Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

ME THONJTË PREJ FURTUNE

Në këto çaste paskan mbetur
Krejtësisht të vetmuara stërqokat
Mbi barin e fishkur
Përpëlitet një hije e stepur

Nëpër qiellin e ngrysur
Të atdheut tim
Sonte nuk kanë të ndalur
Fluturimet e çafkave të bardha

Në hapësirën e paanë të qiellit
Notojnë mes reve
Shtëllunga mjegullash të zeza

Një diell krejtësisht i ri
Paska lindur sivjet në perëndim

Nëpër hullitë e përhitur të qiellit
Kanë zënë e po fluturojnë
Zogjtë e metaltë të shpresës

As shirat më nuk mejnë
Mbi pikëllimin e trishtuar të Bllacës
Po dënesin zanat e maleve

2.

Nuset e Pollogut për herë të parë
Paskan dalë pa shamia në kokë
Kanë dalë
Dhe po i shkulin
Me thonjtë prej furtune
Po i shkulin nga rrënja
Pendlat e kalbura të stërqokave të zeza.

 

ÇFARË PO NGJAN SONTE

Korijeve po frynë një erë e sëmurë
Nëpër ullukët e çative
Zgjohen kallkanët
Këlthitjet e stërqokave s’paskan të ndalur
Çfarë po ngjan sonte
Me plepat e djegura të fshatit

Si ushtat e helmuara po bien gjethet
Largohen edhe stinët nga kjo anë
Nën jorganin e përhitur të acarit
Po bien shirat e mykur
Si stërvinat
Shkapërderdhen drutë e prerë

Ka kohë që ka vdekur këtu gjelbërimi
Nëpër fushat e mbjella
Me eshtra gurësh
Po mbijnë si shelgjet
Kundërmimet e kufomave
Çfarë po ngjanë sonte
Me plepat e djegur të fshatit.

 

NJË ZOG PREJ DRITE

Nëpër qiellin me nëntë plagë
Të Kosovës martire,
Sërish fluturojnë disa lloje zogjsh
Prej atyre me shpirt të plagosur,
Zogj të kaltër prej drite të pasosur.

Dikur banonte sterra në këto anë,
Kurse sot
Një flakë e zjarrtë prej flatrash,
Me dashuri të padëgjuara i mat
Hapësirat e kaltërsive të fituara.

Këtu tani kujtimet maten me dashuri.
Nga rëra e çmendur e detit
I ngritëm spirancat e vuajtjeve
Dhe sot si zogjtë e parajsës
Fluturojmë pash më pash galaktikës.

Para dhe pas nesh
Kemi lënë ngordhësirat.
Kundërmojnë si kurrë më keq.
Një zog prej drite në fillim të tunelit,
Depërton në palcën e shëruar të atdheut.

 

KOLLITJET E AMALGAMËS

Qëndroj përballë pasqyrës
Dhe si një qime e thinjur
Fundosem në mbretërinë
E fushës se pasteleve

Më rëndohet frymëmarrja
Kam pak marramendje
Pas shpine një tjetër njeri
I rregullon flokët e erës

Jashtë dhomës së gjumit
Flenë drurët në kopsht
Portreti i mjegullave sonte përkundet
Nën pjergullën e vjetër

Sërish qëndroj pranë pasqyrës
Dhe për së afërmi i dëgjoj
Kollitjet e amalgamës
Përbrenda pasqyrës kollitet uni im.

 

PO JU LË AMANET KËTË VEND TË LASHTË

Jetova mbi shtatëdhjetë vjet qençe
Njëqind herë kalova
Nën ylberin e thinjur
Dhe sërish hyra
Në lojën e pashmangshme të një poeme

Gjatë gjithë jetës sime
Pata njëqind e ca emra
Pasuri tjetër
Nuk isha në gjendje të krijoj
Po ju lë amanet
Këto fusha të Dardanisë
Dhe shpirtin pagan të këtyre maleve.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s