Poezi nga Genc KASTRATI

 

genc-kastrati

Poezi nga Genc  KASTRATI

 

 

Fjalës

 

Mund të kem heshtur,

Si vdekja!

Ndoshta pa dashje,

Pa dëshirë!

Dhe mund të ketë ikur,

Një kohë me vlerë ,

Ashtu siç përvidhen puthjet,

Pa zë!

Siç ikin ledhatimet,

Gjuhës së ndjenjës,

Por prapë zëri im

Ka ngritur tonin,

Ka shpërthyer!

Goja nuk rri mbyllur,

Nuk është burg ,

Nuk ka grila zërit,

Që pret momentin,

Për buzëqeshjen tënde ,

Të të tregojë me fjalë

Krejt beharin e zemrës,

Që lulëzon përherë,

Dhe për ty ka vetëm një stinë,

Përherë Pranverë.

 

 

Kur ti mungon

 

Nata është e shurdhër

Shtëpia pa zë

Kur ti mungon

Këmbana shpirti bien për puthjet

Meloditë e zemrës protestojnë

Treten në dridhje të buzëve

Nuk e fsheh mungesën tënde

Mes mureve të dhomës

Ngrihet buzëqeshja ime

Si një hije fantazme

Bukuria jote valëvitet

Si valë deti që rreh brigjet

Ti pushton mendjen time

Dhe pushon pejzave të shpirtit

Fle në mua pa praninë tënde

Zëra nostalgjike endin shikimet e mia

Sikur më thërret nga prapavija

Si një shpëtimtare larg meje

Zgjas duart të të arrij

Të zbërthej enigmën e zbrazëtirës

Dhe s’të arrij dot

Kur ti mungon e dashur

Mungon edhe vetja ime tek unë.

 

 

O ju Zogj

 

O ju Zogj

Mi sillni të gjitha këngët që i keni kënduar

Me fluturimet, dhe aterrimet tuaja

Ç’keni parë nga dëshmia

Nga hapësira e përmotshme që ju mbulon

A e keni parë të dashurën time

Hënën e zbehur me ngjyrë lëkure

Një krua plot jetë

Që asnjëherë nuk shteron

 

Nëse ju keni dështuar gjer tani

Ta dëshmoni këtë të vërtetë

Atëherë përse jeni kaq të lavdëruar

Sa për lartësitë që ju prekni mos ju qofsha falë

Unë kam humbur kahjes tjetër

Duke prekur thellësitë e zemrës së saj.

 

 

Të bashkuar

 

Jeta dhe vdekja s’janë më larg

Sa një hije e këmishës me jakë

Që më rri varur mbi qafë

Vetëm lëkura

Nga fryma ime e ndan

Prandaj e dashur

Ti rri gjithmonë veshur trupit tim.

 

Prej ashtit, mishit, dhe lëkurës

Ti je plot jetë, ti je morg

Në ty lind dhe vdes bota ime

Kupë dashurie me plot yje

Gjoksit tënd qumështor

Fundoset thellësisë së syve

 

Jeta dhe vdekja s’janë më larg

Sa ndërrimi i ditës me natën

Vetëm një fije e flokut tënd i ndan

Prandaj e dashur

Ne gjithmonë të bashkuar mbesim.

 

 

Rrëfim

 

I rrëfeva zemrës për ty

S’e pashë ditën, as natën

As errësirën, as dritën

Shihja vetëm brendësinë

Thellësinë e mbjellur ndjenjës

I thashë që ishe për mua

Dhe mbi ty nuk kishte qiell

As ombrellë, as mbulesë reje

Që vetëm ti ishe horizonti

Qiell mbi qiell gjer në tretje

I thashë që ishe zjarr

Dhe mbi zjarr ikje në djegie

Që ishe dorë timoni e shpirtit tim

Se veç teje s’kishte rrugë tjetër

I fola gjerë e gjatë

Si botën në atlas të shtrova

I thashë që ishe i vetmi shtrat

Ku do mund të pushoja,

Zemra m’u ndal për një çast

Dhe fjalët u shuan në pritje

Sikur tha më jep një tjetër rast

Dua të pushoj dhe unë në këtë ngjizje.

 

 

Dashuri

 

Pak verë në gotë

Dhe një kandil i ndezur,

 

Një copëz fustani lëshuar

Gjer te këmbët e tua,

 

Pak buzëqeshje, pak shikim

Dhe një dridhje trupi,

 

Një shtrat i shtruar

Dhe ethet zgjuar në dritë të fikur.

