MOSPRANIMI I ARSYETUAR / MOSPRANIMI I ARSYETUAR

Tregim nga Hamit Taka

 

MOSPRANIMI I ARSYETUAR

Kur më tha Oresti se Aurora nuk kishte dalë mëngjesin e të dielës te stacioni i autobuzëve të Tiranës, ndonëse kolegët kishin dalë herët për ta përcjellë, ndjeva vërshimin e gjakut nëpër damarë dhe një valë emocionesh ma përshkuan gjithë trupin. Vendimi i saj më habiti, më trishtoi dhe më bëri të ndihesha keq. Kjo më dha të kuptoj se çfarë ndëshkimi të ashpër mund t’i japë një njeri i mirë, i ndërgjegjshëm, i pa cen një njeriu që e ka fyer. Pa asnjë veprim të hapur qejfmbetjeje apo armiqësie, pa asnjë fjalë thumbuese apo qortuese, ajo arrinte të më bënte të mendoja se nuk gëzoja më aspak përkrahjen apo dashurinë e saj.

Nuk mund ta lejoj Aurorën të më torturojë edhe një herë akoma, thashë me vete, ndonëse e dija shumë mirë se ajo, jo që nuk shfaqte ndonjë shënjë pakënaqësie, por as nuk fshihte ndonjë shënjë hakmarrjeje jo të moralshme, nuk do t’më shfaqte asnjë shenjë mospërfilljeje apo përbuzjeje, pa le të më prekte një fije floku, po ta kishte në dorë. Si nga natyra, ashtu edhe nga parimet, ajo ishte eprore ndaj kënaqësisë së dobët të hakmarrjes. Më kishte falur që e kisha shpërfillur atë dhe e kisha përbuzur dahurinë e saj. Por fjalët, me të cilat i isha përgjigjur propozimit të saj, nuk do t’i harronte kurrë. E kuptoja nga vështrimi i saj kur kthehej nga unë, se ato ishin të gdhendura në ajrin midis nesh. Sa herë që unë flisja, ato i tingëllonin në vesh përmes zërit tim dhe jehona e tyre kumbonte në çdo përgjigje që më jepte.

Me gjithë atë asnjë herë ajo nuk u shmangej bisedave me mua, madje, si zakonisht, vinte çdo mëngjes në kabinetin tim ose më thërriste të shkoja në zyrën e saj. Dhe unë druhesha se njeriu i korruptuar brenda saj ndiente një kënaqësi, që nuk e ndante me të moralshmin e dëlirë, kur i mohonte, sa më shumë të qe e mundur, frymën e interesit dhe të miratimit të çdo veprimi dhe fraze, që më parë i jepte një farë joshjeje të rreptë gjuhës dhe sjelljes së saj, ndërkohë që në dukje vepronte dhe fliste si gjithnjë. Tashmë sytë e saj ishin perla të ftohta e të ndritshme blu, gjuha e saj një instrument folës dhe asgjë më shumë.

Në të vërtetë e gjithë kjo ishte një torturë për mua-një torturë e vërtetë dhe e vazhdueshme. Ajo ushqente një zjarr të ngadaltë indinjate dhe një hidhërim ngjethës, që më mërziste dhe më dërrmonte krejt. Ndieja se, po të isha burri i saj, kjo vajzë e mirë dhe e pastër si burimi i malit pa diell, mund të më vriste shumë shpejt, pa derdhur prej venave të mia asnjë pikë gjaku dhe pa marrë mbi ndërgjegjen e saj si kristali as njollën më të zbetë të krimit. Këtë e ndieja sidomos kur bëja ndonjë përpjekje për ta marrë me të mirë. Dhembshuria ime nuk pritej me dhembshuri. Ndërkohë me kolegët dukej disi më e dashur se zakonisht, sikur të druhej se vetëm me ftohtësi nuk do t’më bindte mjaftueshëm se më kishte larguar plotësisht nga vetja, ndaj shtonte forcën e kontrastit dhe jam i bindur se këtë nuk e bënte për inat, por për parim.

