugë mes shokëve, në festa.

……Për shumë ditë ishte ai PLIS që më bëri të  kuvendoja  me Homerin syverbër. Të gjithë rrugët më dërgonin në breg ku prisja Odiseun. Po më dërgonin në Dodonën antike çame. Më sillte ca tinguj këmbanash, ca tinguj ezanesh, këngë peshkatarësh, druvarësh, hapa shkollarësh, gjurmë lavërtarësh në brazda  ku rizgjoja atdheun. Në atë atmosferë shenjtërore ato ditë u bëra edhe një herë mik, vëllam me Omer Kaleshin. Kisha shkuar disa herë në vendlindjen e tij në Uskanë dhe fort u lumturova kur dëgjova se do të bëhej një Muze për të atj për atë plistar ngjyrash që tërë jetën ka pikturuar në Parisin e ngjyrave kokat  e prera të shqiptarëve të skupturavetë vjedhura me plisa që i kanë çuditur parizienët dhe shikuesit nga mbarë bota.  Duke shkruar poetikisht për PLISIN, po më dukej se shihja  kryet e thinjur të Tomorit, Shkëlzenit, Korabit dhe Sharrit që vetë Zoti ua kishte vënë ca plisa bardhoshë si vello nuseje. Si një kreshnik modern, po ecja putërgjakosur duke prekur një nga një gurët me thepa të malit me një vrap hyjnor më të fortë se të Anteut të miteve, pas luftëtarëve me pushkën e hedhur supeve, pas dasmorëve pas karvaneve të mortit, pas Shkronjëtarëve  të kombit tim.

U bëra një kërkimtar këmbëngulës në atë moment. Do të doja që Baca i thinjur të ma tregonte burimin e currilit që dilte nga Alpet. Ia kërkova  lisit se kush ia kish  vënë në trung shpatullat e lodhura. Sërish PLISI më vinte te kënga, te vargu, si kurorë prillane. Si pëllumb postjer çdo ditë më sillte me sqepa një letër në kohëra e u bëra pak guximtar. Shumë guximtar aq sa nuk isha qenë kurrë në jetën time. Po. Po. Thirra në koktej të tërë kreshnikët e Jutbinës e iu iu thashë të linin shpatat e harqet pas derës pa roje. Të dëgjonim blegërimat e qengjave e deleve rreth livadheve të vendit tim e një valle Shpatash, një valle të Osman Takës ta merrnim rreth zjarreve me dru lisash, ahesh pa droje.

Brenda lirikës që të jep plisi, më erdhi në sy në mendje  troku i kalit të Boletinit në Londrën me mjegull. Nuk doja të kujtoja  revolen e fshehur, por doja ta rishihja me Plisin në ballë Bacën trim e të mençur. E t‘i thoja në këtë shekull që shpesh na sherron mes vedi: “ Ej, bacë na jep pak urti se marria shpirtin shpesh na ka djegur! Na jep madhështi, që të mos skuqet  faqja jonë dhe e fëmijëve si zjarri në mal!”

3.