 

 

Përditë

 

Përditë dua ta shoh

Si shkëlqen kurora e mbretërisë

Mbi kokën e saj

Kur nuk është me mua

Ajo mbjell një ishull vetmie

Ku rrijnë bashkë dita dhe nata

Dhe qajnë si të veja

Përmbysen yjet

Për sytë e saj të ndritshëm

Kur mungon muzgjeve

Si një shteg i braktisur

 

Përditë dua ta shoh

Trupit të saj të rrisë lule

Ujitjes së puthjeve

Të kultivoj kopshtin tim

Ndër hijet e qerpikëve të saj

Të pushoj si një rojtar

Të mos i vyshken petalet bebëzave

Duke i mbajtur zgjuar

Edhe sytë e saj

Për rojtarë të përbashkët kopshti.

 

 

Udhëtimit

 

Ku humbëm kështu e dashur?

Kjo rrugë sikur nuk ka fund

 

Ti ecën puthjeve të mia

Unë buzëve të tua pushoj

 

Ku do na shpjerë ky udhëtim?

Këmbë bashkuar, duar lidhur

 

A thua të ecim edhe pak?

Gjithmonë ka një shteg që pret

 

Portat e zemrës hapen në mikpritje

Kur dashuria troket

 

Tani ti je liria ime

Ke hapur udhe unazë rrugëtimit.

 

 

Ma thuaj fjalën që të mundon

 

Ma thuaj fjalën që të mundon

Që të digjet në buzë si puthja

Mes drithërimave

Do e dëgjoj në heshtje

Ma thuaj me zë të lartë po deshe

Apo heshtjes së ngulfatur

Vetëm largo perden e hezitimit

Zemra ime do e përçojë

Thellë mes mureve të shpirtit

Ma thuaj nëse do mes shikimit

Dhe buzëve të egërsuara

Bebëzave të tua do lexoj

Shkronjat e mallit

Në sytë e tu

Do puth fjalën tënde

Le të tingëllojë si një kushtrim

Le të më pushtojë pa kusht

Si një urdhër komandues

Vetëm shpërthe frymës tënde

Përmblidhju zërit

Shpalos melodinë e shpirtit

Fjala jote është këngë për mua

Vetëm thuaje

Thërmijave të hapësirës do e shtroj

Si një Meshë lutjeje

Për bekimin e fatit tonë.

 

 

Nxitoj

 

Nxitoj të ta them më të bukurën fjalë

Më të ëmblën

Më të ngrohtën

Sikur vrapoj pragut të lumturisë

Gjer te shtegu im

Atje ku ti më pret

Dhe i zgjedh me ndrojtje fjalët e mia

 

Nxitoj të ta them më të bukurën fjalë

Më të dashurën

Më të butën

Nxitueshëm arrij pshehrëtimës tek ti

Dhe ndalem si pranë një busti

Dëshmitares së pagojë që pret

Nxjerr nga unë tërë lavdinë tënde

Duke nxituar të zbrazem fjalës

Të depërtoj thellësisë tënde si një plumb.

 

 

Nëse unë s’ jam aty

 

Nëse unë s’jam aty, dua të të tregoj si është kur s’jam me ty ,

Është sikur lumit t’ia vjedhësh një pikë ujë e t’ia falësh detit dhe me të të fundosesh

 

Pemës t’ia thyesh një degë, dhe të gjymtuar pastaj ta vajtosh,

Të ecësh me erën që të godet para dhe pas, sikur të përqafon, ç’përqafim i zbrazët të ngushëllon

 

I vetmuar të shikosh ditën, dhe në shikim syri ta përpish muzgun ku asgjë nuk prek,

Me oshëtimat që dëgjon pellgut të largët dashurive plot gaz, e ty pranë s’të kam

 

Të pyesësh hijet për ty, dhe ngado që sillem thellohem botës së hidhëruar ndaj vetvetes,

Të këpusësh lulen dhe ta ndash nga aroma e shoqeve për t’u shpallur pastaj fajtor në altar

 

Është si dhimbja që kanë gurët kur rrokullisen shkëmbit teposhtë dhe copëtohen në thërrmija ndjenje,

Me yjet që i çirren hënës gjersa mungon dashuria e diellit të ndarë errësirës

 

Si zbrazëtia e stanit kur bariu vrapon për të gjetur kopenë që nata malit e ka robëruar,

Ku njëqind krerëve iu ikën truri dhe vetëm zemra mbahet akoma gjallë shpresës

 

E dashur nëse unë s’jam aty, ti tani e di si është ,

Është njëlloj si kur truallit të shtëpis’ i humb gurthemeli dhe gjarpërinjtë hedhin vallen.

