Poezi nga Nela T. Llupo
Shpirti
Ky shpirti ynë, folezë fjale;
Dimër, verë, pranverë e vjeshtë.
Në djep përkund ninulla nëne;
Mes librash mbledh varg e poetë.
I zjarrtë nga valë e dashurisë;
Rrebesh i ftohtë në natë me re.
Prush i ndezur veç me frymë;
Botë e tërë ngjizur atje.
Univers që s’ka të dytë;
dritë hyjnore ,përjetësi.
Pa ty as toka s’ do kish farë;
s’do isha unë, as ti, as ne.
Vjeshtë
Troket pa zë kjo vjeshtë e parë,
Me ca shtëllunga resh në qiell.
Diku në det nis një shtrëngatë,
E muzg i natës herët bie.
E yjt e fundit që u shuan,
Morën pas shumë ëndërrime.
Si fluturim i shtegëtarëve,
Në gjurmë të tyre lanë kujtime.