SYRI I AVLLISË ( balada e gjyshes me fëmijët emigrantë) / Poezi nga Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

 

SYRI I AVLLISË

-balada e gjyshes me fëmijët emigrantë-

Nga gjithë kontinentet fëmijët zbarkuan
tek avllia e gjyshes e lyer me gëlqere.
Aq shumë vrapuan e luajtën si kecat
sa këpucët të gjithëve iu bënë fërtele.

Prindërit kur ikën u blenë të reja,
të vjetrat si jetime në oborrin krejt bosh,
ua hipën makinave, trenave, avionëve,
këto hidhi, i thanë nënës, tek plehrat, në kosh.

Ajo u ul tek porta e qau sa u ngop,
sa terri e mbuloi nën hirin e shkrumbit,
pastaj i mblodhi këpucët në futën e saj,
i la rresht sipas emrit në dhomat e gjumit.

Në mëngjes, dy nga dy, i ndau në avlli,
i thirri në emër si me gurgullima krojesh
pa eja e para ti tullumbacka, Sofi,
të t’i lidh nëna lidhëzat, se mos më rrëzohesh…

Kështu çdo natë i fuste në shtëpi,
çdo mëngjes në avllinë me hapa e këlthima,
thur e thur çorape e shih mos pengohen,
me celularin që ndryshkej në xhepin plot vrima…

Për vite me radhë veç ky film u shfaq
në syrin e avllisë, në sytë e saj gjak,
si s’u ndodh një kamera ta xhironte këtë film,
se çmimin óskar do ta kishte shumë pak…

Kështu e kështu derisa, dihet, një ditë,
u shua e shenjta në sofat të avllisë,
këpuckat kot vrapuan; – o nënaaa, o nënë…
dhe lidhëzat lëshuan si shiritat e zisë…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s