 

 

Porsa u zgjova

 

Porsa u zgjova, u zgjova me ty

Më kishe plaçkitur gjumin e lodhjes

Vërehej prania jote e heshtur

Mes meje dhe shtratit

Ishe bërë mbulesë

Më kishe mbuluar si një mjegull

Dhe trupit tim të dridhur

Kishte vërshuar djersa jote

I larë si nga vërshimi i puthjeve të tua

Ende pa ikur mjegulla e shikimit tim

Dihatjeve të mia për ty

Ishte mbushur me avull xhami i dritares

Dhe më ishte rënduar frymëmarrja

Gjoksit që tundej

Sikur e ledhatoje ti

E kur gjumi dhe mjegulla ikën

Pashë që ti ende ishe me mua

Frymëmarrjes sime

E shtrirë gjithandej ajrit të dhomës

Muret të kishin burgosur

Për të të pasur pranë edhe në zgjim.

 

 

Shpirt

 

Shpirt,

Për t’u mbështetur si jastëku për kokën

Vërtet butësia jote më molis

Dhe palon trupin tim shtatit tënd

Si një kufomë

Që akoma frymon

 

Të njoha më së miri kur u zemërove

Në atë çastin tënd të tendosur

Kurrë nuk deshe ta njohësh humbjen

Ti shpirti i shpirtit tim

Luftëtare pa kompromise për fitore

Dua tani të qëndroj me ty

Të mos e njoh as unë disfatën

Derisa të shkrihet koha

Dhe të humbet mbetja ime.

 

 

O zemra ime

 

O zemra ime, ka kohë që nuk kam biseduar me ty

Qenka mbushur një oqean në mua

Plot gëzime dhe mërzi!

Dhe nuk di nga t’ia filloj më parë

 

U ula pragut tim të kujtesës

Dhe pashë si dridhem valëve të trupit pa ty

Një lot ma vizitoi syrin papritmas

Dhe shikimi im më hodhi largësisë sate

 

M’u kujtua ai çasti i pazakontë

Kur u ndave buzëqeshjes së ngrirë

Sikur rasti yt tha që do vonohemi

Gjersa puthjet të mbijnë buzëve përsëri

 

O zemra ime, fillova tani të flas me ty

Tek po shfletohet libri yt

Nga faqja e parë e tregimit

Ngadalë u nis biseda e monologut tim të hapët.

 

 

Kur vdesin mëngjeset

 

Më zbulon një ëndërr,

Me çarçafin e zgjimit të hershëm,

Pa botën tënde!

Digjet pëlhura e mëngjesit,

Këtij horizonti pa ty.

 

Për freskinë e trupit tënd,

Më djeg një rreze dielli,

Tek frymoj flladin e brishtë,

Përpij kupën e largësisë,

Pa kapur duart e tua,

Kur lidhnim botërat.

 

Dhe tani detet valëzojnë,

Në kryeneçësi!

Si të luajtur mendsh,

Më përkujtojnë çmendurinë,

Kur vërshonim puthjeve.

 

Po ditët pse presin?

Për mëngjeset e tjera,

Kur ky mëngjes vdiska,

Pa Verën e kuqe,

Pa ngjyrën e buzëve të tua,

Pa dehjen time.

 

 

Mos hesht

 

Pse heshte

Ishe e zëshme, plot hare

Dhe tani sikur goja t’u mor

Dhe zëri sikur t’u tret

 

Kur ti ishe e gëzuar

Unë vallëzoja

Çdo brengën time e mbyllja

Kafazit të shpirtit

Dhe vetëm ti

I thyeje grilat e monotonisë

Cicërimës së zërit tënd

 

Asgjë nuk turbullon më shumë

Dashurinë time

Sesa heshtja jote

Ku nuk dihet ku fshihet qëllimi

Dhe ku vret dhembja

 

E dashur nëse mendon

Që shuhet brenga heshtjes

Është njëlloj

Sikur të përpish zjarrin

Dhe hirit të tij

Të më djegësh edhe mua.

