Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

MALLI I VIRGJËR

Vite, e vite, pa u parë
Dhembjen e kishim gëlltitur
Befas gjendemi përballë
Si dy drurë të zhuritur.

Unë me mbesën duarëzënë,
Me një tufë lulebore
Ti, me nipin dritëhënë
Shtrënguar dorëpërdore.

I fola në emrin tënd,
Mbesës, kur më hodhe sytë,
Ti gati ngrive në vend
U trembe nga emri yt.

Dhe unë gati i pafrymë,
Kur i thirre nipit të vogël
Ai mbante emrin tim
Thashë: është trill apo lodër?!

Por jo, syt e vërtetuan,
Ish kujtim i një sekreti
Paçka se nuk u bashkuam
Malli i virgjër na mbeti!

 

MOS U FRIKO NGA FLAKA

Unë të besoj në çdo fjalë që thua,
Ti dyshon në ato që s’i kam menduar kurrë
Më sheh shtrembër dhe kur them “Të dua”
Me akull mosbesimi ke lartuar një mur.

Një mur-myshk që s’kalon dot shpresa
Një mur të heshtur pa gojë e pa sy,
Por s’është kjo traseja që ecën jeta
Mosbesimi nuk është për ne të dy.

Mbi këtë mur s’mbështetet dot shkalla
Që të bëhem Romeo për Zhulietën
Sepse rrugët e viteve bëhen të bardha
Kur e shikon me dy sy të vërtetën.

Unë të besoj sepse ta njoh shpirtin
Ta kam parë sa herë kam marrë plagë
Po kush djallin ta ka zbehur dritën
Nuk më shikon se si digjem zjarr?!

Eja të digjemi, mos u friko nga flaka,
Do tretet e bëhet hi vetëm mosbesimi.
Pastaj do më pyesësh: Kur do vij nata?
Atje ku dehemi nën dritën e qiririt.

 

ME TY DHE NË FLAKË

Ti më çmend me naze, unë të ndez me lutje
Më hedh mes zjarreve, më ringjall me puthje
Ti më deh si deti, me gjithë ato dallgë 
Meridian mbi glob, unë si varkë e çarë.

Nuk e dua bregun, me ty nëpër det
Me ty dhe i vdekur, me ty në dy jetë
Me ty dhe në ëndërr, me ty dhe në qiell
Ty të kam në zemër dhe në sy si diell.

Me ty dhe në shtrat, oh, aty je magji
Me ty dhe në flakë, flakë dhe stuhi!
Sa të dua unë e di vetëm Zoti
Besa ime e shkruar në pasqyrë të lotit.

Ah, zemra ime, të ndjej nën lëkurë
Dhe si gjak rrufeje mbirë përmbi buzë
Mjalt i puthjes tënde më ndez si prush
Një fole me ëndrra ta shoh nën gushë.

Pak më posht se gusha, ato dy pëllumba
Ndihem si mbret, nuk pyes as nga plumbat
Aty dëgjoj orën, tik-takun e zemrës
Aty humb i tëri, më deh fllad i këngës.

Edhe ndjej tërmetin në rrugë të ortekut,
Pirat i marrosur nëpër dallgë të detit
Ti , velë e hapur, klithmon si pulëbardhë
Lumi i fati tim shkruar si në përrallë!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s