SOJLLIU / Tregim nga Kujtim Agalliu

SOJLLIU

 

Tregim nga Kujtim Agalliu

Unë e nis ditën ndryshe nga të tjerët. Ngrihem që në orën pesë, laj sytë dhe vë xhezven në furnelë dhe bëj kafenë. Pi sa për dy filxhan se ku i dihet se si më shkon dita; mund të më qeras ndonjëri, por edhe mundet që jo. Dita ditës nuk i ngjan. Sa për vete, unë nuk para pi kafe nëpër kafene, nuk dua të harxhoj asnjë qindarkë nga ato pak lekë që kam. Fundja e kam një qëllim; dua të kursej, siç kam bërë tërë jetën time, për të mbledhur ndonjë lek për të botuar krijimtarinë time.

Meqë ra fjala, unë jam shkrimtar, por jo shkrimtar dokudo, ndër më të mirët e qytetit tim. Nuk e them për t’u mburrur, por gjithë jeta ime u konsumua me letërsinë. Në qytetin tim më njohin, më respektojnë, m’i dinë huqet, të mira e të liga, ndaj nuk bëhem merak edhe nëse ndonjëri llap prapa kurrizit sikur gjoja unë jam nopran, jam koprrac. Po mirë, le të flasin, na marrshin pleshtat, se unë shoh punën time dhe nuk dëgjoj nga ai vesh. Ka nga ata që më shajnë edhe ngaqë i shes librat që botoj. Nuk bën vaki të shkëmbej librat e mi me kolegët, jo për gjë tjetër, por mendo se sa sakrifica bëj për të botuar një libër.

Po si i shes, do të thoni ju, kur të gjithë e dimë që askush nuk po lexon më, askush nuk është i interesuar për letërsinë? Epo, ja, që i shes.

Siç thashë, ngrihem herët, pasi pi dy filxhan me kafe në shtëpi filloj të shëtis rrugëve të qytetit me çantën time të zezë, ku fus tre apo katër libra. Më rëndon, por çfarë të bëj? Ajo është bërë pjesë e imja prej shumë vitesh. Pra, me të më dorë, i marr me radhë të gjitha kafenetë që nga shtëpia ime deri në qendër të qytetit. Nëse nuk shoh ndonjë të njohur, apo që të jetë i kamur, nuk hyj fare në kafene. Vetëm ata mund të marrin ndonjë libër, fukarait as që i vete mendja.  Kjo punë nuk më shkon fjollë. Unë e di se ç’heq. Ka ditë që fati më buzëqesh, siç ka edhe nga ato kur pesha e çantës nuk lehtësohet hiç.

Por kjo puna e shitjes ka edhe një telash tjetër. Lekët duhet t’ia marrësh po atë ditë atij që ble librin, se e nesërmja nuk i dihet se çfarë sjell. Për sa përket këtij problemi më ka ndodhur edhe kështu.

Tek ecja një ditë, si çdo ditë, shoh përpara meje një të njohur. Shumë nuk kisha muhabet, por ama e dija se vinte nga një familje sojliu. “Doli dita për sot,“ mendova me vete, “ky do të ma blej një libër, se është xhins dhe e vlerëson artin.” Nuk ishte vetëm kjo arsyeja që isha i bindur se do të ma blinte librin por se, në atë libër kisha shkruar diçka edhe për prejardhjen e familjes së tij mbretërore. Kjo gjë do t’i pëlqente kur ta lexonte atë. Ndaj i thirra:

– O Fazlli, o Fazlli, prit një minutë, prit!

Ai i frenoi këmbët dhe ktheu kokën nga i vinte zëri. Më njohu.

– Hë, profesor, ç’kemi? Kishit gjë me mua?

Unë “fët” hapa çantën dhe nxora që andej një nga librat e mi të fundit dhe ia zgjata.

– Kam shkruar edhe diçka për familjen tuaj, – i thashë, – keni qenë familje e fisme dhe e meritoni ta mësojnë njerëzit këtë nga librat.

– Rrofsh, pleqëri të mbarë, na paske nderuar, – tha ai dhe zgjati dorën të merrte librin, por unë e shtrëngova në timen dhe nuk e lëshova.

– Prit, prit, një minutë! –  i thashë. – Unë nuk i fal librat, i shes, se paguaj lekë që t’i botoj. Prandaj, shiko, – dhe i tregova çmimin në kapakun e prapsëm.

Ai e tërhoqi menjëherë dorën sikur ta kishte pickuar bleta tek merrte frerin  e rrushit, por nuk e dha veten.

– Mirë, – tha, – meqë qenka kështu puna po e marr, por të them të drejtën nuk kam lekë me vete. Po s’të prishi punë, eja nesër te mëngjesorja ime dhe të jap lekët. Me atë rast ha dhe një pilaf aty se e bëjmë të mirë.

