Poezi nga Dijana Toska

Poezi nga Dijana Toska

 

Vështirë

Në kohë të vështira
kokën mbrapa mos e kthe
dritën në fund të tunelit mos e kërko
nuk e gjen vetëm me një të kthyer koke
me një vështrim të gjatë pas vetes.

Shtegu i jetës
kanion i thellë pasionesh
e vështirë mendja mos të të merret
e vështirë mos të rrëzohesh poshtë.

Gurët një pas një u thyen mbi ne
varg i gjatë brengash
u shndërruam në gurë edhe ne
çdo ditë një brengë e re.

Shpirtra të trazuar
janë ngritur peshë.

Varrezat nuk i mbajnë më eshtrat
fishkëllimë e ashpër
shkon ulërima e fantazmave
krejt mbrapsht është kthyer bota
nëse globi e ka anën e vet të mbrapshtë
anën e errët.

E shpirtrat janë trazuar
janë ngritur peshë.

Shpirtin tënd binjak ku ta gjesh
krejt iku në djall
dhe mallkimi që e ndjek nga pas.

S’ka më treg të imët në fund të oborrit
përplot shqetësime shpirti
çdo gjë kalon nëpër arkat banale fiskale
shteti mbledh taksën.

Çdo gjë llogaritet me numra
botë numrash
me çfarë numrash maten ndjenjat
a nuk më thua
me çfarë shifre matet mëshira?

Sa shpejt njerëzit heqin lëkurën nga trupi
si leckën e palarë
ku mbeti njeriu
mirë paskemi qenë
sa mirë, more vëlla.

 

Dashunia

Dashuninë mos e lyp;
ajo vetë vjen,
pa e thirre; vjen kur nuk e pret,
të përkund në të amblat andrra përjetë.

Dashunia nuk di me rrejte;
ajo ashtë e pafajshme
si fëmija që duhet me e kapë përdore.
Nuk di as me i fshehë gjurmët, madje; as fjalësh, as hiç.

Dashunia kur të zë
nuk ashtë hiç e vështirë me e kuptue;
nuk ashtë sikur rakia-ke me e pa edhe vetë.
Veç nëse nuk di me dashte, nuk ke vuajte kurrë,
atëherë nuk e kupton.

Dashunia ashtë si lule, ta dish;
lyp me i folë butë, me e ujit, me e ledhatue.
Nuk ke çka me ba-ashtu e do ajo;
e, qebesa, edhe me i këndue përnatë, para se me fjetë, ndonji serenatë.

Dashunia ashtë flijim,
as mendja mos të t’shkojë me dyshue;
në çdo rrapëllimë zemre pahetueshëm e flijon nga një pjesë tanden, me vlerë;
fluturon përskaj hanës netëve të pa gjumë dhe e beson sikur ditën me diell.

Dashunia nuk ashtë fushëbetejë,
edhe pse ka luftë të ashpër ndjenjash e dëshirash;
ashtë veç nji paqe e pafund dhe shprishje gërshetash, damarësh;
temperaturat tropike në krye, damarët e lidhun nyjë i zgjidh.

Dashunia ashtë shumë ma shumë se çdo gja që syni i saj i shkruem e kap;
ashtë univers, ashtë jetë, ashtë frymë, zemër që rreh me mijëra vjet drite larg
dhe prapë gjaku vërshon damarëve tu për të përmbyse, përfundimisht, arsyen.

Leni llafet, askush nuk e di dashunia çka është,
po më thotë diçka në brendësi;
askush dashuninë e tjetrit s’e njeh me e pa në rrugë,
veç dashunia ime më flet kudo që ashtë,
ashtë nji rrugë e vizatueme në zemrën time
çdoherë e di ku je ti, dashuni, je këtu me mue, të kam në krye, në buzë, në sy, në gji.

© Dijana Toska 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s