Poezi nga Lumo Kolleshi
PA PJESË
Më thanë të vrapoja dhe i theva këmbët,
Kalova mbi gjemba dhe gurë zbathurisht.
Deri në bërryl lakmia kish përveshur mëngët,
Sinorët e lumturisë po ndante natyrisht.
Prita e prita si mali dëborën,
Por ishte vere e toka gulçonte në djersë.
Askush nuk më foli, askush s’ më dha dorën,
Veç një zë më tuje : “për ty nuk ka pjesë!”
Kërkova në fund veç një majë shkëmbi,
Prej andej të fluturoja në të zezën humnerë.
Hodha sytë. Atje mizëria më trembi.
Dhe për të vdekur, sinori duhej blerë.
ASPAK ÇUDI
Mos të duket çudi aspak,
E kam gjetur brenda ujkut njeriun
Tek luan në pyll me një femijë të braktisur,
Siç kam gjetur dhe një tufë ujqish brenda njeriut,
Brenda njeriut shpirtgrisur.
DIELL SHTATORI
Ende nëpër lisat shurdhanë
Gjinkallërojnë gjinkallat,
Megjithatë,
Vjeshta,
Në parlamentin e saj,
Kalon për votim vettingun për gjethet.
Pritet vetëm ardhja e erërave.
I HUAJ NDËR UJQËR
Po flasin për gjoba dhe vetëm për gjoba,
Për mundësi jete, veç heshtje nën varr.
Me gjuhën hipokrite u vela,u ngopa,
Një Mersoi i them me vete të më marrë.
I huaj nuk linda asnjëherë mbi këtë dhe,
Të huaj më bëtë ju dhe vetëm ju,
Ju që gjyqet e famshme i bëtë për kafe,
Për vete u gdhitë sheikë rozë apo blu.
Tani që atdheut s’i latë më lëkurë,
Atdheun e shpini përditë në koma,
Nxirrini të gjithë gjarprinjtë nën gurë,
Shpërndani ndër ujqër dekorata e diploma!