Realiteti, …….. dhe Gjyshi i tmerrshëm / Ese-interpretim nga Erjon Muça

Realiteti, …….. dhe Gjyshi i tmerrshëm

 

Ese-interpretim nga Erjon Muça

Një profesor letërsia i universitetit të Zagrebit, shkrimin tij për një libër e niste kështu: dikush ma ngjeshi në dorë këtë roman dhe unë dashur padashur e lexova.

Unë nuk jam profesor dhe romanin “Gjyshi i tmerrshëm” të Preç Zogaj-it, nuk ma ngjeshi në dorë askush; ai ndodhet ngahera në bibliotekën time. Në heshtje kishim nisur një lloj gare me tim atë; kush lexonte më shumë.

Unë blija librat që më interesonin dhe ai blinte të vetët; im atë ndjesë pastë ishte si fshesë elektrike, lexonte gjithçka. Ndërsa unë jo; derisa ishte në jetë fitoi ai. Tani librat që ai blinte i kam unë; ndjej një si lloj detyrimi për ti marrë në dorë ato libra që deri dje i kam injoruar; nëse do ia dal do i lexoj në të kundërt do i kërkoj ndjesë kujtimit të tij.

Përpara se të merrja në dorë romanin “Gjyshi i Tmerrshëm”, shfletova disa të tjerë, por nuk arrita t’i kaloja dhjetë faqet e para. Ndërsa Preç Zogaj më turbulloi që në faqen e parë. Do e përcjell këtë pjesëz por në mënyrën me të cilën mua më tingëlloi.

Të premten mbrëma vjen haberi…

E di se nuk ka gjë në thellësinë e errët të sallonit.
As në drithërimat e perdeve, që duket
sikur po kundërshtojnë shpalosjen prej korrenteve
pikërisht sepse duan të fshehin fantazamat
në palat e tyre…

Kurorat e luleve përtej vetratës imitojnë
një dremitje të përjetëshme engjësh.
Por nuk ka gjë.
Nuk mund të ketë gjë.
Arsyeja sundon në botën time.
Në këtë shtëpi tani ka vetëm sende.

Megjithatë kam një si pengim të lëviz
nga vendi, të kthej kokën majtas- djathtas apo,
të ngrihem dhe të shkoj të prek perdet,
të prek lulet, të mbyll vetratën që ka rrëshqitur
dy tri pëllëmbë nga shinat…

Nuk më shijon të vërtetoj atë që di.
Thellë-thellë, do të doja të kishte diçka
dhe t’i mbaja, si njëherë e një kohë,
në një lloj bashkëjetese, karshillëku
apo dueli të vazhdueshëm dijen me magjinë,
lëndoren me hipnozën, të vërtetën
me virtualen, historinë me përrallën.

Dhe të vinte haberi.
Të shpërthente plazmën e televizorit,
të rrokullisej në parket. Qoftë edhe në trajtën
e hijes së dërrmuar nga lodhja e harrimit.

Ky ishte fillimi i romanit, pra prozë, por që në lexim të parë se si më tingëllonte; si të dëgjosh të recituara vargjet e një kënge, nuk e dëgjon muzikën por me mendje mundohesh t’ia bashkagjisësh recitimit. Në formën e prozës këto radhë me tingëllonin të paplota megjithëse të fuqishme; ndërsa kur i radhita kështu u mrekullova me forcën metaforike që të shtyn në udhëtim. E u detyrova të rishfletoj disa libra me poezi, që nga vizjonari William Blake tek mbreti Baudelaire dhe ndjekësit e tij të brezi të mallkuar Valeri dhe Verlaine, Rimbaud dhe Malarme. Jo për krahasim por për t’i bërë një akuzë. (Në itali, një pjesë medikore, mjaft e vogël e kritikës letrare, ajo pjesë që nuk pat arritur kurrë të thellohej në vrullin e shekullit të Blake, që e patën pranuar përdhunëshëm pa e kuptuar Whitman-in. Pasardhës të atyre që akuzonin Keates për pajekuri dhe Leopardin për pesimizëm, që nuk iu përqasën aspak poezisë frëge të shekullit të XIX. Nuk arrinte të kuptonte hermetizmin brezit të artë italian. Ndaj jo pak herë akuzonin Ungaretin, Montalen dhe për më tepër Quasimodo-n për prozaizëm në poezi. Nuk kishin faj nuk arrinin të thyenin dot murin metaforik të mbretëreshës poezi, evuoluar nga i pari i kësaj liste tek i fundit.) Dua ta akuzoj Preç Zogaj-in për poezizëm në prozë.

