Poezi nga Kadrush Radogoshi

Poezi nga Kadrush Radogoshi

 

BUKUROSHJA E DURRËSIT

Bukuroshja e Durrësit paska ikur nga mozaiku antik!
Emrin ndërruar e paska dhe e Bukura e Dheut qenka bërë!
Ëndrrën e harlisur në barkë e paska shndërruar
E qenka nisur për në bregun tjetër
Në bregun që largohet sa herë dëshirojmë ta arrijmë!

Bukuroshja e Durrësit
Paska ikur nga mozaiku antik
Pak para se të fillonte tërmeti shkatërrimtar
E qenka shndërruar në matëse të lëvizjeve sizmologjike
Në kontinentin e një shpirti shtegtar!

Emrin e paska ndërruar se paska pasur dëshirë
Të mos ishte vazhdimisht e Jashtëzakonshmja me ftohtësi mermeri!
I qenka dukur interesante të jetë vetëm njëra nga gocat
E rreshkura në diellin me sy të kaltër
E të përkundura në djepin e valëve
Në detin e së pamundshmes së adhuruar!

Edhe pse emrin e paska ndërruar
Edhe pse nuk jetuaka më në të njëjtën adresë
Ritmi i zemrës i njëjtë i paska mbetur
Me një puthje bashkuaka tokë e qiell
Bukuroshja e Durrësit!

 

E LINDUR NË MUAJIN E LULEVE

Orakulli i Kështjellës së lashtë i pat thënë
Nimfës shtatzënë:
Nëse dëshiron të lindësh lulen që e shohin
Vetëm sytë e Orfeut,
Lindjen duhet ta bësh në muajin maj.

Në qytetin e dalë nga ëndrra
Lindi goca me forcën magjike
Për t’ia pushtuar zemrën Orfeut
Për t’ia shndërruar atë në një det
Pafundësisht të gjerë
Pafundësisht të thellë.

Në të
Kur të donte
Mund të ngrinte dallgë që e thyenin gjoksin shkëmbinjve,
Mund të bëhej dirigjente e atyre valëve
Të shndërruara në orkestër simfonike,
Mund t’i binte pianos së erës
Me gishtat artistikë të përkëdheljes.

Në ishullin e pashkelur nga këmbë njeriu
I kërkoi Orfeut
Ta ndërtonte shtëpinë e tingujve dhe fjalëve,
Aty zemra e shpirti
Ishin i vetmi burim graviteti.

Brenda asaj zone graviteti
Ajo e veshur me fustanin e qepur prej lulesh të bardha
Me buzët në të cilat kishin çelur trëndafilat e kuq
Hyri brenda me hapin magjepsës
E në shtratin e purpurt të ëndrrës
U shtri përbri Orfeut
Pastaj gjuajti me radhë të gjitha shigjetat e shpirtit…
Ato goditën të pagoditshmin Orfe gjerë atëherë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s