Poezi nga Mimoza Çekiçi Rista
LIRIKË
Grindur jemi si era me gjethet
eteri i heshtjes shëtit në mesnatë
Ca thirrje të humbura në telefon
e bëjnë pritjen më të gjatë.
Vërtitet në shtrat trupi i pajetë
e vetes i tregoj një përrallë të bukur
Të ftohtë janë supet e mi të zhveshur,
ku ti mjekrën mbështet e puthjen ke strukur.
Grindur jemi si nata me ditën
e orët janë veshur me fajin pa faj
Veç ti mund të m’a sjellësh dritën,
që dita të ndjejë diellin e saj.
KJO DITË
Kjo ditë prej diellit po djeg vetveten,
dy pëllumba të ajërt nisën shtegëtimin
Ndodh i dashur që si ne edhe shpezët
shpesh në qiell e humbasim drejtimin.
Kjo ditë për diellin e hoqi dhe fustanin,
e dielli e puth ëmbël, fshehur matanë.
Ndodh, i dashur, ata që duhen me shpirt
gjjithçka veç vetes, e lenë mënjanë.
Kjo dite një gjurmë puthjesh të largët,
e mban në mes të gjoksit si dekoratë.
Shsht… e dashur mos i zbulo më supet
ti bashkë me diellin më fut në mëkat.