Trokitja e gurëve të Çun Lajçit secilit prej nesh i mbetej në mendje, në kujtesë, në shpirt në varg, në tringëllimën e ditëve që nga agu në muzg që prekim çdo ditë mes një zallamahije ose tollovije gati të pabesueshme.  Nuk ishin vetëm disa trokitje të ftohta gurësh në duart burërore të aktorit flokëthinjur si aedët e lashtësisë që kishte prekur sa e sa varre të mermerta të rënësh në Kosovë e në mbarë shqiptarinë që mund të të zgjojnë dhe në një gjumë lavdinë  e trollit. Mund ta bësh diku mes alpeve apo në një dhomë komode të një kryeqyteti në Tiranë, Prishtinë, Janinë, Podgoricë, Shkup. Ishin trokitjet që zgjonin dhe përherë do të zgjojnë gjëmime njerëzore, gjëmime historie gjëmime krenarie që na dallgëzojnë brenda vetes në një garë të heshtur me Botën e Madhe ku fare lehtë. Janë gjëmime që herë-herë përplasen aq fort dhe herë përqafohen si kulturë e si identitet. Sa bukur do të ishte që të paktën në një rrugë të Tiranës në një cep të Parkut në një lulishte, pse jo edhe në një mjedis në Bajram Curri, në Krujë, në Shkodër, të kishin skulptura, burra vajza, djem, me plisin në kokë! E kam parë një gjë të tillë diku në një park të Bostonit . E kemi parë edhe në shumë shtete të botës. Në shumë stola lulishtesh sheh burra të skulpturuar  me kapele amerikane me shenjat dalluese të atij sheti që dihet se është formuar nga shumë kombe.  Asgje e keqe nuk do të ishte  që edhe tek ne të ishte një gjë e tillë! Bashkë me krenarinë që është te secili njeri në botë për atë që ka më të bukur kombi i tij, do të zgjohej vrullshëm edhe mesazhi i kombit të tij, për fëmijët që nisin të hedhin hapat e para të trupit, të diturisë, së këngës…..

Duhet dashuri, kulturë, pse jo edhe patriotizëm. Shumë duhet e jo ankesa pa fund për para, për drejtësi. Qoftë edhe duke iu drejtuar pak vullnetarizmit që është harruar edhe si emër pa le të jetë praktikë e një jete sociale. Bota e madhe e ka bërë në sheshet  e saj prej kohësh skulpturimin e mjaft miteve të kombeve të tyre dhe ne nuk kemi bërë as shenjat kryesore të këtij identitetit si është ai i PLISIT. Mos shkoni larg në Çeki në Rusi, Moldavi, Kinë, po shkoni vetëm më Itali e Greqi e besojeni këtë shpejt.

Këtë e kishte bërë fort mirë Shoqata “Bytyçi”, një mirësi, së cilës mbarë një komb duhet t;i thotë bujarisht FALEMINDERIT.  E të gjithë së bashku në një ditë gushti, mbase më 28 të çdo gushti që vjen në kalendarin e shqiptarisë të themi : “E dini, sot është Festa e Plisit. Është festa e Qeleshës, e Festës çame, e Takijes myzeqare, së cilës i këndoi aq bukur Vaçe Zela, i Qylafit lab me një zgjatim të bukur, i asaj Festeje  të kadifenjtë të krahinës së Skraparit që i bën të gjithë burrat kryekrushq krenarë të bukur e mentarë. Pa folur për shamitë e bardha të nënave matjane, tiranase, came, elbasanase  që i kanë duart përherë më miell ballakumeje, i nënave librazhdase të Çermenikës, të Mokrës, kolonjare, përmetare,  Më tej i atyre shamive të bukura lulërore devollite dhe dardhare.”

 

sa bukur, një jetë e tërë e kombit nën ato plisa feste e në të gjithë etnografinë! Edhe në varfërinë e madhe, edhe në luftërat e rrepta ku tragjeditë ndiqnin njëra-tjetrën, ato ishin pasqyra e shpirtit të shqiptarit që kurrë nuk u fshi nga jeta edhe kur luksi i Evropës i erdhi në prag, në duar, në sy, në avion, në tavolinë..

E atëherë me zë të butë apo gurrues, të mbushur me aromë trëndafilash, borziloku, jasemini, lule zonjash e lule bore, t’u themi Agronit e mbarë bytyçasve: ‘”Ju lumtë për këtë punë që këni bërë! Kombi ua vlerësoftë këtë punë që bëni se njerëzit jo gjithmonë janë  mirënjohës aq më shumë pushtetarët kur mirësia i vjen edhe para duarve, para fytyrës para syve!”

 

Çak, çuk, çak, çakkkkk! ……..

 

Shtator, 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s