Në mbrëmjen e asaj të diele rastisi që e pashë të shetiste e vetme në lulishten para hotel-Turizmit. Duke e parë, m’u kujtua se ajo vajzë 26 vjeçare, dy vjet më e madhe se unë, tashmë aq e largët, para dy vjetësh më adhuronte dhe më kishte mbrojtur e shpëtuar mbase nga një dështim total në fatin tim. Ndaj desha të bëja një përpjekje të fundit për të rifituar miqësinë e saj. Teksa e pashë të ulej në një stol druri me shpinë të hekurt iu afrova dhe i fola menjëherë haptas.
– Shoqja Aurora, ndihem shumë i mërzitur nga se jeni ende e zemëruar me mua. Le të jemi miq të mirë!
– Unë shpresoj se jemi miq, – m’u përgjigj ajo pa u prekur dhe vazhdoi të shihte lindjen e hënës në majën e praruar të Korabit, siç po bënte kur iu afrova.
– Jo, drejtoresha Aurora, nuk jemi miq si dikur. Ju e dini këtë.
– Nuk jemi? E keni gabim. Unë nuk ju dëshiroj kurrë të keqen, por vetëm të mirën.
– Ju besoj, ngase jam i sigurtë se jeni e pazonja t’i doni të keqen dikujt. Pasi kemi qënë shumë të afruar, do të dëshiroja pak më tepër miqësi se ajo lloj mirësjelljeje për shkak të detyrës, që u jepni të gjithëve.
– Sigurisht, – tha ajo. – Dëshira juaj është e arsyeshme dhe unë nuk ju konsideroj aspak të huaj.
Këto fjalë të thëna me një ton të ftohtë e të qetë ishin mjaft fyese dhe çoroditëse. Po t’ua kisha lëshuar frerin krenarisë dhe inatit, duhej të isha larguar menjëherë, por diçka brenda meje vepronte më fort se ato ndjenja. I nderoja thellësisht maturinë dhe parimet e drejtoreshës sime. Miqësia e saj ishte e vlefshme për mua dhe humbja e saj më mundonte shumë. Nuk do të hiqja aq lehtë dorë nga përpjekja për ta rifituar sërish.
– Kështu do të ndahemi, shoqja Aurora? Kështu do të më përcillni, pa një fjalë më të mirë, nga ato që kemi thënë dikur?
Atëherë ajo u ngrit në këmbë, i ktheu shpinën hënës dhe u drejtua nga unë.
– Pra nuk qënkam më Aurora, por “shoqja Aurora”, “drejtoreshë Aurora”?…
Vura buzën në gas, por e ndjeva se u skuqa deri te veshi, ajo s’i pranonte këto ofiqe as midis kolegësh, jo mes miqsh. Ndërkohë vazhdoi pa më kqyrur:
– Nuk do të ndahemi, derisa ju më keni ftuar për të kaluar sëbashku disa ditë pushimesh në Jug?
– Ky premtim ishte për vitin e kaluar, por ju thatë se do të vini vetëm kur të martoheni me mua.
– Pse, nuk do të martoheni me mua? I qëndroni këtij vendimi?
Nuk e di a e dini dhe ju si unë që e kam provuar se çfarë tmerri mund të futin këto femra në akullin e pyetjeve të tyre? Sa i ngjan inati i tyre ortekut që bie dhe pakënaqësia e tyre çarjes së liqenjve të ngrirë të Lurës. E ndieja se ajo shpresonte akoma, sikurse ajo e ndiente që unë vazhdoja ta doja.
– Jo, Aurora, nuk do të martohem me ju. I mbahem vendimit tim.
Orteku u shkëput dhe shkau paksa përpara, por ende nuk ishte rrokullisur poshtë.
– Edhe një herë, pse ky refuzim? – më pyeti.
– Më parë ju jam pëgjigjur: ngase nuk më doni, ndërsa tani them: ngase pothuaj më urreni. Po të martohesha me ju, do të më vrisnit. Ju po më vrisni tani.
Buzët e faqet e saj u zbardhën krejt.
– Do t’ju vras? Po ju urrej? Fjalët tuaja duhen harruar në çast, ato janë të egra, jo burrërore, jo të vërteta. Ato po tradhëtojnë një gjëndje mendore të mjerueshme, meritojnë qortim të ashpër, që s’është në natyrën time. Ato do të ishin të pafalshme, sikur njeriu të mos e kishte detyrë ta falte të ngjashmin e vet.
Fjalët e fundit të saj më ngjanin si të marra nga librat e shenjta.
– Tani do të më urreni vërtetë, – i thashë. – Eshtë e kotë të përpiqem t’ju qetësoj. E shikoj se ju kam bërë armike për jetë.
Këto fjalë shkaktuan një fyerje të re, më të keqe, ngase prekën të vërtetën. Ato buzë pa gjak u drodhën nga një ngërç i përkohshëm. E pashë inatin e fortë që kisha shkaktuar. M’u drodh zemra.
– Ju i keqinterpretoni krejtësisht fjalët e mia, – i thashë dhe i mbërtheva dorën. – Nuk dua aspak t’ju brengos apo t’ju dëshpëroj.
Ajo buzëqeshi hidhur dhe e tërhoqi me vendosmëri dorën.
– Besoj se tani e tërhoqët premtimin tuaj se, qoftë edhe një jetë po të isha unë në këtë qytet të ftohtë, do të rrinit dhe ju, për ta ngrohur pak klimën rreth meje, – tha, duke u ngritur në këmbë.
– Po, do të qëndroja si mik, ndoshta dhe si ndihmësi juaj, por jo si burri juaj, – iu përgjigja.
Pasoi një heshtje e gjatë. Nuk di të themë se çfarë lufte bëhej gjatë asaj ndërkohe brenda saj mes natyrës dhe moralit. Në sytë e saj xixëllonin vetëm reflekse të rralla dhe hije të çuditshme i kalonin mbi fytyrë. Më në fund foli:
-Ju kam dhënë rast sa herë më parë të kuptoni se unë kam një koncept më të avancuar, jam e hapur në mardhëniet me njerëzit. Mes tyre nuk mund të konceptoj se miqësia, aq më martesa martesa duhet t’u përmbahet paragjykimeve mbi përkatësinë shoqërore, kulturore, ekonomike, krahinore apo fetare, të cilat ekzistojnë ende tek ne.
-Atë e keni treguar kur erdhi në komitet ajo letra e shpifur për mua, – i thashë.
Ajo mbeti një copë herë dhe një trëndafilim i lehtë ia zbukuroi fytyrën, e cila kurrësesi s’mund të shahej.