 

Ndaj, mos hesht

Jam mësuar zhurmës tënde

Me tingujt e tu

Me fjalët e tua

Takimeve tona

Çdo herë është komponuar

Nga një këngë e re

Për t’u kënduar pafundësisht

Në brendësi të kujtesës.

 

 

Po ta dije

 

E dashur, po ta dije sa të dua

Do mbyteshe në vajin e papërmbajtur

Prej lotit të vakët, më të ëmblin e jetës

Prej këtu gjer tek ti, nga vërshojnë përrenjtë

Do fundoseshe oqeanit të shpirtit tim

Ku peshkon valët bregut të ndjenjës

 

Po të kishte dashuria peshore

Ku do e veja zemrën time matjes

Do frikësohesha mos kam humbur në peshë

Dhe nuk do e shikoje në tërësi

Rëndimin e peshës që kam për ty

Urës së damarëve të mi për çdo çast

Kaloj tek ti, dhe kthehem pas me ty

Nëpër tunelin e fshehtë të trupit

 

Prandaj nganjëherë të flas gjatë

Për përkushtimin, për përkujdesjen

Dhe për devotshmërinë ndaj “së bukurës”

Ku rritet një frut i njomë zemre

Që nuk peshohet dot, por vetem kultivohet

Ujitjes së puthjeve

Me shkrumbin e etjes mes buzëve.

 

 

Gjetjes

 

Tani që u ula të pushoj

Pranë pragut të zemrës tënde

Duke dëgjuar tik- taket e saj

Kuptoj që ora e dashurisë po afron

 

Zbuloj të fshehtën e zemrës

Si një arkë plot thesar

Dhe mburrem për gjetjen time

Tek rri heshtur pranë teje

 

Shikoj shkujdesur në buzagaz

Të shijoj të bukurën e sapozbuluar

Dhe rri si pa frymë

Duke pritur reagimin tënd

 

Tek afron orë e dashurisë

Rëndohet frymëmarrja ime

Sikur mbytem valëve të tua

Dhe tashmë kërkoj ndihmën tënde

Të shtrish duart e tua mbi krahët e mi

Për të zbutur sado pak

Ankthin e kësaj ore që po vjen.

 

 

Pse rri menduar

 

Pse rri menduar, si e vrarë urie

Me veten si gjethe, e vyshkur në harrim

Si hije e heshtur, e vdekur si guri

Bebëzat e syve të pikojnë mallkim

 

S’ka lot koha, fare s’të ngushëllon

Ajo ikën me dallgët, qepikëve të lagur

Asnjë ditë dhe natë s’të pret buzëqeshur

Fundit të rrugës, duke ndenjur duarkryq

 

Zemra të muroset, mbyllur në pesimizëm

Gjurmëve të tua ti rri e pluhërosur

Mbi bust të fryjnë erërat e trishtimit

Në dridhje të buzëve të tua, ato ndalen!

 

Me pamje të thyer ti sillesh vërdallë

Rreth perdeve të shpresës e katandisur!

Shikimet të tretin vjedhurazi padashje

Memories të ngacmojnë, prapë zgjuar

 

Largo peshën e mendimit siç shuhet vesa

Se dashuria s’ka shpirt të huazuar

Damarëve të gjakut zgjohu udhëtimit

Dashuro e dashur, rilind nga vetja.

 

 

Ulem të bisedoj me ty

 

Ulem të bisedoj me ty

Dhe me merret goja

Tërhiqem zvarrë buzëve të thara

Tek tentoj të zbërthej enigmën

E pushtimit tënd

 

Tashmë më mungon forca

E ballafaqimit me ty

Dhe i le dëshirat e mia varur shpresës

Që ndoshta do ringjallem

Porsa të përpij lëngun e ankthit

Fytit të ngulfatur

 

Duke vështruar sytë e tu

Kërkoj furnizimin e shpirtit tim

Dhe avitem ngadalë

Të shikohem në bebëzat e tua

Të habis zemrën time

Gjer në qetësim

 

Ulem të bisedoj me ty

Dhe shtrydh emocionet e mia

Të mos hetohem i humbur

Duke buzëqeshur krejt shkujdesur

Çlirohem në një pshehrëtimë të befasishme

Që vjen si një erë vjeshte

Duke fshirë ndryshkun e dushkut.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s