Poezizëm të ngjashëm për nga forma me poetët e brezit të mallkuar, për nga vizjoni do e quaja pa frikë, këtë pjesë, pasardhëse aktuale e stilit të Blake. Ajo lloj poezie që më tepër se nga të gjitha format e arteve pasqyroi mëdyshjen e qenies njerëzore që rritet progresivisht me rritjen e “njohurisë”. Megjithëqë ajo fraza hyrëse, që mund të quhet edhe si titulli virtual i kësaj poezie të maskuar më bëri mjaft për të qeshur. Jo për gjë por më kujtoi një baladë, këngë, rurale, groteske e cila pat fituar nuk e di se cilin edicion të festivalit folklorik të Gjirokastrës. Ajo zhgarravinë aritistike pak a shumë kështu niste: që kur na erdhi haberi, dilni se erdhi, etje etje etje… E teksa vijoja me leximin dhe përballesha me një poetikë që lartësohej progresivisht përgjatë romanit. Aq sa më kujtoi një fjalim të Borgesit në auditoret e Buenes Airesit mbi letërsinë: Frëngët kanë një gjuhët të shëmtuar por një letërsi të bukur ndërsa ne ispanikët kemi gjuhë të bukur dhe letërsi të shëmtuar. Ndërsa për ne shqipfolësit, falë këtyre lloje veprash mund të themi se kemi gjuhë dhe letërsi të bukur. Me një subjekt që kridhej vrullshëm nën kthetrat e një procesi Kafk-jan, me një “autolezionizëm” vetëlëndim sa fizik aq edhe hipnotik, me “dy personazhe” kryesor që krijojnë një lloj Manfredi kontemporan, por pa mëkat, një pyetje më tundonte kokën. ç,ne kjo frazë kaq, …… ( nejse nuk është akoma çasti për të përmendur këtë fjalë), kaq bazike në hyrje të një rruzari metaforash që duket sikur grishin atë aparaturën ë Lovekraft ka vendosur tek tregimi “Nga përtej” e cila eksitonte gjëndrën pinelae dhe që do ta bënte njeruin të shihte përtej vizives të dëgjonte përtej uditives të nuhaste përtej olfatives. Nuk mund të besoja që Preç Zogaj të ishte aq cinik sa ta niste romanin e tij pikërisht me një frazë thuajse pranë banalitetit, ndaj kërkova dhe gjeta ndihmën e hermetikëve. Ishin ata që më tepër se të tjerët përdorën metaforën ambigue, atë lloj metafore që poshtë lëvores thuasje të valgaritetit fshehin xixëllimin e diamantit. Vetëm pas vështrimit në këtë lloj prizmi përpara mu shfaq ajo që unë parandjeja dhe kërkoja; le të mbetemi nën krahët e baladës:

Të premtene mbrëma erdhi lajmi: ” Kostandini është ngritur nga varri!”

E di se nuk ka gjë ” në thellësinë e errët të kalesës. As në drithërimën e faqeve të historisë që duket sikur duan të ndryjnë fantazmën e Kostandinit ndër radhë të shkruara e të pashkruara. Përtej gurit të varrit, eshtrat imitojnë një dremitje të përjetëshme Heshtje.”

