Poezi nga Mimoza Çekiçi Rista
RESNJET…
Prej fundit nisen,
prej zemrës së territ
lastarë të hajthshëm përmbytur në faj
gjethet e blerta misterin mbartin
mbi ujëra përhapin zë, vaj…
Dridhet gjoli
në mish e lëkurë,
trupat e humbur-prehje nuk kanë
pranguar në lirinë e paskaj
vendas dhe të huaj misteri i mban.
Ëndrrat u thyen,
as trupa, as kocka nuk kanë
dhe loti tash grryen e veten e ha,
por nga thellësitë
në çdo resnje mbin si dritë
shpirti i tyre
dhe flakën shpërndan flakadan.