Poema e dhimbjes (jo e mjerimit) / Poemë nga Vaso Papaj

Poemë nga Vaso Papaj

 

Poema e dhimbjes
(jo e mjerimit)

Të kam njohur në një natë dimri, e dashur,
S’mbahet mend që kur.
Shoqëri që atëherë kemi trashur,
Ti e di, brenda së njejtës lëkurë.
Dhe përherë më ke ndjekur si hije,
Kurrë s’më ke humbur.
Veç një natë me mua mos flije,
E di mirë, s’do të ishe e lumtur.

Të kam njohur plot një jetë, dhimbja ime,
Të kam njohur që kërthi.
E s’di në do të qe tragjikomike
Të të godisja me bërryl në ijë
Dhe të të thoja:
“Po kujt kërkon t’i shtiesh frikën, ti?”

E mban mend atë natë?
Atë natë kur era e urrejtjes e rrëmbeu tim atë?!…
Kur rrojtëm me njerzillëk në bodrum aq gjatë!…
Kur puthja e parë, e tretë e njëmijtë quhej vetëm mëkat?
Kur ëndrrat në agim i rrëmbente edhe një ditë tjetër!?…
Dhe uria pas ekranit të xhamtë shfaqej si relikte e vjetër!…
Kur e keqja brenda një nate u bë e mirë, e ktheu fletën.
Kur kriminelët për hiçgjë loznin me vdekjen dhe jetën?

Isha mësuar të të njoh, të të besoj,
Kur belbëzoja: Zot, a je?
Kur këmbëngulja: Je a s’je?
E kur ti doje, gjer në fund, pas të të shkoj.

Të kam njohur mirë dhimbja ime.
Dhe sa më shumë të njihja, këngës ia thoja.
Të të trembja me këngë, doja.
Të të vinte turp nga sjellja jote,
Por s’arrita kurrë për mote e mote.

Kisha dashur rrugicave të të shpija,
Ku më kish mbetur fëmijëria.
Të të mbërtheja grushtash me shpatulla në mur,
Ashtu të masakruar, të pështyrë
Dhe pa frymë të të lija,
Sa të ngopesha me dëshirën për të mos u parë më kurrë.

Por s’qe e thënë…
Një natë përsëri të pashë.
Po pije raki në atë barin, në periferi,
Ku nuk na njihte më njeri.
T’u ula pranë edhe të thashë:
“Me mua s’mund të bësh ç’të duash, ti!”

Kam pasur për ty mëshirë,
Për heshtjen tënde,
Për gishtërinjtë e tu të pështirë,
Që kurrë s’i kam lëpirë.
(Si e dënuar me zanatin tënd të vjetër,
E dënuar në dhimbjen tënde kilometer.)

Sa herë të kam parë në sy.
Ata më ngjanin gropa të shqyera kasafortash,
Hambarë të braktisur pa dry,
Si ëndrra të thyera, frymëmarrje të prera,
Si funde dashurish të pavlera.

Të kërkova: Ndalu një çast!
Në fund të fundit, a do ta flakësh atë maskë?
Ulmu pranë! Të paktën për një herë dëgjomë!
E mos hap gojë!…
Ke bërë gjithçka për t’më çarmatosur jetën
E di mirë:
Sa herë më kaloje pranë,
Pritje që të mirrja tatëpjetën.

Por më kot.
Më shtohej emocioni prej miqve,
Që nga larg vinin,
Më rritej entusiazmi prej shokëve-miq,
Që rrotull më rrinin,
Prej ëndrrave që vraponin në të tashmen time
Dhe lirinë arrinin.
Ndaj dhimbja ime, po të them prerë:
Mbeta njeri i lirë.
Ndërkohë që ti mbete për mua me të vetmen vlerë:
Më bëre më të mirë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s