Por nuk ka gjë.
“As ka pasur e as do të ketë gjë”.
“………- izmi sundon botën time.”
” Në këtë shtëpi tani ka vetëm të …….-ëta sende.

Megjitahtë, kam një si pengim të ndryshoj qëndrim, të ngul vështrimin përtej historisë apo legjendës, të arrij dhe të lëvis faqet e historisë, ta mbyll atë gurë varri të lëvizur. Nuk më shijon të vërtetoj atë që di. Thellë thellë do të doja të kishte diçka dhe të besoja, në një lloj bashkëjetese, karshillëku apo dueli të vazhdueshëm (u ngrit apo nuk u ngrit) dijen me magjinë, lëndoren me hipnozën, të vërtetën me virtualen, historinë me përrallën. Të shpërthenet errësirën e natës që iu bë pelerinë dhe të rrokullisej mbi baltën e kësajë bote. Qoftë edhe në trajtën e hijes së dërrmuar nga lodhja dhe harrimi. (Nga lodhja e një udhëtimi të stërgjatë dhe harrimi, se qe pikërisht ky e që ngriti nga varri, harrimi dhe jo mallkimi i nënës së cilës i vdiqën nëntë bij)

Ndoshta i gjithë ky harbim mendor i imi nuk ka lidhje të drejtë përdrejtë me romanin “Gjyshi i tmerrshëm”. Mirëpo, pikërisht këtu qëndron forca e një letërsie të mirëfilltë, forca e një poetike mrekullisht, thjeshtësisht çarmatosëse, pjellë e një talenti të natyrshëm. Talent që luan me prozën si një fëmi me lodrat e veta, pa hile, pa dëshirën për të fituar kudo dhe kurdoherë, por thjeshtë për kënaqësi. E arti në duar të tilla lundron kënaqëshëm, dhe nuk hidhet sa këndej e sa andej si mbi një rrugë me gropa.

Ndokush mund edhe të habitet me këtë stërzgjatje dhe nuk kam analizuar as më shumë se një faqe; por ky nuk është për fajin tim. Për këtë ka faj Preç Zogaj, ka faj talenti i tij.

Duhet të ndalem pak edhe tek subjekti, pasi edhe ai ka një rëndësi të veçantë, megjithëse me këtë formë arti çdo lloj subjekti do kalonte në paln të dytë. Merni veprën e mbretit të prozës Balzak, subjektet e tij nuk kanë asgjë jashtëtokësore mirpo stili e bën veprën e tij të paripërsëritëshme, frymëzuese për brezat pasardhës.

Romani “Gjyshi i tmerrshëm” ka një subjekt të përbindëshëm; edhe nëse ka ndodhur relaisht por më tepër nëse është krejtësisht pjellë e mendjes së Preç Zogaj-it. Nuk dua të them që ka gjurmët e një absurdi Kafk-ian, pasi është i një shkalle më të lartë; absurd shqiptar.

Dante Alighieri kur ndërtoi rrathët e ferrit mendoi se kishte arritur, me madhështinë e vet, të krijonte të paimagjinueshmen, por harronte se kishte të bënte me njerëzit, meskinë (Ja edhe fjala të cilës akoma nuk i kishte ardhur koha dhe tani këtë fjalë vendoseni në pikat e mësipërme), e kishin lënë për mbitokën një rreth tjetër të ferrtë; rrethi i ferrtë absurd shqiptar i njollës në biografi. Vetëm meskinizmi njerëzor shkon përtej fantazisë së poetëve.