Por unë nuk isha nga ata që bija në kurthe të tillë. “Të haja një pilaf”, më tha ai, por kjo, or mik, sipas meje do të thoshte: “më dhe, të dhashë, gëzohem të që pashë”. Prandaj ia preva shkurt:

– Do vij, – i thashë, – por vetëm për të marr lekët. Nuk para ha mëngjes herët.

– Mirë, si ta kesh, ashtu bëj, – mori librin, më dha dorën dhe nxitoi atje ku ishte nisur.

Të nesërmen nuk shkova se qëlloi që isha në anën tjetër të qytetit dhe më binte pak larg. Lëre pastaj edhe gjunjët nuk po më binden më. S’jam dhe aq i ri që të përballoj tërë ato kilometra rreth e qark qyteti, kafene më kafene, për të shituar ato virane librash. I kam kaluar tetëdhjetat me kohë, por për inat të atyre që nuk më duan, ende vazhdoj të shkruaj e shes libra me çantë në dorë.

Të tretën ditë, mora rrugën dhe shkova te mëngjesorja e Fazlliut për të marr paratë e librit. E gjeta aty dhe kjo më gëzoi shumë. Kush rrinte e priste gjersa të vinte.

– Eja, – më tha, – ulu të të bëj një kafe.

– Piva në shtëpi, – i thashë. – Erdha vetëm sa të marr lekët e librit.

– A, po, për librin, – sikur u përmend ai. – E lexova, e lexova, por të them të drejtën nuk kishte asgjë të shkruar për familjen time, – më tha.

– Unë nuk kam shkruar vetëm për familjen tënde, por për fisin tuaj mbretëror.

– Mirë, mirë, e pashë, por mua nuk më intereson. Kanë kaluar ato kohë, tani e kemi mendjen të punojmë e të nxjerrim ndonjë lek.

Ma ndolli zemra se kisha për të dal kllukë. Nuk desha të dorëzohesha. Kisha pritur gati tri ditë për të marr paratë dhe nuk mund të ikja bosh. Prandaj i thashë:

– Mirë, që të mos vonohemi, se edhe ti ke punë, më jep paratë dhe të iki.

– Jo, paratë, jo, – tha sojliu, – libri nuk më hynë në punë, po ta kthej. Prit pak sa ta marr se e kam prapa në magazinë.

Sa vajti dhe erdhi ai, unë u preva fare nga e papritura. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë të ma kthenin librin prapësht. Është fat i madh të kesh në dorë një libër si ata të mitë, të shkruar me aq mjeshtri e kujdes, por ai, sojliu nuk e vlerësoi. “Medet, ku kemi arritur, medet!” thashë me vete. “Kur nuk lexon një pinjoll mbretërie, vaj hallit të tjerët!” Tek mendoja kështu desh më ra çanta nga dora, ndërkohë ai i kthye me një pako në dorë ku kishte mbështjell librin tim për të ma kthyer.

– Më falni, – tha, – që ndodhi kështu, por nuk mund ta ble kot libri. Më mirë ta blejë ndonjë tjetër që ia di vlerën.

Ç’të bëja, mora librin e mbështjell me gazet dhe pa i thënë as “ditën e mirë”, u largova për të vazhduar punën time. Si bëra nja njëqind hapa, nga meraku se mos ma kishte zhubrosur apo grisur librin, e çpështolla gazetën dhe për çudi… në pako ishte një libër në kapakun e të cilit lexohej; “Manual për përdorimin e makinave”. Të qaja, apo të qeshja? Kaq injorant të ishte ky njeri, sa dhe titujt e librave nuk mbante mend. Vetë e di se sa u dëshpërova. U ktheva përsëri.

– Zoti Fazlli, –  thashë helm e vrer, – ky nuk është libri im. Të lutem, më kthe librin që të dhashë.

– Jooo, nuk ka mundësi! Mbase nuk mban mend por këtë libër më dhe.

– Epo unë nuk jam instruktor shoferësh, ore mik, jam shkrimtar, dhe jo shkrimtar sidokudo, ndaj, të lutem më kthe librin që të dhashë.

Pasi u mendua pak, tha:

– Pa prit njëherë, prit! Më duket se m’u kujtua se ku e kam lënë.

Hyri e doli nëpër qoshet e mëngjesores, por më kot. Libri nuk gjendej askund. Pa një herë nga unë dhe u fut në tualetin e vogël në të majtë të banakut. U vonua disa minuta dhe u kthye me një libër të përgjysmuar në dorë.

– Më falni, – tha, – por punonjëset e paskan vënë në tualet. Siç duket nuk paskan pasur letër higjienike. Por ulu, ulu, të hash një pilaf para se të ikësh se u lodhe duke pritur.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s