Thërrime të shkërmoqura / Tregim nga Sabina Darova

Thërrime të shkërmoqura
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Në punë, mëngjezi është i veçantë. Përpara  se të hapësh derën e zyrës e të zhytesh në burokracinë e letrave, kalohet në një deriçkë. Nga ajo që të fton nga fundi i shkallëve ndërsa  ngjitesh në katin e tretë duke të orientuar me aromën dehëse e gudulisëse të kafesë,  Përshëndes koleget e vë re, që asnjëra nuk ja vë veshin përshëndetjes  time.
E çuditur dalloj sytë  e tyre që shkëlqejnë si të përhumbura e të perqëndruara diku larg. Fjala e fundit që arrij të perceptoj, është ” bucaneve”.
“I paska marrë malli për dëborë”,  i them vetes.
“E ” i novellini”? , pyet një  kolege.
Kthej sytë nga ajo pa kuptuar akoma asgjë.
” Po ” i pampavia” ?,  hidhet një tjetër.
“Si e ka emrin kjo loja?”, pyes duke ironizuar.
Teresa ve buzën  në gaz e më thotë duke qeshur:
“Për  ty duken si  fjalë të huaja , se je e huaj”
“Ah”
” sot po bëjmë historikun e biskotave”, thotë Ana. “biskotat që hanim dikur kur ishim të vogla, e që tani nuk janë më”.
“Një herë e një kohë”,  vazhdon, ” biskotat kishin një shije tjetër. Kur kaloje rrugës  ku ndodhej  ëmbëltorja pranë shkollës, ndjehej  era e gjalpit që shkrihej brenda brumit të biskotave, të sapo dala nga furra, si një garnizon ushtarësh.  Aroma që përzihej me erën e lajthive të pjekura  dhe të kanellës, të tërhiqte prej hundësh përpara portës së dyqanit. Në atë moment, gërmoje  fundin e xhepave për të kërkuar në ndihmë monedhat e falura nga familjarët .  “Bukanevet” ishin më të preferuarat, sepse kishin glasën  e bardhë sipër që më pëlqente ta lëpija. Ngjanin si lule  margerita…”
 
Filloj dhe unë të kërkoj në ndihmë kujtesën, ashtu si Ana që gërmonte ndër xhepa monedhat e falura.
Monedha e parë që ngeci, ishte aroma e bukës së thekur mbi gizën e sobës. Sipër saj  vinte shtresa e gjalpit që përpihej  menjëherë nga poret e saj të rreshkura. Të bashkuara përbënin një aromë si myshk pylli. Më pëlqente ai çast. Sa herë vendosja shtresën  e gjalpit, rrija dhe shikoja se si shkrihej në pak sekonda plot epsh. Më pas, i hidhja sheqer apo e  shoqeroja me djathë  të bardhë dhe çaj. I ngjante mëngjezeve  romake, kur romakët ngriheshin nga gjumi e përtypnin galetat e bukës së kaluara  në furrë. Zhurma kërkëllitëse vinte në provë dhëmbët e bardhë fëmijërorë që kërcisnin si nallanet mbi kalldrëm. Edhe ne jetonim si romakë të vjetër e të varfër…
E biskotat, pyes vetëveten?
Gërmimi në xhepat e kujtesës, nxjerr pjesëza filmi të vjetër, fotografuar në disa forma kuadrate, si katrorët  e pikturuar nga Fontana. Të trasha, shumë të trasha, të cilave, të rriturit ju hidhnin shërbet dhe i përdornin në vend të ëmbëlsirave. Ky kujtim nuk më la shije të mirë dhe vura në provë përsëri kujtesën. Mbi buzë fillon të vizatohet një buzëqeshje fëmijërore. Dalloj konturet e kubikëve  të gurabijeve, që shkriftoheshin sapo i vendosje në gojë. Pushimi i madh, siç quhej  dikur, intervali prej njëzet  minutash, na tërhiqte  shputat e këmbeve si bishtat e sirenave të detit, të mirrnim vrapin e të gjendeshim përpara banakut të ëmbëltores. Zhgënjimi tallej si kukamçefti me ne, sepse shpesh ingjenim të mbaruara dhe banaku i boshatisur na vështronte si një gojë balene e uritur. Ja dhe një shije tjetër e hidhur mbi buzë…
Vështroja koleget italiane që kujtonin të përmalluara fëmijërinë e tyre, ndërsa tek unë ndjenjat përziheshin. Mall, hidhërim, zemërim, brengosje, trishtim  e më pas përsëri zemërim.
Fëmijeria ime ishte si buka e shkërmoqur mbi tavolinë të vjetër. Në çdo thërrime, zbuloja dëshirat e pangopura tek ballafaqohesha ironikisht  me vështrimin lakmitar të  ekranit të televiziorit. që zbardhte dhëmbët me mrekullitë  e “Mulino Bianco”( mullirit të bardhë), të RAI Uno-s.
Në ato çaste, kur fantazia merrte udhë në tavolinat e stolisura me bollëk të të pasurve,  ndjehej zëri  metalik i tim eti, i cili mundohej tu priste krahët.
“Mos e shihni ashtu, se llaç është. Brumë i papjekur që të zë stomaku. Reklama me janë. Reklama kapitalistësh!”
Ktheja vrik kokën me sytë shkrepëtimë edhe pse e dija fort mirë, që mendonte të kundërtën e asaj që murmërinte, e bubullija :
” Edhe këtë ëndërr po ma prish? Të paktën  më ler të jetoj pak sekonda  në gënjeshtër. Më ler të humbas në këtë botë “gënjeshtër” , por të vërtetë matanë detit…”
 
Për fat të keq, në kërkim e sipër, xhepat e kujtesës u mbushën me tullona racionesh ushqimore,me radhat ku prisnin  këmbë zbathur e veshur keq agimet, saqë mbylla gishtërinjtë grusht në revoltë, duke u sforcuar për të ndalur  kujtesën.
” Mjaft”, urdhërova veten!
” Mjaft u mundove! “
” Je duke gërmuar  për të shkuar ku…?”
” Përse shqetëson dallgët që i ke vënë të flenë? Mos vallë, fëmija i munduar  brenda teje,  është akoma duke kërkuar shpagim nga koha e urisë së komunizmit? Apo mos vallë te revoltojnë zërat e vjetër që ndjellin mallin e qoftëargut diktator?”
 
Për tu çliruar nga ai ankth, si të gjeja shpëtim, hodha vështrimin në dritare.
Dy djem të rinj, po vendosnin shkallët pranë një peme për të montuar dritat ndriçuese. Po afroheshin krishtëlindjet.
Ajër festash.
E ndoshta edhe kohë që  do të sillte lindje të reja.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s