Mos u frikësoni nga fjala meskin, letërisa e madhe, këtij instikti njerëzor të pakushtëzuar, i bën jehonë. Duke u nisur nga Rusia e largët në lindje, nën palat e Mantelti dhe përmes “Frymëve të vdekura”, apo edhe nëpërmejt “Idiotit”, gjenialët, kanë zhveshur deri në paturpërsi, meskinen. Edhe në Francë, mbreti roman, Blazak, e pikturoi meskinizmin tredimensionalisht. Po ashtu edhe Portreti i Dorian Greit nuk ishte gjë tjetër veçse poetreti i meskinit. Nuk është aq e ulët sa ç’na duket, madje është më e lartë nga ç’e përdorim. Fjala meskin rjedh nga italishtja dhe është një përcaktues që tregon varfëri; njeriu është meskin ngaqë është i vdekshëm. Mund të mundohesh ta veshësh veten me të gjitha shkëlqimet e mundëshme, morale dhe fizike, por ajo për të cilën ke nevojë jetike është tepër meskine, bazike e varfër; të ushqehesh. Gjithçka ecën me kokën lart mbështet hapat mbi baziken meskine.

Preç Zogaj

Preç Zogaj e mbyll romanin disi me mister, si të ishte ndjekës e Lovekraft, por unë e di të vërtetën e zhdukjes, apo vdekjes së Arturit. Ajo ka të bëjë me meskinen njerzore; personazhit kryesor, në një pikë duket sikur më tepër e mudon ekzistenca e inoruar e një femre në jetën e Arturit se sa zhdukja e tij; meskinizëm njerëzor. Madje edhe ai programi televizim, “t’i gjejmë sëbashku”, nuk është tjetër përpos se pjellë e meskinizmit të maskuar me fisnikëri. Mania “morboze” e sëmurë e shumicë për të ditur përse, kur, ku, ndërsa realisht nuk ia ndjen as për të afërmit. Kjo masë vështruese rrit shikueshmërinë e një rrjeti televiziv i cili rrit të ardhurat e veta me anë të sponsorëve. Paratë e tyre veshin dhe krehin gazetarët dhe prezantuesen. Pra edhe t’i gjemë sëbashku, mbi dramat njerëzore, meskinisht krijon përfitime materiale. Në radhët e librit Arturi thotë: “e kishte pleqërinë një farë rrobeje.” si të thuash; vishte fisnikërinë për të mbuluar meskinërinë. Edhe kur merret vesh fundi i trishtë i një krijese njerëzore, njerëzit janë të ngërthyer një lojë ideologjike meskine; Një armik më shumë një hero më pak. Askush nuk mendon për dramën e vërtetë; shkatërrimin e shumë jetëve falë meskinizmit njerëzor. Arturi, por edhe unë po të kisha qenë në vendin e tij, do kisha preferuar një gjysh të tmershëm, një armik të djalltë se sa një asgjë të bymyer pjellë e meskines. Të paktën të gjitha vuajtjet absurde do ishin të arsyetuara. Ndrësa kështu çdo gjë shkon përtej meskines. Madje nëse lexohet me vëmendje kjo hyrje, që për mua, në një farë mënyrë shërben edhe shpjegimi i mbylljes, edhe autori vetë, ndihet i humbur si personazhi i vet. Kur thotë, që do të kish dashur ti kishte sërish… Në fakt ai ka një farë keqardhje edhe për realitetin në të cilin jeton. Më parë jetonte me shpresën e një ardhmërie të artë, por zbuloi një reciklim meskinizmi.

” Alterego zhduket kur kupton se edhe pse mundohet është e ndryrë brenda një krijese tmerrësisht, pandryshueshmërisht meskine.

Këto ditë Preç Zogaj ka promovuar romanin e tij të radhës, dhe kjo ese e imja mund të tingëllojë paksa e vonuar meqë meret me një vepër që ka kaluar në heshtje shumë vite; heshtje virtyt i cinikève. Le të jetë ky një fillim, një katarsis për të gjithë ata që ndoshta kanë dashur të thonë diçka por kanë heshtur.

Për artin nuk është kurrë vonë të flasësh.

(Hamdi) Erjon Muça
06-11-2019 Pisa Itali

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s