Poezi nga Fejzi Murati
FEMËR
Ka një milion vjet që nuk po t’i deshifrojmë dot ndjenjat!
Ka një milion vjet që nuk po t’i lexojmë dot mendimet!
Ka një milion vjet, që njerëzimi për ty vritet!
Ka një milion vjet që njerëzimi me ty rritet!
Cila je ti në të vërtetë,
që ke mposhtur legjendat dhe mitet?
NË PENTAGRAMIN E STINËVE
I keni dëgjuar tingujt e luleve kur çelin në pranverë?
I keni parë petalet si shkruajnë poezi?
Në pentagramin e stinëve
renditen notat,
vargjet,
siç kompozohet një simfoni…
Nuk besoni?
Shkoni një ditë mes pyjeve plot lule e zogj,
shtrihuni një herë mes lëndinave me manushaqe,
atëherë,
do të dëgjoni melodinë e tingujve magjikë,
atëherë,
do të shihni si lulet thurin vargje!
TI DHE MANUSHAQJA
( Në prag të ditës së VERES)
Hapi syçkat lulemanushaqja
nga drita e parë e mëngjesit,
një rreze dielli e puthi në faqe
dhe prush faqet ia ndezi.
Ç’më kujtohesh ti në ato çaste
kur hap syçkat
nën çarçafë të bardhë,
dhe pret të të vijë nga buza ime
puthja e mëngjesit,
prush e zjarr!
Diçka shumë të ngjashme ka vërtet
midis teje edhe manushaqes;
të njëjtën aromë u mbajnë gjinjtë,
i njëjti prush ju ndez buzët, faqet.
Ndaj e dua shumë manushaqen
te brisht e të pafaj si femi.
Ajo puthet me diellin pranverës,
çdo mëngjes me mua puthesh ti…