Poezi nga Iliaz BOBAJ

Poezi nga Iliaz BOBAJ

 

VJESHTA E KOPSHTIT TIM

Në kopshtin tim ka ardhur vjeshta
dhe bën aty çdo marrëzi,
seç pa një çift atje tek pjeshka
dhe po i çmend ata të dy.

U hyn e del si çamarroke,
krejt lesh e li ua bën punët,
kur ata puthen, hyn mes tyre,
u bën pak fresk kur digjen buzët.

Vajzës së brishtë si bisk i shelgut,
ia vërtit flokët tutje- tëhu,
zgjat dorën, ia rrëmben fustanin
dhe ia ngre sipër përmbi gju.

Mbi kokë gjithë fluturat e gjethit,
ua hedh lehtë si ledhatim,
thua se do t’u vërë kurorë,
atje, tek pjeshkë e kopshtit tim.

Një zogu që lëshon cicërima,
si tingujt e kompozitorit,
pa dalë nga sqepi ia merr notat
dhe ia flak tej, midis oborrit.

Me duart e padukshme, gjethet,
i merr dhe i përzhit në shesh,
i sjell vërdallë si zogj të vrarë,
i hedh përtokë dhe zë e qesh.

Dhe kthehet prapë tek çifti i hijshëm,
ngarend si foshnjëz në harbim,
si vajzë gazmore është kjo vjeshtë,
që lodron nëpër kopshtin tim.

 

ASHTU SIÇ DIJE VETËM TI

Unë të kam mbajtur buzëqeshjen,
në lulërinë e saj të parë,
kur ti e çele para meje,
si diell mbi një qelq të larë.

Nuk di se si qiejt u vrenjtën,
me re, si ca ishuj mërzie
dhe befas asgjë s’më kish mbetur,
veç ca djerrina kotësie.

Ti kishe ikur pa u ndjerë,
si një vegim që shumë nuk zgjat,
sepse unë s’dita të të mbaja
dhe ikjen ta bëra dhuratë.

Pas mbeti buzëqeshja jote,
se s’mund të ikte, kurrsesi,
ajo buzëqeshje engjëllore,
që mund ta bëje vetëm ti.

Që unë ta mbaja përherë çelur
dhe t’i gëzoja lulëzimit,
si gjë të rrallë atë e mbolla,
në vazon time të trishtimit.

Ujitur me pendimin tim,
petalet i pikojnë freski
dhe ti përherë më buzëqesh,
ashtu siç dije vetëm ti.

 

LARG E LARG

Kam vite, të ndjek së largu,
të afrohem, s’mundem, druaj,
ngecëm në fjalët e para
dhe në jetë mbetëm të huaj.

Larg e larg, si dy botë,
koha pa u ndjerë na shket,
si dy planetë në lëvizje,
sikush në orbitë të vet.

Dy fjalë tonat s’u bënë bashkë,
as dy hapa me një ritëm,
si të ishim ditë dhe natë,
njëri vjen e tjetri ikën.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s