U BËRA, SI DESHA TË JEM NË JETË / Vullnet Mato

Vullnet Mato

U BËRA, SI DESHA TË JEM NË JETË

Po rrëfehem shkurt, për ata që më lexojnë dhe janë kureshtar të më njohin, si u formova për të rrokur penën…
Kur shokët e mi të moshës 7-8 vjeçare shkruanin mureve me shkumës, dëshirën se çdo të bëheshin kur të rriteshin, shofer, pilot, apo marinar, unë shkarravita diku në muret bregdetar të Sarandës: Vullnet Mato – Piktor. Konkurova për në Liceun Artistik dhe fitova, po rrethi ia dha bijës së një zyrtari të lartë, pa konkurs. Atëherë fillova të zmadhoj me laps të zi, foto të vdekurish dhe të bëj portrete të çastit, për kalimtarët.
Ndërkohë desha të bëhem kinomekanik dhe u bëra. Në fillim ndihmës në kinemanë e qytetit dhe më pas shfaqa filma larg, në sharrat e pyjeve të Librazhdit. Desha të bëhem fizarmoniçist, për të vrarë mërzinë larg shtëpisë dhe u bëra. Drejtova një orkestrinë dhe i bëra njerëzit të vallëzojnë. Më tej, desha të realizoja ëndrrën e mbetur peng, të bëhesha piktor dhe u bëra. Mbarova Liceun Artistik “Jordan Misja” ku mora diplomën e piktorit. Bëra shumë portrete e peizazhe me ngjyra vaji dhe çela disa ekspozita personale në qytete të ndryshëm. Desha të bëhem burrë i një femre të bukur dhe u bëra. Rrëmbeva një bukuroshe korçare, të cilën besimtarët fanatik s’donin të ma jepnin dhe më pas u bënë adhurues të mi. Fillova të shkruaj poezi e reportazhe. Desha të bëhem skenarist dhe autor tekstesh në festivalet e këngës në RTV dhe u bëra. Mora disa çmime me muzikën e kompozitorëve të shquar, Agim Krajka, Pjetër Gaci, Enver Shëngjergji etj. Desha të bëhem shkrimtar dhe u bëra. Lexova pothuaj të gjitha veprat e botuara të letërsisë artistike deri në atë kohë, dhe mbarova Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku u diplomova për gjuhë-letërsi shqipe. Punova mësimdhënës dhe shef në drejtori arsimore. Ndërkohë botova 27 libra me poezi, tregime dhe romane. Librat e mi fituan çmime, më dhanë tituj nderi dhe shkuan deri në bibliotekat e mëdha të botës. U pranova anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë dhe kongreset e saj, më cilësuan talent i spikatur. Poezitë dhe poemat e mia u recituan në emisione televizive nga aktorë të teatrit Popullor. Më pas desha të bëhem redaktor dhe u bëra, së pari në Revistën “Ylli”, më e madhja e kohës.
Pastaj duke vijuar të hedh hapa të sigurt, si profesionist, i fushës ku mbillet e mbin letërsia artistike, arrita pa u ndalur, deri në ditët e sotme. Kur kam redaktuar qindra libra të autorëve të ndryshëm nga Tirana, në SHBA, Gjermani, Itali, Francë, Kosovë, Greqi, e gjetkë. Dhe kam publikuar në internet disa mijëra krijime të mia poetike e tregime jetësore.
Ndonëse forcat e errëta të smirës, më kanë vënë përpara pengesa të çdo lloji, herë pas here, për të më vrarë gjunjët, gishtat dhe gjumin, unë u bëra, ai që desha të jem në jetë. Duke pasur kurdoherë besimin e patundur, se pasioni, qëllimi dhe mirësia e trashëguar brenda vetes, triumfon mbi çdo pengesë. Atyre tipave, u vriten sytë edhe duke lexuar këtu, arritjet e punës sime, e mund të thonë: “Ti po ngre veten!”… Unë u them: Ç’mund të bëj tjetër, përveçse të ngrihem, kur ju lodheni prej kohësh të më ulni?!… Megjithatë unë nuk mërzitem prej tyre, sepse çdo suksesor, ka smirëzinjtë e tij. Dhe për më tepër, të gjitha ngritjet e mia në jetë, u arritën, jo kaq thjesht e shpejt, sa i tregoj këtu, por me ngulm, mundim e sakrifica të pashembullta, në kushtet sfilitëse të së djeshmes shqiptare…
Tani së fundi, dua të bëhem një njeri me përjetësi shekullore, deri në çastin, kur të mos më ketë vdekur mendja, syri, këmba dhe dora. Për këtë dëshirë, i kam bërë Zotit një kërkesë verbale, nga antenat gjigante në majën e malit të Dajtit. Por ende nuk kam marrë përgjigje. Pres me shumë shpresë e besim te bujaria e Tij. Pasi kam ndjerë ndërhyrjen hyjnore në katër mrekulli, ku Zoti më ka sprapsur nga vdekja e sigurt. Këto raste, më kanë lënë të kuptoj, ndoshta i Plotfuqishmi qiellor nuk dëshiron ikjen time nga kjo botë, se mund të jem ende i dobishëm këtu poshtë në Tokë… Ku nuk shfrytëzoj asnjeri, por konsumoj vetëm ushqimin që prodhon truri im, pa marrë asgjë nga paraardhësit e pasardhësit, duke i lënë krejt të lehtësuar për lotin e sinqertë. Vazhdoj të jem aktiv, deri në gjykimin final të Mëshirëmadhit. Duke qenë i rrethuar nga mijëra miq e lexues fjalëmbël, në të gjithë kontinentet, që i dua shumë dhe më duan, të frymoj kështu si kam arritur të bëhem në jetë..

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s