Poezi nga Leonora Lokaj
ZGJOHU
Mëngjese të ndrojtura lindin,
himne pa melodi zgërdhihen,
shtigjeve lavire të jetës
zgjohen shqetësimet,
buzëqeshje të brymosura falin.
Mendimeve u vjen era,
harqeve të shumta hapur
horizonteve të mjegullta,
zogjtë artificial ushqehen
me të vjellat e fjalëve,
që çdo ditë u vdesin ndjenjat.
Ti botë prej hekuri,
me akujt e kobit
ëndrrat e mbijetuara i shpon,
shpresave të rebeluar
ua mbyllë portat e kthimit,
fatet e popujve i kryqëzon,
në majëlartën e Olimpit.
Pse nuk zgjohesh bleruar
në një të vetmen ditë?
Le të flas në ëndrrën tënde
Allahu…Zeusi…Jehovai…!
…kushdo, vetëm ngrihu!
Shembi muret e marrëzisë.
Helmin gjarpërorë
largoje nga buzët,
puthe pafajësinë e fjetur…
Ëndrrave falu flatra,
…me dhëmbë ujku mos lejo,
kafshimet e dinjitetin tënd!
Zgjohu!!!
* Poezia “ZGJOHU” e vlerësuar me Çmimin e Tretë në Manifestimin letrar “Fjala e gurit-2017” në Vushtrri.
Në truallin e zemrës sime kryqëzohen krahët tuaj
Sonte kur bien kambanat,
pikëllimi i copëtuar kreshtat mblidh,
në truallin e zemrës kryqëzohen krahët tuaj,
shpresën time flake kashte përqafojnë….
Ky qe fati ynë… që mori trajtë në sytë e djallit.
Fundshekulli thinjosh kollitej plot vrerë,
rrokullisej trojeve të përgjakura,
gjarpërinjtë hanin dromcat e fundit të ëndrrave,
zogjtë ushqeheshin me vajet e veta.
Fate grash përtypur nga jeta
varen në gozhda lënesha.
Lirisë sonë i gufuan gjinjtë në pubertet,
kur gjethet po braktisin drunjtë,
vallëzojnë karnavale ëndrrash
… presin ardhjet,
kambanat mortore ngjyrë gri
copëtojnë pikëllime mbrëmjesh.
Pikëllimet e shiut dorëzohen para kryqëzimit,
shpirtrat i sjell t’i shesë në ankand,
kurrizit të viteve pikon malli,
gjumi pushon mbi kujtime,
përqafimet e munguara bëhen gurë,
shtigjeve të parrahura të harrimit,
durimit të shpirtit… i erdhi fundi!
Proteston një zog i bardhë që ëndërron fluturimin,
Tek heq me sqep fijet e këputura të shpirtit
të lodhur nga pritja,
ëndërrverbuar vallëzojnë shpresat,
nen melodinë e këngës cigane,
rrugëve pa emër të shekullit të ri,
rrugëve lehonë…
Bien kambanat, koha ikën,
e kujtimi qetas na fle në sy…
P.S.(Kushtuar të vejave te luftës)
Kënga e shiut
Pika shiu trokasin mbi çati
Oxhaku i prushtë dhe verëkuqja
Dolli ngritën
Liqenmallin trazuan
Imazhi yt si kalorës i patrembur
Bëhet refren i këngëshiut…
Si shpend pupëlbardhë
Shpirtëdehur lutem
Të zgjas ky shi…
Në realitetin e kohës gjarpri fle
Rrugëve që djersinë pa hartë ecur,
këngëdjegur në pentagram,
zvarritet në teatrin e heshtje himnshpirti i molisur,
buzëshkrumb grithë dashurinë e natës,
kërkon fjalë ta zbukuroj vargun e syrgjynosur.
Tingujt e dhembjes janë përflakur,
në amfiteatrin e jetës mjerimi nuk varroset dot,
bota buzëqeshjevyshkur trupin kafshon
bije në gjumë natës pelim,ditës derdhë miliona lot
me dhëmb plake përtypë dinjitetin e vet.
Lëkurës së bardhë fshehën mëkatet
prehrit të pritjes ironia strajcën zbarkon,
durimit të grisur, një shpendkeqe këngës ia thotë
ëndrrat qorre derdhen fushave të pikëllimit
… dhe në realitetin e kohës gjarpri fle.