Fragment nga romani “Qyteti i engjëjve” të autores KRISTA VOLF / Përktheu në shqip Aristidh Ristani

Fragment nga romani “Qyteti i engjëjve” të autores KRISTA VOLF


“Kujtimet e vërteta duhet të shërbejnë jo aq për të kumtuar sesa për të dhënë me saktësi vendin ku hulumtuesi i ka përftuar.”
Valter Benjamin: 
“Të rrëmosh e të kujtosh”

Në sallon, ku drita kaliforniane, pa u situr ndokund, hynte përmes një xhamllëku vigan duke ofruar një panoramë të oqeanit Paqësor dhe të një harku të madh që përshkonte dielli nga e djathta në të majtë, një panoramë që më linte gjithmonë pa frymë dhe që qysh atëherë, më shpesh se çdo panoramë tjetër e atij viti, më pluskon para syve të mendjes, pra, në sallon qenë ulur e po rrinin të gjithë, secili prapa gazetës së vendit nga vinte. Nisën të shfaqeshin shprehi të pëlqyeshme. Hi! përshëndeta unë, dhe Hi! m’u përgjigjën që prapa gazetave.

Kishim vende thuajse të caktuara, vendi im ndodhej, rastësisht ose jo, ndërmjet dy italianëve, Françeskos, që merrej me arkitekturë, dhe Valentinës, e cila pati ardhur për një periudhë të shkurtër që të përfundonte studimin e vet lidhur me një shtatore antike të ekspozuar në muzeun e famshëm të QENDRËS. Ma kishte vënë përpara filxhanin tim, po ashtu aty afër termosin me çaj dhe gazetën gjermane ku qe abonuar institucioni. E falënderova me një vështrim. Ishte si përherë veçanërisht e bukur me ato leshrat e saj të gështenjta e kaçurrele dhe me atë xhaketë të qepur me copa gjithfarëlloj ngjyrash. Si gjithmonë kur takoheshim, më buzëqeshi shend e verë.

Pra, hodha çaj në filxhanin tim, shfletova gazetën dhe nisa të lexoja ato që në Gjermani para tri ose katër ditësh i patën quajtur gjëra interesante për t’u njoftuar. Kështu, lexova se një koleg, që duhej të ishte larguar nga vendi ynë pak kohë më përpara se ky të falimentonte, një person me të cilin kishim pasur pikëpamje pak a shumë të njëjta, tani e paraqiste veten si kritik radikal ndaj tërë atyre që patën ndenjur në RDGJ, në vend që të ishin larguar si ai së andejmi, me të njëjtën ndjenjë neverie. Lexova se e kritikonte “revolucionin” e vjeshtës së vitit 1989 për faktin që ishte zhvilluar pa derdhur gjak. Thoshte se duhej të ishin prerë koka, dhe shtonte se ishim treguar tejet të druajtur e tejet frikacakë. Dhe thashë me vete se shkruante kështu një njeri që s’do ta kishte pasur kurrë në rrezik kokën e vet, dhe vura re se si brenda meje po nisja një diskutim me këtë koleg.

(Christa Wolf: “Qyteti i engjëjve”, Titulli i origjinalit: 
“Stadt der Engel oder The Overcoat of Dr. Freud”, Roman, 
Botimet “SANTORI”, Tiranë 2014, 450 faqe.)

 

Përktheu në shqip Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s