FATI I QYTETEVE TË VOGLA ( Referim rreth vëllimit poetik ” Fati i qyteteve të vogla ” të autores Fiqirete Kukli ) / Nga: Rexhep Shahu

FATI I QYTETEVE TË VOGLA
 
( Referim rreth vëllimit poetik ” Fati i qyteteve të vogla ” të autores Fiqirete Kukli )
 
Cikël poetik nga Fiqirete Kukli, shkëputur nga vëllimi i ri poetik Fati i qyteteve të vogla, botuar më 2017, përgatur nga shtëpia botuese “Klubi i Poezisë”, Tiranë, me redaktor Rexhep Shahu, recenzent Izet Duraku.
 
Fati i qyteteve të vogla është fati i njerzve, fati i keq e i mirë që na prin e ndjek në jetë.
Autorja Fiqirete Kukli është emigrante si gjysma e shqiptarëve të atdheut fizik që çerek shekulli i fundit i dëboi duke i kthyer në përmendore të gjalla malli e dhimbje.
Në këtë libër do të gjeni shqiptaren a shqiptarin që, atje në tokë të huaj tashmë ndjehet jo krejt e huaj, që këtu në tokën amtare ndjehet tashmë jo krejt si në tokën e vet, që ndjehet as atje as këtu, as në tokë as në qiell, as të gjallë as të vdekur.
Në këtë libër do të shihni se njeriu është si qyteti, është si lumi, si Shkumbini…
 
 
Fiqirete Kukli
 
Gjithkush ka dhe shkruan librin e vet.
Ky është libri i parë dhe duket jo i fundit i autores Fiqirete Kukli, e cila ka hedhur tej dyshimet e dyzimet dhe del para lexuesve me librin e saj, me poezi që ruajnë rininë e hershme aty brigjeve të Shkumbinit, që janë rritë nëpër lumin e jetës dhe janë shkruar udhëve të mërgimit.
Edhe ky libër, që iu besua shtëpisë botuese Klubi i Poezisë, pohon se askush nuk ka të drejtë të shpallet pronari i poezisë, pohon që askush nuk ka të drejtë të ngulmojë deri në paciptësi duke shitë veten si bërës apo krijues poetësh, si orakull që shkruan fatin e të tjerëve dhe nëse refuzohen, ata mallkojnë poetët, mallkojnë ata që duan ta shkruajnë siç dinë librin e tyre, librin e jetës së tyre, ashtu siç Shkumbini shkruan në jetën e fatin e Fiqirete Kuklit duke e ndjekë atë si fati njeriun, nga Librazhdi në Rimini në Itali atje ku jeton e punon me familjen e saj.
Fati i qyteteve të vogla është një libër që flet vetë, me metafora të befta e të ngrohta, që të jep emocion dhe të vë në mendime. Ne të gjithë jemi nga një qytet i vogël që e merr me vete një ujë lumi, një Shkumbin në të cilin derdhen ëndrrat tona.
 
 
 
Nga: Rexhep Shahu
 
 
FATI I QYTETEVE TË VOGLA
 
Ne luteshim gjithmonë
Të ndaleshin njerzit në qytetin tonë
Luteshim
Por ata kalonin mes për mes dhe iknin
Iknin, nuk ndalonin.
 
Ne shpesh ndjeheshim pak
Ndjeheshim të vegjël
Ndjeheshim të pamjaftueshëm
Dhe donim të tjerë njerëz të ndaleshin në qytetin tonë
Sepse qyteti i vogël ish
Por zemrën të madh e kish.
 
Udhëtarët na dukeshin si pjesë e jona
Na përshëndesnin me bori makinash të rralla
Ikjen si trishtim linin për ne
Për qytetin tonë të vogël me zemër të madhe.
 
Si Shkumbini, edhe udhëtarët
Kalonin nëpër ne dhe iknin
Duke marrë me vete ëndrrat dhe shpresat tona
Duke shkruar fatin e qyteteve të vogla.
 
 
 
SHKUMBINI SHKRUAN NË MUA
 
Shkumbini shkruan në mua ëndrrat më të bukura
dashuritë e mia,
mbytjet në gjiret e tij
shkruan rritjen time
sytë e mi
të qeshurën time që derdha në të
vështrimet që mi mori përjetë
këngët e mia që i mbolli si rrape
këngët e mia që m’i bëri vetë.
Shkumbini nuk ndalet së shkruari mbi mua,
gjunjët e vrarë që laja në të
gërvishjet e përgjakjet nga rrëzimi në varp
lotët që nxirrja në fytyrën gjithë pluhur
kureshtjen për gjinjtë që më rriteshin
dhe ai mi ledhatonte
rininë time shkruan në mua,
dashurinë e tretur që dhemb
më mëson të rend drejt fatit,
të mos ndalem më mëson.
Ëndrrat e mia u bënë shkumë
valë – valë rendin nëpër gurë
rriten ëndrrat, mbyten shpesh
brigjet qajnë, shemben në ujë.
Shkumbin lumi im, ëndrra ime
që më mëson ta gjej udhën
edhe kur s’ka udhë
ta çaj malin mes për mes
dhe dashurinë më mëson,
më mëson të dua
të shkruaj dhe unë në zemër
si ai në tokë e në brigje
më mëson zgjimin
këngët e tij që s’kanë fund
vajet e dhimbjet e tokës
lotët e maleve që rrjedhin në të
më mëson mirësinë, dashurinë
të mos ndalem kurrë deri në det…
 
 
 
NDARJET MË TRISHTOJNË
 
Po iki.
Ndarjet më trishtojnë
dhe kërcitja e derës tek mbyllet pas meje.
 
Rruga që s’e gjej
ngushtohet.
 
 
 
SHKUMBINI DHE UNË
 
Shkumbini dhe unë shpesh jemi të turbullt.
 
Nga malet e ëndrrave
rrokullisen gurë në ne
dhe na turbullojnë.
 
 
 
O XIXILLAK
 
(kushtuar valltarit të famshëm Sadi Halili)
 
Na ke marrë për dore o Sadi Halili…
drejt qiellit na tërheq
drejt diellit, dashurisë
me rreze dielli je mbështjellë
ëndërr e rinisë.
 
Na ke marrë për dore o Sadi Halili
Shkumbinin për beli ke mbështjellë
e çmbështjell në ajër kur zbret nga qielli
ta prekësh tokën me marrë fuqi
dhe shkund retë që të janë ngatërruar mbi krye.
 
Këmba jote nuk zë dhe’
trokon në ëndërr, niset për te yjet
fluturojmë ti e unë nga toka në re’
nga njëri shkëmb në tjetrin gur
nga njëri shpat në tjetrën majë
nga njëra ëndërr te tjetra brengë
nga njëra dhimbje te tjetra këngë
nga njëri lumë te tjetri mal.
 
Na ke marrë për dore o Sadi Halili
dhe në qiell ëndrrash na hedh.
 
Si zogjve, na mësove fluturimin.
 
 
 
HAJDE ZEMËR
 
M
 
Hajde zemër
Ti notat, unë fjalën me zërin tim
Muzika të jehojë
Kitara jote cicëron në duart e tua
E ne fluturojmë në ëndrra pa fund.
 
 
 
LIBRAZHDI YNË I VOGËL I MADH
 
Librazhdi ynë i vogël i madh
Portë e hapur gjithmonë.
Ne bijat e perëndeshës Dianë
hidhnim shtat nëpër shkumë.
 
Librazhdi ynë i vogël i madh
I mbushur me shpresat tona plot
me drojet tona që linim në Shkumbin
dhe ëndrrat që ia nisnim detit.
 
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s