– Nuk jam penduar kurrë për atë dhe as do të pendohem, – ma ktheu me gjysëm zëri , pasi nuk donte kurrë të përmendëte të mirën që bënte. -Por prej kohësh më ka shkuar në mend se ju propozimin tim e morët si ai raporti moral: E mira me të mirë, e keqja me të keqe.
– Shoqja Aurora, këto janë fjalë të rënda dhe në kundërshtim me karakterin Tuaj. Unë e di sa dashuria është hyjnore, mbi deduksionet e induksionet, mbiintelektuale, mbimorale, por tek ne…E shumta, propozimin tuaj në ato momente, mund ta merrja si mbështetjeje, si mburoje, si human, por kurrësesi si shpërblim e aq më tepër mëshirë. Ama po ju them burrërisht se, çdo gjë mund të ndodhë midis nesh, por mirënjohja dhe respekti im ndaj jush nuk do të resht kurrë. Dhe kjo jo për qëndrimin tuaj parimor, por se…
Fjalëve të fundit u vura postabllok gjuhën e mishtë. Në sytë e saj pash ca shkëndija dhe në fytyrë një përndritje të pazakontë, e cila vinte nga thellësia e shpirtit të saj.
– Nuk është nevoja të përmendni gjëra që i di. Por e mira që përmende, nuk kishte lidhje fare me ndjesitë e mia, ajo ishte detyra ime si drejtoreshë dhe qytetare. .
Unë pohova me kokë. Ajo vazhdoi:
– Kam menduar se do t’më kuptoje dhe besoje një ditë. Unë nuk i besoj dashurisë me një të parë… Ju kam dhënë sa herë të kuptoni, sipas mëndjes sime, do t’ju bëja të kuptonit e të mos i zinit më në gojë ato refleksione e arsyetime, që ju vunë në siklet sapo ju propozova për martesë. Më vjen keq që keni paragjykime të tilla, sinqerisht më vjen keq.
Unë e ndërpreva. Gjithçka, që ngjante si qortim i hapur, më jepte gjithmonë guxim.
– Mblidheni mëndjen, Aurora, po flisni marrëzira. Pretendoni se u mërzitët nga ato që thashë unë. Nuk jeni vërtetë e tronditur, nga se në mëndjen tuaj të lartë nuk mundet të jeni aq e ngathët apo aq mëndjemadhe sa të keqëkuptoni ato që thashë e ju kam thënë. Po ju themë përsëri se, kudo që të jemë e me këdo që do të jemë, kurrë nuk do të shterr mirënjohja, simpatia e respekti për ju, që unë i përmbledh me një emër, miqësi. Po ju them përsëri: do të jem përjetësisht miku juaj, por kurrë burri juaj.
U zbeh përsëri, por, ashtu si dhe më parë, e kontrolloi në mënyrë të përkryer zemërimin e saj. Unë s’i lashë kohë të kundërpërgjigjej. Iu përgjigja vetë prerazi, por qetësisht:
– Shoqja dhe mikja ime fisnike, Aurora, në mardhëniet tona të pastra si bora e këtyre maleve që kemi mbi krye, nuk ka as çnderim, as shkelje premtimi apo braktisje. Nuk kam as detyrimin më të vogël ndaj ndonjë femre tjetër. Me ju do të kisha guxuar shumë, ngase ju admiroj, kam besim te ju dhe ju dua si sa duhet një motër, por jam i bindur se kudo që të shkoj, në Tiranë apo në një provincë të humbur, me këdo që të shkoj, nuk do të jetoj gjatë në këtë klimë…
Këtu u ndala, i mbajta fjalët me dhëmbë. Ajo më shikoi me një buzëqeshje të lehtë, që nuk munda ta kuptoja në se ishte ironike apo shpërfillëse, se ajo e kishte shumë të qartë çfarë doja të thoja unë.
– Ju vazhdoni akoma të keni frikë për veten, për dinjitetin dhe personalitetin! – tha ajo dhe uli kokën.
– Kam vërtetë frikë. Si çdo njeri kam lindur i lirë. Kam ecur me këmbët e mia, duke kapërcyer edhe pengesa. Akoma më shumë dua të jem i lirë tani, kur jam zot i vetes dhe jo “i lirë” nën ombrellën, nëpër këmbët apo në vëzhgimin e ofiqarëve të lartë. Pavarësisht mirësisë, emancipimit, pavarësisë dhe kurajos tuaj, pra, sado e aftë dhe e zonja je, nuk mund t’i bësh aq të pandieshëm ndaj diferencave. Arsyetimet e mia nuk kanë lidhje fare me ju. Dhe kam nisur të mendoj se, po të bëj ashtu siç dëshironi ju, domethënë të martohem me ju, do të ishte njësoj sikur të vrisja veten.
Ajo heshti, u skuq dhe nuk mundi ta fshihte zemërimin. ndonëse kishte aftësinë ta zotëronte veten dhe të nxirrte para të tjerëve anën e vet më të mirë,tha atë që e dija se do ta thoshte të fundit, por me një qetësi adhuruese, që të mbërthen:
– Ama fjalët që thua tregojnë se nuk je akoma i lirë, zot i vetes, por skllav i paragjykimeve E di nga drejtohet dhe pas kujt është e mbërthyer zemra juaj. Sido që interesi që ju ushqeni është jo parimor dhe i paligjshëm, unë ju admiroj për egon dhe kryelartësinë tuaj, pra ju doni një jetë intelektuale të thjeshtë e dinjitoze, të papërlyer me mëshirën e fuqiplotëve.
Desha t’i thoja “faleminderit që më mirëkuptuat!”, por nuk arrita, se aj vazhdoi:
– Së fundi desha të ju pyes:Ju vazhdoni mendoni për atë shoqen e fëminisë, që i pushkatuan babanë dhe i interrnuan familjen, kur ju ende s’dini as ku ndodhet, apo jo?
Ishte e vërtetë. E pranova në heshtje. Por ajo dukej sikur donte ta vazhdonte bisedën:
– Keni ndërmend ta kërkoni mikeshën e fëminisë dhe të zemrës?
– Natyrisht. Së pari duhet të zbuloj se ç’është bërë me të.
– Atëherë nuk më mbetet, – tha ajo, – veçse t’ju uroj dhe të përgjërohem me sinqeritet që ju të mos humbisni vërtetë. U bëftë vullneti juaj!

