Poezi nga Hamit Taka

Poezi nga Hamit Taka

 

THËNGJILLI

I qetë mes hirit rri thëngjilli,
Po mpaket, shuhet në vetmi,
Ndoshta sheh të fundmen ëndërr
Ta ndezë sërish dhe një shkëndi;

Ndoshta pret një shprehje ndjese
Një fletë fletorje zhubravitur,
Kapet pas një fije shprese,
Ta ndezë sërish flakën e mitur;

Mbase kujton vite më parë,
Kur ish lastar njomzak i blertë,
Ku ulej zogu këngëtar
Joshte me këngë miken e vet;

Mbase shkon edhe më larg
Kur ishte ind i trungut të moçëm,
Rrufetë, ylberet shihte varg
Po tufanet dot s’e mposhtën…

Ah, vjen gjyshja e qetë, pa bujë
Me krehr të mashës e merr për dreq,
E hedh në filxhanin plot me ujë
T’ia prish nipçes syrin e keq.

 

DREJT JUGUT…

Për në Jugë po garend treni,
Për në Jugë dhe era shkon,
Për atje vetiu dhe zemra
Pas gjëmimit po vrapon!

Ah, atje vendlindj’e shtrenjtë
Një katund plot bukuri,
Rreth tij pyje, zogj e fletë,
Rretheqark plot hijeshi.

Anës fshatit ngrihet heshtur
Një shtëpi me pak ndriçim,
Brenda fërgëllon pa reshtur
Zemra ime plot trishtim!

Plot ndriçim ngre valët lumi,
Erërat fryjnë jugë e veri,
I shket koha shpejt si plumbi
Gjyshes sime në vetmi!

 

ASHTU LUS PËRHERË…

Kur vraponi rrugës nur e gas
Dhe tundni lule nëpër duar,
Më lumturoni sa brohoras:
Të qeshur qofshi, të gëzuar!

Dhe unë dikur isha fëmijë
Lëndinave bridhja, mblidhja lule,
Por për çudi, malli të mbijë
S’më shkonte mëndja nëpër muzgje;

Me gjithë shpirt dua gjithmonë
Jo vetëm pranvera, stina juaj
Por edhe dimri i moshës sonë
Mos t’ju gjej në dhe të huaj!

Kur vraponi rrugëve tërë gas
Dhe tundni lule nëpër duar,
Përherë ju pafsha, brohoras,
Të qeshur, të lumturuar!

 

MATURANTES

Varur në garderobën e varfër
Fustani i maturës po të pret,
Lehtaz në zemrën e pastër
Valsi i lumturisë po troket.

Do të ndahesh me shokët tashmë,
Pret të vraposh pas një ëndërre…
E zbetë një çast fytyra t’u bë,
Se kujtimet nuk shkulen prej zëmre.

T’u përskuqën faqet zeshkane
Nën pushin e lehtë mbuluar?…
Një çapkën të vështron i vrenjtur
Nga frika e ndarjesh pushtuar;

Mos po vështron dhe ti me mallë
Ato vitet e bukura pa kthim
Dhe shpirtin që digjej më parë
Mes shqetësimesh pa mbarim?

E nesmja do ta ndriçojë mëndjen
Pas ziles shkollore që do hesht,
Të tjerë tinguj do kumbojnë me ëndje
Si vals i lumturisë së vërtetë…

Mos kërko ti qetësinë e kotë,
Prehjen mes luksit, jetës gazmore,
Se ndodh tinëz nga ajo botë
Të të godasë dora e fatit, mizore.

Mbushi ditët plot me dashuri,
Mos i qas brengat, lotët e shkretë,
Në rrugën e dijes, plot vështirësi
Me tinguj valsi do të ecësh në jetë!…

 

NUK TË NDIHET FARE FRYMA…

Ashtu si bletës në koshere
S’i dëgjohet fërfërima,
Dhe ti qetas më afrohesh
Nuk të ndihet fare fryma…

S’ ngopem së pari, e dashur
Të ëmbëlën tënde fytyrë,
Fëmijët tanë të bukur shoh
Në dy sytë e tu pasqyrë.

Sytë e tu burim i kulluar
Pa rrëfyer nuk lënë gjë,
Veç tani në bebëzat e tua
Mjalt’i mjaltit, jo tjetër më.

Për ty unë dua t’i harxhoj
Sytë e qeshur që m’i fale
Kudo qofsh do të shikoj
Në dete, qiell edhe male.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s