Poezi nga Ekrem Ajruli

Poezi nga Ekrem Ajruli

 

JO!!!

Jo, nuk ka dashuri
të shëndetshme
në shpirtshpellë
Ku nuk depërton
Rreze dielldashurie
Aty shëmbëllen vetëm
Buzëqeshje djallëzie
Mos provo të mbjellësh
Trëndafil në shpirtdjerrinë
Vapa e thanë
Acari e ngrinë
****
Mos provo është e kot
Nëse nga sykrroi
S’pikon një pikë lot.
Thahet pa e parë blerimin
Aty edhe ëndrrat
Humbin kuptimin
Aty ku nuk feks
Një drithërimë malli
Është ferroborr shtrigash
Është kështjellë djalli
***
Nga shpirtskëterra
Dashuria ikën një ditë
Se frymëafrata e ngufat
E shijemyku e mbyt.

 

HESHTJE

Të prita nga e shtuna në të premte
Të prita deri në orë të vona
Nuk e di ku humbe s’di ku u trete
Vallë, ku tretën sot buzëqeshjet tona

Shpejt gazin tënd e përpiu harresa
Ti s’e shkruan të paktën një fjalë
Ah, malli i yt shpejt u tret si vesa
T’kërkoj në lum ti zhdukesh si njalë

Dëshpërimin idhnak e grimcoj me dhëmbë
Vjen valë e acart e s’ma shuan zjarrin
Mbi gëzimet tona pse shkel me dy këmbë
Zemër, ti mos lidh aleancë me djallin

Se nga heshtja jote m’u shtua pikëllimi
Porsi grykë vullkani m’buçet kraharori
Unë shpresëpashuar rri e pres gëzimin
Dhe më digjen shpresat si flakë meteori

Mbeta i tulatur dhe dëshpërimin bluaj
Unë shpirtpërvëluar me zemër të ngrirë
Parajsën tonë të vogël verbërisht e ruaj
S’do lejoj kurrë të shndërrohet n’shkretirë.

 

AROMË JORGOVANI

Sonte ndjej gjektimë që shpirtin ma djeg
Ngrihet si valë deti shpërthen si lubi
Vjen me bubullimë sulet si ortek
Mbi kraharorin tim shembet me furi

Ti zbraz rufefjalët përballë syve t’mi
Për t’fshehur tuat ndjenja djallëzore
Në fytyrë të mrrolur t’lexoj neveri
Pse të ngrinë fjalët mu si fjolla bore

Jam lis vetmitar përballë gjekëtimash
Degëhapur kah qielli rrënjë thellë në tokë
Ballin mbush rrudha goditje fërgëllimash
Duroj burrërisht shkrepje vetëtimash

Që nga lartë i vërej ca re bojësorre
Enden për mbi mua ngarkuar me shi
Ndjej mot të acart me ortiqe bore
Hungërima ujqish vijnë në lukuni

Pse fjalët tua kanë një ndjenjë ftohtësie
Në ballin dritëmrrolur sot vërej drithërimë
Sot buzëqeshja jote paska tjetër shije
Dhe shikimi jotë shkrep si vetëtimë.

Pres të shpërthej gaz i ditëve pranverore
Dhe në kopshtin tim të pushoj tufani
Vargfjalët të ermojnë aromë lulebore
Pastaj të dehet shpirti aromë jorgovani.

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s