Iu afrova i kënaqur që po merrte fund ajo bisedë. Po ndahesha nga vajza, që e kisha simpatizuar më shumë në jetën time. Kisha sakrifikur më shumë për lirinë time se për dashurinë.
– Po të përqafoj për herë të fundit, – i thashë.
– Ç’flet?! – më tha dhe brofi në këmbë e çmeritur, e zbutur dhe e lënduar, sa nuk përshkruhej.
– Nuk kthehem më këtu, – i thashë, por zëri më doli me ndërprerje dhe i shfytyruar nga një mallëngjim i papërmbajtur. – Ti ke rregulluar transferimin? – më pyeti shumë seriozisht.
– Jo, asgjë nuk kam rregulluar, por, sido që të bëhet, nuk do të kthehem më këtu. Nuk ka asnjë kuptim për mua të kthehem sërish këtu. E kam të pamundur.
E përqafova. Më shtrëngoi fort në gjoks dhe ajo me ngashërime. Ndjeva të rrahurat impulsive të zemrës së saj. Pastaj vështruam njëri-tjetrin në sy. Sa shumë thonin ato vështrime!
– Ti je njeri i mirë dhe i madh, je njeri i sakrificës, – më tha, – por duke ndjekur parimet dhe mendimet e tua të mëdha, harron pa mëshirë ndjenjat e njerëzve të afërm, të atyre që të duan. Jam në merak se mund edhe të sakrifikosh veten.

Ja, kështu u ndamë, por ka disa gjëra që nuk ndahen, nuk janë si zinxhirët që mund t’i presësh me shpatë.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s